Meta për investimet në Berat: Do të ketë mbështetjen time për t'i dhënë shkëlqimin e merituar

1 Shkurt 2021, 19:30| Përditesimi: 1 Shkurt 2021, 19:33

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka diskutuar për disa nga problematikat e qytetit të Beratit gjatë një takimi që ka zhvilluar me një përfaqësi të Shoqatës "Antipatrea" e cila ka kontribut për përfshirjen e këtij qytetin në Unesco.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se u njoh me shqetësimet e tyre, se ky qytet i cili ka potencial për zhvillimin e turizmit, po dëmtohet nga projektet korruptive dhe të nxituara e të pakonsultuara.

Gjithashtu, Meta shkruan se drejtuesi i "Antipatrea"-s, ka propozuar dhe ndërtimin e një Pallati Sporti për të rinjtë e këtij qyteti për të ushtruar pasionet e tyre.

Kreu i Shtetit shkruan se do të jetë në mbështetje të çdo propozimi dhe shqetësimi të kësaj shoqate si dhe qytetit të Beratit për ta zhvilluar e për t'i dhënë shkëlqimin e merituar.

"Nga Mangalemi e Gorica dhe deri lart në Kala, Berati i një mbi një dritareve, simbolizon një qendër të jashtëzakonshme të qytetërimit dhe civilizimit tonë, me një trashëgimi të pasur historike e kulturore, që duhet mbrojtur dhe promovuar më së miri. Për të diskutuar lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, prita sot me kërkesë të tyre, një përfaqësi të Shoqatës “Antipatrea”, me një kontribut të madh për përfshirjen e Beratit në UNESCO. Më njohën me shqetësimet e drejta se, ky qytet me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, po dëmtohet nga papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe projektet e nxituara urbane, të pakonsultuara me komunitetin dhe që e kanë detyruar këtë shoqatë të nderuar, t’i drejtohet UNESCO-s.

Nga drejtuesi i "Antipatrea"-s, arkitekti i njohur beratas, Pavllo Shkarpa m’u ngrit shqetësimi mbi masakrën urbane, që po ndodh në Berat, me dëmtimin e shumë lagjeve karakteristike të qytetit. Tepër i vlefshëm edhe propozimi i tij për ndërtimin e një Pallati Sporti, për të rinjtë e rejat e këtij qyteti, që nuk kanë ende sot një qendër ku të ushtrojnë pasionet e tyre. Ndërsa inxhinieri i mirënjohur, z.Xhevahir Ngjeqari, më bëri prezent faktin e mosmarrjes në konsideratë nga Qeveria dhe pushteti vendor të sistemimit të lumit Osum, mbështetur mbi vlerësimet e akademikëve më të shquar të vendit, si dhe të mungesës së investimeve për shumë projekte rrugore, me rëndësi strategjike. I mbajta shënim të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet e të pranishmëve, si dhe i garantova se jo vetëm ata, por i gjithë komuniteti i dashur i Beratit, do të më ketë në krah, për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të këtij qyteti. Do të bëj çdo përpjekje, që në bashkëpunim me komunitetin dhe UNESCO-n, t’i japim me shumë dashuri Beratit shkëlqimin e merituar, për të moslejuar shpopullimin e tij dhe për t’i dhënë impulse të reja zhvillimi, si një qendër me potencial të jashtëzakonshëm për ekonominë dhe turizmin" - shkruan Meta.

 

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • O Met: 01/02/2021 21:14

    O hajdut e kishe bllokun ne dore mo ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?