Sali Berisha nuk po nguron ta bëjë të qartë strategjinë e tij për ta mbajtur të ndarë opozitën. Përkundër retorikës së bashkimit, e cila përdoret më shumë si alibi për humbjen, se sa si mjet për zgjidhjen e krizës, Berisha po bën haptazi të kundërtën.
Ai po përpiqet të faktorizojë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, si kundërshtarë të përjetshëm të tij, me qëllim që t'ia dalë të mbajë gjallë ndarjen e opozitës.
Në fillim me Lulzim Bashën e pastaj me Alibeaj, ai ka krijuar standardin e pamundësisë së bashkimit të opozitës, duke deklaruar se vetëm ata të dy duhen përjashtuar.
Po kush janë “ata të dy” që duhen përjashtuar?
“Ata të dy” janë dy kundërshtarët e tij gjatë dy viteve. Janë dy drejtues të Partisë Demokratike që nuk janë “non grata” familjarisht si ai, që nuk kanë akuza dhe fakte të tmerrshme mbi shpinë, që ka Sali Berisha, dhe nuk kanë mbi të gjitha një bilanc shkatërrimi të PD, siç ka Berisha.
Ata thjesht janë dy kundërshtarë, por jo dy rivalë të tij, pasi janë thjesht përfaqësues të mendimit anti Berishë brenda Partisë Demokratike.
Ajo që po bën Berisha duke kërkuar të sanksionohet përjashtimi i tyre për shkak se i ka kundërshtarë, në të vërtetë është një projekt tinëzar dhe i rëndë për opozitën, pasi po i faktorizon ata të dy dhe u jep të drejtën morale, të vazhdojnë betejën për të udhëhequr pjesën që përfaqëson elektoratin pro-perëndimor të Partisë Demokratike, i cili në zgjedhjet e 14 majit, ishte shumica e heshtur e opozitës që bojkoti zgjedhjet.
Vetëm 100 mijë prej tyre dolën dhe votuan logon e PD, ndërsa 250 mijë të tjerë preferuan të rrinë në shtëpi. Ky është elektorati që nuk e ka Sali Berisha nga opozita dhe nuk do ta ketë kurrë. Përkundrazi, do të rritet dhe më tej kjo masë refuzuese, nëse në PD nuk shfaqet fryma e bashkimit përtej Berishës.
Por Berishën pikërisht kjo gjë e tmerron. Dhe për të shmangur këtë, ai po thërret në skenë përsëri Lulzim Bashën, duke vënë gishtin mbi atë si shakatar të humbjes në këto zgjedhje, edhe pse Basha është një nga ata 250 mijtë që nuk ka dalë nga shtëpia, në fushatë.
Duke këmbëngulur që ai dhe Alibeaj nuk duhen pranuar në PD, ai po kërkon të krijojë një dualizëm me ta, që kur të kërkojnë përjashtimin e tij, të thotë “nuk mund të iki se kam dy armiqtë e mi përballë”.
Kaq është e gjithë strategjia e tij. Ikja e Bashës dhe Alibeajt me dorëheqje pas dy zgjedhjesh, është shenjë emancipimi dhe model vdekjeprurës për Berishën, pasi i tregon atij që pas çdo palë zgjedhjesh që humbet, duhet të iki.
Dhe që të mos iki dhe ta mbajë opozitën e ndarë, tani ai thjesht për thërret në skenë Lulzim Bashën të rikandidojë për PD zyrtare, duke e filluar nga e para sagën e vitit 2021, kur halli i Berishës u bë hall i opozitës. Dhe tani varri i saj!