Nikolla: Metoda Vishinskij e PD-së nuk fuksionon me Ramën, Veliajn, Lleshajn, Spiropalin!

7 Gusht 2019, 10:12| Përditesimi: 7 Gusht 2019, 10:14

  • Share

Brenda PD-së, që në lindjen e saj, krahas tribalizmit të theksuar, ka pasur një ngarkesë të fortë ideologjike staliniste e ardhur kjo nga përvoja vetjake e krerëve të saj të brumosur përgjatë komunizmit enverist. Dëshmi konkrete e saj ka qënë lufta e pabesë për pushtet që në orët e para të themelimit të PD-së dhe ajo që unë e quaj tradhëtia e madhe e shtysës shpirtërore demokratike të studentëve shqiptarë! Ishin studentët që në ’90-n i dhanë jetë lëvizjes së një 68-te të vonuar shqiptare duke u barazuar në dinjitet e pasion për liri me moshatarët e tyre perëndimorë. Orëzezë ishte ardhja në krye të kësaj lëvizje e krerëve që ishin të lidhur me grupimet konservatore staliniste të regjimit i cili kishte mbetur tashmë pa dhëmbë në gojë dhe kërkonte hapësira të reja pushteti politik!

Besoj, nisur nga studimet e mia të fenomenit komunist në Shqipëri, se PD-ja është e vetmja bartëse e atavizmave dhe reminishencave staliniste të enverizmit. Do të përpiqem ta ilustroj këtë lidhje logjike me një shëmbëlltyrë që ka të bëjë me dukurinë e metodës së hetuesisë të zhvilluar nga Vasilij Vishinkij në Bashkimin Sovjetik. Persekutimi i tmerrshëm stalinist në Bashkimin Sovjetik u bë intensiv që me vdekjen e Leninit dhe ardhjen në pushtet të Stalinit, por spastrimi stalinist e arriti kulmin në periudhën korrik 1937 – shtator 1938, e cila quhet edhe “spastrimi i madh”! Nga pikëpamja antropologjike më ka tërhequr vëmendjen një personazh famëkeq i cili nxiti një metodë hetuesie dhe torture që ishte krejt e mëvetshme dhe nuk kishte të ngjashme as me torturat e përdorura në Rusinë Cariste. Risia makabre e kësaj metode qëndronte në pretendimin e saj se i akuzuari vetakuzohet dhe pranon të gjitha akuzat që partia i drejton. Proverbiale mbeten disa pyetje gjatë hetuesisë së Vishinskijt, sidomos me figura të shquara të regjimit sovjetik, si ajo e Kamenevit.

Vishinskij: “Si i shikoni artikujt e deklaratat që keni shkruar në 1930 në të cilat ju shprehni devotshmërinë për Partinë? Mashtrim?” Kamevev: “Jo, më keq se mashtrim”! Vishinskij: “Hipokrizi e ndyrë”? Kamenev: “Akoma më keq”! Vishinskij: “Më keq se mashtrimi, më keq se hipokrizia! Të gjejmë fjalën e saktë, tradhti”? Kamenev: “Ekzakt, ju e thatë”!

Ishte koha kur BS-ja ishte shumë në sy të kritikave të vendeve perëndimore për proceset e dënimeve masive kriminale dhe Vishinskij kërkonte një metodë që të ndihmonte regjimin në “larjen e duarve”! Për këtë arsye ai torturonte dhe terrorizonte të akuzuarit, fati i të cilëve tashmë ishte vendosur, që të pohonin akuzat e ngritura nga prokurori kundër tyre. Në BS qeveria pati iluzione se kjo metodë do ta “shfajësonte” sadopak ndaj kritikave në nivel ndërkombëtar! Për këtë arsye metoda Vishinskij u përhap edhe në vendet satelite të BS-së dhe me një homologji famëkeqe, pas Luftës së Dytë Botërore, u ngritën grupet e punës në Poloni, Çekosllovaki, Rumani e më vonë edhe në Shqipëri! Një studiues polak, duke iu referuar kësaj dhune famëkeqe, e pat përshkruar metodën Vishinkskij në Poloni në këtë mënyrë: “Unë të akuzoj në emër të Partisë! Ti, i akuzuar, edhe nëse nuk e idenë se për çfarë po të akuzojnë, duhet të thuash: po është e vërtetë që e kam bërë këtë krim dhe kërkoj nga Partia që të më dënojë me maksimumin e dënimit! Në rast se nuk e pranoni akuzën, ju po thoni se Partia ka gabuar duke ju akuzuar? Mos o Zot”!

Në Shqipëri kjo metodë ka qenë shumë e përhapur, sidomos ndaj krerëve të lartë të regjimit që në një moment të caktuar shpalleshin armiq! Bënte një efekt shumë tronditës në popullin e ideologjizuar tek dëgjonin politikanët më të pushtetshëm të pohonin me gojën e tyre se ishin agjentë dhe se kishin bërë plane për asgjësimin e udhëheqësit. Për diktatorin dhe regjimin kjo ishte një ndihmesë ideologjike në vijën e saj të “pagabueshme”, sepse armiqtë po pohonin vetë se ishin kundër partisë! Asnjë sukses nuk pati ajo metodë në torturat dhe hetimin ndaj përfaqësuesve dinjitozë të Kishës Katolike! Asnjë syresh nuk pranoi se kishte gabuar kundër regjimit, por pohuan se kanë vepruar përherë në përputhje me ndërgjegjen dhe moralin e tyre me frymëzim hyjnor!

Ndër dy partitë kryesore paskomuniste, PS dhe PD, besoj se PS-ja ka bërë përpjekje serioze dhe i është larguar thelbësisht kësaj metode në veprimtarinë e saj partiake dhe në luftën për pushtet brenda partisë. Janë të shumta rastet që dëshmojnë se në këtë parti ka pasur fraksione mendimi ndryshe dhe një lloj “disidence” politike brenda saj! PS-ja është pra një parti që ka bërë kapërcimin e madh ideologjik e kulturor dhe i është afruar që prej lindjes së saj një mendësie të re të jetës partiake, të denjë për një parti europiane!

Përkundrazi, PD-ja ka mbetur që prej themelimit të saj, ndonëse e lindur hipotetikisht si parti antikomuniste, mbartëse e mendësisë staliniste të regjimit enverist! Që në fillesat e saj PD-ja ishte shndërruar në njëlloj “rëre të lëvizshme” të rrezikshme, ku sa më shumë të flisje, aq më shumë rrezikoje të zhyteshe në periferinë e saj dhe të largoheshe si armik! Sjell në vëmendje zbulimin e “grupeve armiqësore”, siç ishte rasti i N. Cekës, që në vitin e parë të jetës së kësaj partie! Më vonë shkëputja e Partisë Aleanca Demokratike dhe Partisë Demokrate të drejtuar nga G. Pollo. Po çfarë kanë të përbashkët këto dinamika me metodën Vishinkij? Besoj se kanë të përbashkët thelbin ideologjik dhe mendësinë e drejtuesit historik të PD-së! Natyrisht nuk jemi në kohën kur kundërshtarët mund të dënohen me vdekje, por ka diçka të ngjashme me Vishinskij-n në këtë aspekt: kushdo nga të akuzuarit, të dënuarit, të larguarit dhe kritikët mund të kthehet në PD nëse pranon fajet e mëdha që ka bërë kundër udhëheqësit dhe me përulësi, gati rrëshqanas, kthehet te “partia mëmë”! Rastet janë aq të shumta, sa është e panevojshme të përmendim emra. Mjafton të pohojmë se figurat kryesore të partisë Aleanca Demokratike dhe Partisë Demokrate militojnë tashmë në mënyrë aktive pranë PD-së. Kjo mënyrë spastrimesh në PD, që është bartëse e denjë e mënyrës Vishinskij, është e përhapur kudo në degët e PD-së në rrethe. Ajo është që prej lindjes së saj një parti e asfiksuar, në të cilën debatet janë krejt të pamundura dhe kush flet kundër, qoftë larg, “doktorit”, ia ka prerë vetes e fisit të vet mundësinë e karrierës në PD për 50 vitet e ardhshme!

Mirëpo mendësia është një dinamikë kulturore lozonjare dhe shpeshherë del jashtë kontrollit. Në vend që metodën Vishinskij ta përdorin brenda PD-së, militantët e frymëzuar nga udhëheqësit kërkojnë ta nxjerrin edhe jashtë partisë, duke sulmuar egërsisht dhe me manipulime politikanë të PS-së. Rastet e sulmeve ndaj Kryeministrit Rama janë të panumërta dhe në thelbin e tyre fatkeqët e detyruar nga metoda Vishinskij e PD-së e dinë se sulmet janë të rreme e pa asnjë bazë dhe në mënyrë të pavetëdijshme mund të kenë ndonjë impuls shprese të rreme se i akuzuari mund të thotë: “Po jam fajtor”! E kundërta është e vërtetë! Përherë përballë këtyre akuzave të rreme politikanët e PS-së janë përgjigjur me pasion të fortë kundër mashtrimeve dhe në të shumtën e rasteve kanë përcjellë në gjykatë akuzat e rreme. Të njëjtin qëndrim të fortë ka mbajtur Kryebashkiaku Veliaj i cila ka qenë shënjestër e preferuar e simahorëve të Vishinskij-t të PD-së!
Po aq të forta ishin edhe qëndrimet e mbështetura në dinjitet e logjikë të fortë të Ministres Sipropali e të Ministrit Lleshaj. Në rastin e Ministrit Lleshaj, metoda Vishinksij ishte krejt e qartë, sepse ai akuzohej për një tender që ende nuk ishte zhvilluar! Kishim të bënim pra me një proces hetuesie të mendimeve, jo fakteve! (sic! metodë tipike staliniste!) Mendoj se qëndrimet parimore të përfaqësuesve të PS-së kundër mbetjeve ideologjike staliniste të PD-së, përveçse një mbrojtje legjitime e dinjitetit të tyre dhe të partisë ku militojnë, i bëjnë favor të madh PD-së duke e ndihmuar në shkëputjen prej së kaluarës staliniste që ende është këmbëkryq në atë parti. L. Basha, pa u futur në rolin e Hrushovit që sulmoi kultin e individit të Stalinit, nuk ka asgjë në terezi për ta bërë PD-në një parti të denjë të opozitës!

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • edi: 09/08/2019 15:23

    Z.NIKOLLA .Ky shkrim shume ineligjent e me nje finese krejtesisht te bazuar ne veprimet e asaj P.D-je Fallso dhe barbare ,gje qe jo nuk ndryshoje asgje ne Popullin Shqipetar ,por keto Filo-Komuniste ,sollen nje percarje Popullore dhe ndeshkime barbare me zi se ne kohen e satrapit Enver .POR SIDOQOFTE UROJ QE KETE SHKRIM KAQ TE PERPIKTE DHE I NEVOJSHEM PER ATO NJEREZ ,QE SKANE LIDHJE ME News ,duhet ta lexojne dhe te kuptojne realitetin qe mberthey kete vend te begate ,ne nje vend satrapesh dhe inatcore ,kur vdo gje qe sot Adresojne ,Eshte bere dhe kryer nga keto bastarde te felliqur ,qe thirrnin per Slogan Democracy Berisha .Meta .Lulushi dhe Mona-liza ,Jane protogonistet kryesore te inxheksioneve dhe helmeve te koduar ,me emrin Demokraci

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?