Milano/ Goditet grupi italo-shqiptar i kokainës, 14 të arrestuar! Rekrutonin shqiptarë si ‘korrierë sezonalë’, u siguronin banesë, makinë dhe ushqim! Pas 3 muajsh... (VIDEO)

2 Dhjetor, 15:31| Përditesimi: 2 Dhjetor, 15:39

  • Share

Itali- Policia italiane njoftoi sot se ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit që kishte nisur prej muajit shkurt të këtij viti kundër trafikut dhe shitjes së drogës, kryesisht kokainë.

Janë bërë 14 arrestime në aksionin antidrogë sot (2 Dhjetor), të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Milanos. 

Hetimi çoi në burg 6 italianë dhe 8 shqiptarë, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. 

Hetimet identifikuan dy banda të ndryshme që lëviznin midis lagjeve San Siro dhe Bonola dhe midis Baranzate dhe Bollate, në pjesën veriore të Milanos, shkruan “Corriere”.

Por hetuesit kanë zbardhur edhe skemën dhe strategjinë e organizatës, e cila rekrutonte kryesisht shqiptarë, taktikë e njohur kjo edhe në aksione të mëparshme.

Banda u garantonte ushqim dhe akomodim për 90 ditë “kuajve” (punëtorëve sezonalë të drogës, koha e qëndrimit legal në zonën e BE për shqiptarët), që furnizonin sheshin me drogë, për të anashkaluar rregullat e emigracionit. Më pas shitësit u rikthyen në Shqipëri dhe u zëvendësuan nga tregtarë të tjerë droge (dyshohet e njëjta taktikë rekrutimi). 

Hetimet e komisariatit të Bonolës janë vazhdimi i hetimit të operacionit “Rikualifikimi i Selinunte”, i kryer në muajin shkurt të këtij viti dhe ku u dokumentua aktiviteti ilegal në rrugë. Gjithashtu ka identifikuar kanalet e furnizimit të hashashit, marihuanës dhe kokainës. 

Janë 21 të dyshuar në total dhe gjatë hetimeve janë bërë 10 arrestime në flagrancë dhe janë sekuestruar 700 gramë kokainë dhe 4 kilogramë hashash.

Tregtarët e drogës që furnizonin rrugët dhe kujdeseshin për dërgesat në shtëpi, thuajse gjithmonë shqiptarë, u pajisën me një “paketë të plotë” që përfshinte një shtëpi, makinë apo skuter, telefonat dhe një lloj praktike me stërvitje për të mësuar teknikat e shpërndarjes së drogës dhe për të hyrë në "portofoli i klientëve" të organizatës.

Policia italiane ndau edhe pamjet e operacionit, por edhe detaje se si u gjurmua organizata, si bëhej shpërndarja, e dokumentuar me foto dhe pamje filmike. Gjithashtu edhe vendet ku fshiheshin sasitë e lëndës narkotike, bazat e fshehjes dhe taktikat se ku futeshin dozat e kokainës, kryesisht në bidonë uji të modifikuar apo paketa cigaresh me shtresë dyfishe. 

Më pas, pas 90 ditësh, “korrierët sezonalë” u kthyen në Shqipëri me fluturime direkte, për të mos kërkuar leje qëndrimi në Itali, por duke shfrytëzuar vetëm vizën tremujore si turistë të thjeshtë. Pasi kthehej grupi i parë, drejt vendit fqinj udhëtonte një tjetër grup të rinjsh për 3 muajt e radhës.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?