Mimoza Arapi, një talent i pikturës shqiptare 'në arrati'

2 Korrik 2019, 08:08| Përditesimi: 2 Korrik 2019, 08:14

  • Share

-Unë nuk e di ku është ajo tani..., sepse kurrë nuk e gjen në të njëjtin shtet të botës. Në fakt nuk e di në këtë ditë, në këtë orë që po shkruaj, sepse ajo të do të na surprizojë përherë e më tepër.

Ajo mund të jetë në Washington, në Romë, në Athinë, në Londër apo në Brindizi. Nëse e pyet, ajo ta rrëfen ngjarjen e radhës me fjalë shumë të pakta; aq sa duket sikur fshihet e largohet prej vëmendjes së të tjerëve, por as nuk shqetësohet kurrë për këtë.

Flet pak, sepse e çmon fjalën. E përpara se ta thotë, e ka pasur më të lehtë për ta shënuar më hijshëm me një shenjë, shenjë që ngelet në telajo.

“Fjala është shenja e parë që ne kemi një fillim, por me pikturën unë po ndjek zërin tim që vjen thellë brenda meje”, shprehet ajo për gazetën “Shqiptarja.com”

E ajo është Mimoza Arapi, që mban mbi supe më shumë se 30 vjet karrierë artistike. Por nuk jeton në Shqipëri. Por, ka studiuar në vendin e saj, ashtu siç dinte të studionte ajo, me thellësi e dashuri për artet, për poezinë, për letërsinë, duke u diplomuar me rezultate të shkëlqyera.

Ajo ka jetuar duke punuar për një kohë shumë të gjatë në Athinë të  Greqisë, por vitet e fundit ka krijuar lidhje të forta me Londrën, me Edinburgun në Skoci dhe ka shkuar të çel ekspozita deri në verilindje të Anglisë, e ftuar siç i ndodh gjithnjë nga kuratorë me prestigj në botën e artit. Atje është një vizitore e shpeshtë. Me ekspozita, sigurisht. Por, ajo nuk bën bujë për asnjërën prej tyre, nuk i shqetëson gazetarët për t’u thënë “Shiko ç’farë kam bërë unë!”.

Artisten shqiptare e ftojnë të ekspozojë në Londër, të ekspozojë në Athinë, për joshjen që kanë nga arti i saj. Ajo pikturon pa e menduar asnjëherë mbërritjen për diku dhe pa e ngritur zërin për t’iu thënë “më merrni dhe mua në këtë ekspozitë”. Jo sepse është e përulur, përkundrazi, por i është bërë zakon, ngaqë i përulet telajos, vazhdimisht, deri në përkushtim, duke iu dhënë e tëra, pa asnjë hezitim.

Vepra të krijuara kësisoj bëhen aq të vërteta, sa nuk do t’i shpëtojnë dot famës, pavarësisht modestisë së autores. Për piktoren shqiptare Mimoza Arapi,  e gjithë bota është si një shtëpi e ngrohtë mikpritëse, e duan.

Natyrisht, e diplomuar për pikturë dhe letërsi në vendin e saj, ku ka mbaruar për artet e bukura në Universitetin e Tiranës, por edhe për Letërsi dhe Qytetërimin Grek, ajo do të komunikojë përmes gjuhëve të huaja që i flet rrjedhshëm si anglishtja, greqishtja dhe italishtja. Kjo ia bën bashkëpunimet më të lehta, edhe me muzetë e galeritë ndërkombëtare, por jo pikërisht më të lehtë mundësinë për çeljen e një ekspozite. Sepse, kur vjen fjala për ekspozita, aty flet vepra.

Ngjyrat e Mimoza Arapit, veprat, fragmentet e tyre, idetë e saj janë bërë para më shumë se 5 vjetësh pjesë e industrisë së veshjes VIDA. Iu bë ftesa për bashkëpunim nga kompania, menjëherë pas çeljes së një ekspozite në Londër. Janë metafora të ngjyrave, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të paqes engjëllore që i zbulohet prej shpirtit të saj të bardhë, të spikatura për ekspresionin e tyre, të ndërthura me një gjuhë abstrakte, e që kjo kompani veshjesh dhe aksesorësh i preferon dhe i adapton aq perfekt në stilimet e tyre. Mimoza Arapi i propozon veprat e saj të artit në një tjetër dimension alternativ dhe kështu ata zgjedhin të mbajnë mbi veshjet e tyre vepra arti nga dora e një vajze shqiptare. Kjo do të ishte një nga pikat e larta të arritjeve të piktores shqiptare, që e vetme e pa asnjë mbështetje, në mënyrë absolutisht origjinale krijon e përsos stilin e saj.

Është një nga sukseset e radhës, se ato të ekspozitave nuk numërohen. “Më pëlqen të pikturoj në të gjitha zhanret, por pasioni im është punët e artit abstrakt ku mund ta lë imagjinatën time të lirë.”, shprehet piktorja.

Veprat e Mimoza Arapit janë ekspozuar në një numër të madh të galerive në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Itali, Shqipëri, Greqi. Ajo ka marrë pjesë në Festivalin Fringe të Edinburgut 2015, në Palais des Festivals në Kanë, në korrik 2018, dhe gjatë harkut kohor 9-11 nëntor dhe janar 2019, Mimoza Arapi ka ekspozuara në Londër, në Mbretërinë e Bashkuar, etj. Të tjera ekspozita ka pasur edhe në bienalet mesdhetare si në “Biennale Dello Ionio” në Taranto, Italy, në Galerinë Kombëtare të Tiranës e më gjerë.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?