Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Mero Baze: Zgjedhjet e vërteta në PD do të mbahen në shtator

14 Qershor 2021, 20:41| Përditesimi: 14 Qershor 2021, 20:48

  • Share

Lulzim Basha vendosi të mos ikte. Të tjerat janë procedurë e parëndësishme për kulturën e një partie, që nuk ka pasur kurrë garë. Ndaj nuk ia vlen të flasim në këtë ditë për thyerjen e zemrave të mijëra demokratëve që refuzuan të votojnë apo të tjerëve që nuk i lanë të votojnë. Nuk ia vlen të diskutojmë as për ankesat e “rivalëve” pasi ata ishin të qartë që Basha nuk do të ikte dhe po ashtu duhet ta kishin të qartë dhe rezultatin.

E vetmja pikë që vlen të diskutojmë është, nëse emërimi i tretë i Bashës do t;i mbijetojë betejës së Shtatorit, apo PD do të kalojë në zgjedhje reale?

Kjo pikë disa muaj më parë nuk ishte temë debati, pasi të gjithë e konsideronim Lulzim Bashën një ushtar të Sali Berishës në selinë e PD.

Por, tani Sali Berisha nuk është më një pasuri e PD, por një problem i Partisë Demokratike.

Në muajin Shtator, Partisë Demokratike do t’i duhet të marrë një vendim të rënd, dhe të distancohet nga Berisha duke e nxjerrë atë jashtë grupit parlamentar. Për këtë vendim do të ketë një presion të fort ndërkombëtar, që nëse Basha i reziston dhe i bëhet mburojë Berishës, do të thotë se e ka merituar të qëndrojë në krye të PD, pasi është legjitim si njeri i emëruar nga Berisha.

Nëse Basha dorëzohet nga presioni i SHBA, siç dhe premton me zë të ulët nëpër takime me diplomatë dhe hyn në konflikt me Berishën, për ta nxjerrë atë nga grupi parlamentar, ai është duke bërë një histori të re të Partisë Demokratike dhe të vetën personalisht. Por, për ta bërë këtë ai duhet të çoj partinë në zgjedhje dhe të marrë mandat për këtë histori të re.

Personalisht jam në krah të tij, nëse ndërmerr aktin e dytë, por jo të qëndrojë në krye të PD me votat e siguruara nga Berisha si garant i tij.

Në një konfrontim të tillë të pritshëm, Lulzim Basha nuk do të jetë përball me Agron Shehaj, por me Sali Berishën. Ajo do të jetë beteja e vërtet për të reformuar Partinë Demokratike.

Ajo që ndodhi dje ishte proces votimi si dy të mëparshmit. PD do të ketë zgjedhje, atëherë kur do të detyrohet të zgjedh mes Sali Berishës dhe një tjetri, qoftë ky dhe Lulzim Basha. Ta presim atë ditë, si ditë e vërtet zgjedhjesh në PD. Këto të tjerat janë votime.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?