Sport

Milani s'e llogarit as Atalantën, Napoli nuk gabon asgjë dhe kryeson, paqe në Liverpool-City e humb Bayerni

4 Tetor 2021, 09:12| Përditesimi: 4 Tetor 2021, 10:18

  • Share

Milani mposht 3-2 Atalantën në Bergamo dhe mban vendin e dytë në renditjen e Serisë A me 19 pikë. Kuqezinjtë shënuan që në 30 sekondat e para me Calabria dhe më pas dyfishojnë me Tonalin e madje shënojnë edhe golin e tretë me Leaon. Atalanta zgjohet shumë vonë dhe shënon dy herë me Zapatën e Pasalic por vetëm kaq. Milani tregon se është i frikshëm dhe kandidat për titullin kampion.

Napoli vijon të mos gabojë asgjë. Napoletanët mposhtën edhe Fiorentinën në transfertë 2-1 dhe me 7 fitore në po kaq ndeshje kryesojnë të vetëm kampionatin italian me 21 pikë. Lozano dhe Amir Rrahmani shënuan golat për Napolin që tregohet perfekt.

Tek fitorja u rikthye Roma. Verdhekuqtë mundën 2-0 në “Olimpico” Empolin falë golave të Pellegrinit dhe Mkhitaryan dhe mbajnë vendin e katërt me 15 pikë.

Superndeshja e javës në Premier League mes Liverpool dhe Manchester City-t u mbyll në barazim 2-2 dhe skuadrat ndanë nga një pikë duke mbajtur respektivisht vendet dy dhe tre në renditje. Mane e Salah kaluan dy herë në avantazh Liverpoolin por City barazoi në të dyja rastet me Foden e De Bruyne.

Ndërkaq Bayern Mynih pësoi humbjen e parë në kampionat. Bavarezët u përmbysën në shtëpi nga Frankfurti që fitoi 2-1 duke siguruar fitoren e parë në kampionat. Bayerni gjithsesi mbetet ende në kryesim./ Përgatiti Andi Kapxhiu

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?