Opinion

Mero Baze: Tri mite të rreme të PD, për humbjen e 25 prillit

11 Maj 2021, 22:05| Përditesimi: 11 Maj 2021, 22:09

  • Share

Partia Demokratike po mendon se ka gjetur justifikimin e duhur për humbjen e 25 prillit. Miti i parë është se socialistët fituan prej tërmetit, pasi e përdorën atë për të rimbursuar humbjet e qytetarëve.

Në fakt, Partia Socialiste arriti ta përballojë tërmetin si fatkeqësi natyrore dhe Edi Rama ndoshta do ta ketë atë një medalje në karrierën e tij si kryeministër për breza të tërë. Por vetëm kaq.

Tërmeti e nderoi Edi Ramën si kryeministër, por jo si kryetar të Partisë Socialiste. Në zonat e tërmetit, nga Durrësi në Laç, Edi Rama ka marrë rezultat më të ulët se sa ka pasur. Në Laç ka marrë rezultat negativ, edhe pse po ndërton një qytet nga e para, ndërsa në Durrës ka mundur të ruajë votat e veta, pa u rritur.

Kështu që paratë që kanë marrë qytetarët e dëmtuar nga tërmeti, apo shtëpitë e reja që po marrin ata, nuk janë përkthyer në vota për Partinë Socialiste. Përkundrazi, PD është rritur në ato zona. Tani si i bie, që Edi Rama ka paguar miliona që të rritet PD?

Duhet pak më shumë inteligjencë në përpjekje për të gjetur një alibi për humbjen.

Miti i dytë është ai i Tom Doshit.

Tom Doshi dhe partia e tij nuk ishin në koalicion me PS, por konkurrent me të. Nëse u hedh një sy statistikave, ti e kupton se Partia Socialiste ka humbur së paku tre deputetë prej konkurrencës së Tom Doshit.

Në Shkodër dhe në Tiranë ai ka marr deputetin e PS, ndërsa në Dibër falë votave të marra nga Doshi, PS humbi deputetin e tretë. Po ashtu ai ka rrezikuar fitoren e PS dhe në katër qarqe të tjera.

Dëmi që i ka bërë Tom Doshi PS-së në këto zgjedhje është kapilar, pasi ai ka sulmuar elektoratin e majtë të PS-së dhe të zhgënjyerit prej saj. Ai nuk ka mundur të marrë asnjë votë të djathtë, kudo që ka konkurruar.

Në Shkodër, aty ku Doshi është dyfishuar, është dyfishuar në kurriz të PS-së, pasi PD është rritur. Në Tiranë, po ashtu. Pastaj në gjithë Shqipërinë ai ka marrë vetëm elektorat të majtë.

Në këtë aspekt mund të thuhet pa dyshim që Tom Doshi ka qenë aleati më i mirë i PD-së në këto zgjedhje. Pa atë, Edi Rama do ishte 76 deri 77 mandate.

Kështu PD bënë mirë t’i lutet Zotit që Tom Doshi të vazhdojë të ekzistojë, për të mirën e saj, se për socialistët është mirë të mbyllet që sot si parti.

Miti i tretë është faktori çam. Faktori çam në këto zgjedhje u nda në dy pjesë. Kryetari i parties, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe një tjetër kandidat në Fier, konkurruan në listat e PD. Dhe fituan të tre.

Një krah i partisë came, i lidhur me Aqif Rakipin dhe ish- kryetarin e PDIU, Tahir Muhedini, u futën në listat e PS. Bën ekzaktësisht të dy palët të njëjtën gjë. Edhe PD, edhe PS, futën nga tre kandidatë çamë në lista.

PD rezultoi më e suksesshme, pasi të tre kandidatët çamë fituan dhe do jenë deputetë. Tek PS fituan vetëm dy kandidatë.

Pra tani nuk e kuptoj pse Shpëtim Idrizi dhe Mesila quhen të ndershëm, ndërsa Rakipi qenka kriminel se është në listën e Ramës. Kur ishte më 2019 në protesta me Bashën, ishte burrë i mirë.

Nëse çamët do t’i konsiderojmë kriminelë, vetëm pse ruajnë komunitetin e tyre dhe valorizojnë votën, jemi duke bërë atë që ka bërë Napolon Zerva.

Aftësia e tyre për të ruajtur komunitetin dhe përfaqësimin e tyre politik, është një realitet që PD e ka përdorur më shumë se PS. Dhe ideja që ata çamë që shkojnë me PD, janë të mirë dhe të tjerët kriminelë, është i vetmi kontribut që me sa duket PD po jep për çështjen çame në Shqipëri.

Në fund, po brenda këtij debati, diçka dhe për të ashtuquajturit deputetë me influencë kriminale. Kur akuzojnë djalin e Aqif Rakipit, se ka fituar nën ndikimin e rrethit të njohjeve të babait të tij, PD duhet të shpjegojë pse Andia Ulliri, një 22- vejçare e pafajshme, por dhe e paditur nga politika, ka marrë më shumë vota se gjithë deputetët politikanë të Durrësit, vetëm se është nga Nikla dhe se ka pas njerëzit e “fortë” të Niklës, që sfidojnë shtetin.

PD ka bërë çdo gjë që ka bërë PS në këto zgjedhje, por prapë nuk ja ka dalë të fitojë.Të gjitha mitet e PD me të cilat kërkon të justifikojë 25 prillin, i ka kundër.

Ato janë më shumë fenomene që kanë ndihmuar PD-në, se sa PS-në. Nëse gjithë këtë baltë që po hedhin mbi Shqipërinë, e bëjnë për të mbrojtur Lulin, të mos lodhen kot, se dhe ashtu atë nuk do ta heqë Edi Rama, por vetëm disa zëra nga PD.

Nuk ja vlen që për të bindur ata, të përbaltin vendin. Jo për gjë, po ata dhe nuk e mundin dot Lulin, se ai nuk bën zgjedhje brenda PD-së, së paku aq të mira sa më 25 prill, që të lejojë konkurrencën.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?