Milani arrin një fitore me aromë Championsi. Kuqezinjtë mposhtën 2-1 Genoan në “San Siro” në ndeshjen që ishte për tu rekuperuar nga java e parë. Djemtë e Gattuso-s morën shumë shpejt avantazhin me golin e Suso. Spanjolli shënoi një gol shumë të bukur me gjuajtje nga larg ndërsa në fraskionin e dytë protagonist për keq dhe mirë bëhet kapiteni Alessio Romagnoli.
Në minutën e 56-të mbrojtësi është i pafat kur devijon në portën e tij një gjuajtje të Kouame ndërsa në frymën e fundit në minutën e 92-të shënon golin që i dha Milanit fitoren 2-1 ndaj Genoas dhe e ngjiti në zonën Champions me 18 pikë.
Gattusso thotë se arritja e zonës Champions është e rëndësishme por tashmë sipas tij Milani duhet të qëndrojë aty.
Në Spanjë Real dhe Barcelona fitojnë në Kupën e Mbretit. Pas humbjes në El Clasico dhe shkarkimit të trajnerit Lopetegui Real Madrid rikthehet tek fitorja në fazën e 1/16 të Kupës së Mbretit kundër Melilla skuadër e kategorisë së tretë.
Ndeshja Melilla-Real Madrid u mbyll 0-4 për skuadrën e drejtuar nga Santiago Solari. Golat u shënuan nga Benzema, Asensio, Odriozola dhe Cristo Gonzales.
Ndërsa Barcelona ka vuajtur në shtëpinë e Cultural Leonesa dhe ka fituar 1-0 vetëm në kohën shtesë falë golit të mbrojtësi Lenglet. Ndeshjet e kthimit luhen më 5 dhjetor.