174 mësues nga Fieri dhe qytete të tjera që japin mësim në shkollat e Roskovecit nuk kanë marrë pagesën e transportit që shkon 10 mijë lek në muaj bashkë me vështirësinë e punës.
Festim Metaj kryetar i Sindikatës së Arsimit në Roskovec tha se pagesa për transportin dhe vështirësinë në punë është vonuar prej 5 muajsh. Pavarësisht ankesave në Zyrën Arsimore të Roskovecit nuk kanë gjetur zgjidhje.
“Kemi këtë problem 5 muaj, nga 230 mësues në Roskovec, 174 vijnë nga Fieri kemi 5 muaj që nuk marrim pagesën e transportit. Po kështu na është mohuar dhe vështirësia në punë që do të thotë na është mohuar një rrogë shtesë. Një mësues nga Fieri në Roskovec merrte 100 mijë lek, prej 5 muajsh nuk i merr më. Kemi marrë kontakt me drejtorinë arsimore, kjo e fundit në ministri dhe skemi marrë zgjidhje u bënë 5 muaj. I bëjmë thirrje ZVA Roskovec, Ministrisë së Arsimit ta marrë seriozisht këtë ankesë. Na kanë thënë që në shkurt te vitit kaluar ka dalë një VKM, por ne nga shkurti e deri në shtator i kemi marrë lekët nga shtatori e deri më sot jo. Mësuesit më kërkojnë të hidhemi në protestë, po e shohim këtë mundësi si sindikatë”, shprehet Metaj.
Ndërsa Dezdemona Karafili, mësuese e shkollës së mesme “Adem Vrapi” në Roskovec, njëherësh nënkryetare e sindikatës paralajmëroi protesta dhe grevë nëse nuk do të ketë reagim nga Ministria e Arsimit dhe Kryeministri.
“Kemi kryer veprimet tona dhe do ta përshkallëzojmë situatën deri në grevë nëse lekët e rrugës tonë do të mbahen. Është një procedurë e jashtëligjshme. Në shtator deri në dhjetor i bie deri në 12 milionë lekë të vjetra që mbahen për të gjithë mësuesit e zonës. Ne kemi çuar këtë letër me një peticion prej 34 firmash të mësuesve. Kemi çuar në organet kompetente në ZBA-në e Roskovecit, kemi çuar letër dhe në kryeministri”, thotë Karafili.
Në bazë të vendimit të këshillit ministrave të vitit 2017 mësuesit që punojnë larg vendbanimit marrin shpërblim për transportin në vlerën 1 mijë lek kur largësia është mbi 10 km dhe 1800 për largësinë mbi 20 km.