Gazment Bardhi dhe mesazhet e pretenduara të SKY ECC

Mero Baze: Standardi i SPAK për pastrimin e Gazment Bardhit, duhet respektuar për të gjithë

9 Tetor, 19:18| Përditesimi: 9 Tetor, 19:23

  • Share

SPAK ka ndërhyrë sot në debatin publik rreth spekulimeve me bisedat në SKY/ECC, që i referohen dy emrave të njohur të krimit të organizuar duke përfolur një politikan, duke i konsideruar ato të sajuara.

Ky është një zhvillim shumë pozitiv, pasi frenon spekulimet në debatin politik, duke ju referuar një historie ende të pazbardhur nga drejtësia.

Prokuroria e Posaçme ka sqaruar sot se “mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar, duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme. Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve”.

Edhe pse nuk e përmendi emrin e Gazment Bardhit, ishte qartazi një adresim për të “pastruar” figurën e tij në këtë rast.

E vërteta është se edhe nëse ajo biseda ekziston, Gamzent Bardhi nuk është automatikisht përgjegjës për çfarë thonë dy banditë për të. Por meqë ai u shqetësua, SPAK e qetësoi.

Por nga ana tjetër, vet Gazment Bardhi dy javë a pak më shumë, ka lexuar në Parlament, transkriptim të një bisede që pretendon se i ka rrjedhur nga dosja Prokurorisë së Posaçme, e cila është zotëruese e këtyre bisedave, ofruar nga kolegët perëndimorë. Konkretisht ai ka cituar kodin pin të dy telefonave dhe ka cituar bisedën mes dy personave të dyshuar si kriminelë, që flasin se kush do emërohet drejtor në Shkodër.

Bisedat e cituara nga Gazment Bardhi janë në gjithë portalet ende të pa fshira dhe të pasqaruara nga SPAK.

Nuk dimë nëse ka ndodhur ajo biseda, por ngjarja që citon Gazment Bardhi është e spostuar në disa vite vonesë, pra ai i referohet vitit 2020 në bisedë dhe flet për një drejtor për vitin 2024. Kjo është qartazi spekulim politik, por nuk dimë se sa është dhe spekulimi me faktet e SKY/ECC.

Sidoqoftë më mirë se ne, tani këtë punë e di SPAK. Ashtu siç bëri mirë që e pastroi Gazment Bardhin nga përfolja e dy banditëve dhe na garantoi që ajo bisedë nuk ka ndodhur, duhet të sqarojë dhe nëse kjo bisedë që citon Gazment Bardhi, ka ndodhur apo jo.

Nëse ka ndodhur, atëherë duhet të sqarohet nëse bëhet fjalë për ndonjë drejtor konkret. Ky tani është një standard që e vendosi vetë SPAKU dhe nëse tregohet selektiv, atëherë bëhet pjesë e baltosjes së njerëzve në opinion publik.

Nga ana tjetër, ajo që më tërhoqi vëmendjen nga deklarata e SPAK ishte se, “po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve”.

Kjo hap dhe një debat të dytë. Nëse SPAK po heton kush ka nxjerrë këto mesazhe që janë të pavërteta, duhet të hetojë dhe se si kanë mbërritur mesazhet e SKY tek Gazment Bardhi, meqë ai i lexoi në Kuvend.

Nuk di nëse përbën vepër penale a jo, por në rastin e sulmit ndaj Gazment Bardhi, SPAKU është duke kërkuar gjurmët e ujkut, kurse në rastin e spekulimeve të Gazment Bardhit në Kuvend me mesazhet e SKY/ECC, SPAKU e ka përpara ujkun.

Tani ashtu si me të drejtë ka vendosur të lodhet të gjejë kush i shpërndau i pari këto mesazhet për Gazment Bardhin, ashtu duhet të thërrasë dhe Gazment Bardhin t'iu shpjegojë se kush ja ka dhënë atij dosjen që e ka ekskluzivisht SPAK. 

Dhe kjo është brenda standardeve që vet SPAK po vendos në opinion publik për këtë çështje dhe që mendoj se është një standard i mirë. Por ai bëhet i qëndrueshëm kur respektohet për gjithë palët, jo kur dikujt nxiton t’i heqësh baltën nga supet e tjetrin ta lësh t’i hedhin kova me baltë. Se kështu do marrin më qafë dhe Gazment Bardhin brenda partisë, se me gjithë këtë përkujdesje do t’u duket i infiltruar i SPAK.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • E DREJTA: 10/10/2024 09:43

    BRAVO GAZETARIT PER KETE SHKRIM KAQ REALIST...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?