Tymueset në Kuvend

Mes tymueseve, Kuvendi voton edhe ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore

21 Dhjetor 2023, 12:51| Përditesimi: 21 Dhjetor 2023, 13:27

  • Share

Mes kaosit, Kuvendi votoi në seancën plenare të kësaj të enjteje edhe ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore. Me 75 vota pro u votua ligji i ri i cili përcakton qartë sipas socialistëve objektin e komisioneve hetimore.

Ligji i ri sipas socialistëve qartëson balancën mes legjislativit dhe organeve të drejtësisë, ndërsa përcakton qartë se kur do të ngrihet një komision hetimor, ndërkohë që sipas mazhorancës deri më tani komisionet hetimore janë përdorur për luftë politike.

Këto ndryshime ligjore opozita i ka kundërshtuar dhe i konsideron si tentative të mazhorancës për t’i hequr të drejtat që opozitës ia jep Kushtetuta.

Deputetët e Berishës dhe grupit Bardhi prej javësh të tëra kanë krijuar kaos në seancat plenare me pretendimin se po i refuzohen disa kërkesë për komisionet hetimore.

Më konkretisht, në seancë plenare u miratuan:

Kërkesa me nr.prot. 3822, datë 12.12.2023, “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit z. Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Unionin për Konservimin e Natyrës (IUCN)”, me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së nivelit të lartë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për hartat treguese të rrjetit transevropian të transportit në Shqipëri”, me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2020, për projektin “Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujërave, pjesa e dytë, (infrastruktura 2 komunale, faza V, pjesa II), me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891/2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?