Presidenti Ilir Meta dhe kryetari e Kuvendit, Gramoz Ruçi, pas një takimi në Presidencë, i kanë dërguar nga një letër secili kryetares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tushës, ku i kërkojnë angazhimin e Këshillit për të plotësuar urgjentisht gjashtë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Dy letrat ka mbërritur në tavolinën e zonjës Tusha në datën 10 korrik 2020, ndërsa janë diskutuar në mbledhjen e KED po atë ditë. Krahas letrës së Ruçit, Kuvendi i ka dërguar Vitore Tushës edhe opinionin e Komisionit të Venecias, të përkthyer nga Adelina Ibrahimi, mbi zgjidhjen e përplasjeve të forta mes Presidencës, Kuvendit dhe KED në atë kohë me në kryer Ardian Dovoranin, për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kryefjala e opinionit të Venecias ishte bashkëpunimi mes palëve. Në letrën e tij, Gramoz Ruçi thekson se çfarëdolloj pengese që do t`i shfaqet KED në procesin e plotësimit të vendeve vakante në Kushtetuese, KED t`ia bëjë me dije Kuvendit të Shqipërisë për të bërë të mundur kapërcimin e çdo lloj pengese sa më shpejt. Nga ana tjetër, Meta, në letrën e tij, deklaron mbështetjen e plotë ndaj KED në procesin e plotësimit të vendeve vakante. Të nxitur edhe nga dy letrat, KED në mbledhjen e datës 10 korrik, caktoi një mbledhje në 17 korrik për shqyrtimin e dy vakancave të radhës në Gjykatën Kushtetuese.
Dy letrat janë produkt i bashkëpunimit të Kuvendit dhe Presidencës për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, pas opinionit të Komisionit të Venecias, i cili kërkon konsensus. Ruçi dhe Meta zhvilluan një takim në 30 qershor 2020 ku diskutuan modalitetet e bashkëpunimit për ringritjen e Kushtetueses, e cila është kusht i vendosur nga Brukseli për avancimin në rrugën e integrimit. Gjykata Kushtetuese është kthyer prej dy vitesh në ‘mollë sherri’ mes opozitës, mazhorancës dhe Presidentit Meta. Opozita akuzon qeverinë për asgjësim të qëllimshëm të gjykatës, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar: “Më mirë djepi bosh se shejtani brenda”, duke iu referuar gjyqtarëve të korruptuar të emëruar nga Meta dhe Berisha.
Gjykata Kushtetuese u boshatis për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, ku shumica e anëtarëve u shkarkuan për pasuri të paligjshme, ndërsa një pjesë u vetëlarguan nga frika e përballjes me Vetingun, ndonëse mund të qëndronin në detyrë deri kur të zëvendësoheshin. Vetëm Vitore Tusha u konfirmua në detyrë, por edhe zonjës Tusha i ka mbaruar mandati si anëtare e Gjykatës Kushtetuese që në vitin 2017. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm tre anëtar me mandat të ‘rregullt’, nga 9 anëtarë që duhet të kishte në total.