Mësimi që i duhet dhënë Partisë Demokratike

24 Maj 2019, 13:28| Përditesimi: 24 Maj 2019, 13:31

  • Share

Ka një krehje bishti ndaj Partisë Demokratikë aq sa edhe dashnorët e përjetshëm, Romeo e Zhulieta, do të ishin xhelozë ndaj kësaj dashurie të fortë për ta parë PD-në doemos në zgjedhje. Partisë Demokratike nuk i është mohuar pjesëmarrja, as i është penguar. Me vullnetin e saj të lirë dhe me një vendimmarrje të imponuar nga udhëheqësi de jure e ai de facto, Partia Demokratike ka vendosur të mos e përfaqësojë më popullin e saj, si e deleguara e tij, në Kuvendin e Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por ajo e braktisi me vetëdije popullin e saj edhe nga përfaqësimi i tij në pushtetin vendor.

Tentoi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 të mos merrte pjesë, por me një  vullnet të admirueshëm të kryeministrit Rama, iu dha ajo mundësi që kërkon sot, për qeveri tranzitore dhe sërish humbi. Atëbotë, për hir të respektimit të saj si parti historike, u shtynë zgjedhjet me një javë meqë kishte hapësirë ligjore. Tani, pas dy vitesh, po bën të njëjtën gjë, dhe sërish jemi në diskutim nëse duhet të shtyhen apo jo zgjedhjet.

Partia Demokratike nuk është marrë asnjëherë me thelbin e zgjedhjeve, por vetëm me aspekte politike. Thelbi i zgjedhjeve është pjesa teknike, ajo e ofrimit të të gjitha garancive ligjore për një proces transparent e të drejtë. Partia Socialiste u tregua e gatshme në këtë drejtim duke ngritur pas zgjedhjeve të vitit 2017, një komision të reformës zgjedhore. Për më tepër, përfaqësuesi i saj në komision ishte një ish-ministër i Berishës. Jo vetëm kaq, por Edi Rama i ofroi opozitës një letër të bardhë ku ajo të shkruante çdo gjë që ajo e shikonte të arsyeshme për procesin zgjedhor dhe ai do ishte i gatshëm t’i miratonte në Kuvend.

Edhe pse ai komision punoi me shumë profesionalizëm dhe përfshiu në draft-ligj edhe rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, Partia Demokratike as që u interesua ndonjëherë për atë produkt ligjor. Fillimisht braktisi për 6 muaj Kuvendin. Pasi u rikthye as që e kishte në plan të merrej me të. Dhe në fund, dogji mandatet si për të thënë se s’më intereson fare baza ligjore. Për PD-në dhe udhëheqësinë e saj ka rëndësi vetëm ana politike. Që do të thotë: Të ikë Rama si kryeministër dhe të bëhet një qeveri e përbashkët pozitë-opozitë. Për këtë janë të gatshëm të pranojnë si kryeministër edhe thyesin e kafkave të demokratëve, Kaçin e Zi!!!

Kjo mania e Lulzim Bashës për të mos mundur drejtpërdrejt në zgjedhje kryeministrin Rama, por “kryeministrin” Kaç, bile vetë qeverinë ku ai do jetë pjesë, tregon më së miri pafuqinë e tij dhe partisë që përfaqëson se sa të dëshpëruar politikisht dhe të mjerë intelektualisht janë ata përballë Edi Ramës.

Në kushtet kur Partia Demokratike thyen çdo etapë dhe pret deri sa të afrojnë zgjedhjet e pastaj hynë në lojë shtyrja e zgjedhjeve, po kthehet në një normalitet në çdo palë zgjedhje. Po mirë, ja ramë dakord ta shkelim Kushtetutën dhe ligjin zgjedhor që zgjedhjet të shtyhen në tetor 2019. Vetëm se unë kam një paqartësi, të cilën duhet ta sqarojnë konstitucionalistët. Kur zgjedhjet nuk kanë problem ligjor të shyhen me 5 muaj, deri në tetor 2019, çfarë problemi ka që ato të shtyhen me 4 vjet, deri në qershor 2023?!

Absurdi kalon çdo limit kur deklarojnë se nuk mund të ketë zgjedhje me opozitën… e vetëpërjashtuar. Nuk ka asnjë përcaktim ligjor që opozita ka emrin Partia Demokratike. Opozita, por edhe mazhoranca, dalin vetëm nga proceset zgjedhore. Ato i cakton vota e popullit. Nëse unë do bija dakord me këtë përcaktim moral, që nuk ka zgjedhje pa opozitën, domethënë PD-në, sërish do ngrija një pyetje për konstitucionalistët. Si duhet të veprojë Partia Socialiste, por edhe Edi Rama, nëse opozitës, domethënë PD-së, i teket që të mos marrë pjesë në zgjedhje për 4, 8, 12… vitet në vazhdim?!

Ky flamuri i njësimit të opozitës me emrin e PD-së është kaq qesharak dhe bëhet më shumë i tillë teksa dëgjon një takëm analistësh, nga ata të sojit që deklarojnë se kjo klasë politikë e ka ezauruar mision e saj dhe duhet të dalin elementë të rinj politikë për t’i zëvendësuar. Janë po këta, që bëjnë prapa kthehu dhe e duan doemos PD-në në skenën politike shqiptare. Nuk është se kam njohuri të thella nga skena politike botërore, ama, di të them se Italia s’e pati fare problem që të nxirrte nga skena politike parti qeverisëse me traditë 50 vjeçare siç ishin socialistët e Kraksit dhe kristian-demokratët e Andreotit. Po kështu në Greqi, Francë e gjetkë.

Nuk është asnjë tragjedi kombëtare dhe as nuk duhet përjetuar si e tillë dalja nga skena politike e PD-së. Kjo parti, e cila për 29 vjet u edukua vetëm në shkollën parapolitike të Sali Berishës, ka modelin më të keq të të bërit politikë. Të dhunshëm e të paskrupuj, ata nuk kanë vepruar asnjëherë me arsye, por vetëm me instinkt. Qysh në fillimet e saj, ajo parti nuk diti të zgjedhë demokratikisht as brenda vetëvetes, ku bërrylat dhe dhuna për të nënshtruar tjetrin që kishte ambicie, treguan më së miri se çfarë mentaliteti ka në atë parti për votën dhe konkurrimin e lirë. Vitet pasuese e kthyen në normë këtë gjë edhe në aspektin shtetëror, prandaj kjo shkollë e shëmtuar thjesht duhet trajtuar si ato universitetet kioska, që po ajo vetë hapi, që në vend të dijes, shisnin diploma pa vlerë.

Si konkluzion, duhet thënë se nuk ka asnjë kuptim që opozitën ta identifikojmë me emrin Partia Demokratike. Ashtu sikurse nuk mund t’i shtyjmë zgjedhjet vetëm se në to nuk merr pjesë Partia Demokratike. Ajo i ka dhënë shembujt se po krijon traditën e të çuarit të situatave deri në ekstrem për të prishur më pas normalitetin ligjor dhe “fitoret” i kërkon vetëm nga pikëpamja morale, për t’i ulur hundën kundërshtarit, dhe jo ligjore, duke u bërë pjesë e hartimit të ligjeve dhe futjes në zgjedhje për ta mundur kundërshtarin tek kutia e votimit. Ndaj, ka ardhur koha, bile është tejkaluar, që kësaj partie tekanjoze t’i jepet një mësim i mirë. Thjesht, të mos i lutesh më!

Komento

Komente

  • Drejtësia po vjen: 25/05/2019 07:21

    Analizë perfekte,por ke harruar dicka,,KËTA INJORANTË AS QË JU INTERESOJN FARE ZGJEDHJET,KANË FILLUAR PËRGATITJET TË PËRBALLEN ME LIGJIN,KAN SHUM GJYNAHE PËR TË LAR.GJITH POPULLI KËTË PO PRET,,zgjedhjet do zhvillohen normalisht.

    Përgjigju
  • CaBone: 24/05/2019 17:23

    Shum i sakte shkrimi. Respekte

    Përgjigju
  • Fred: 24/05/2019 14:02

    Katro je i madh!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?