Mendoni një çift të ri që dëshiron të hapë një biznes në Shqipëri: supozojmë një bar, ose një furrë buke, ose një punishte ëmbëlsirash, ose një rrobaqepësi, një parrukeri. Planifikon të punësojë dy deri tre të tjerë (të rinj ose jo) si mbështetës dhe ndihmë të biznesit të tyre. Sigurisht, në respektim të rregullave, duhet t’i punësojnë sipas ligjeve të shtetit shqiptar: Jo në të zezë! Duhet të punojë me lëndë të parë të deklaruar dhe jo kontrabandë. E nisin punën me optimizëm. Planifikojnë të paguajnë të gjitha taksat dhe shpenzimet që lidhen me detyrimet shtetërore, ndërsa vështirësi të paparashikuara ndodhin në rrugë e sipër: Pandemia, apo lufta rrisin çmimet, krijojnë pamundësi në lëndët e para, ose thjeshtë ajo që ata prodhojnë, nuk është produkt i domosdoshëm për konsumatorët. Ndodh. Çifti i të rinjve nis të stresohet, të dekurajohet sepse vështirësia për të punuar në respektim të ligjeve sa vjen dhe rritet dhe stresi më i madh nuk vjen nga aftësia apo paaftësia e duarve apo e mendjes së tyre. Mjafton të hedhin sytë përreth, te “konkurrentët”, te fqinji që ka lokalin, furrin e bukës, butique, apo çdo aktivitet tjetër që ua ndryshon mobilimin përvit sipas modës dhe tendencave më të fundit, gjithnjë e më të bukur, gjithnjë e më luks, ndërsa mban një “ushtri” të punësuarish në të zezë pa më të voglin shqetësim. “Pse budalla jam unë të paguaj taksa apo t’i punësoj këto “kafshët” që nuk dinë të mbajnë një gotë ujë”, shprehet krenar dhe sfidues. Askush nuk e bezdis “fqinjin” biznesmen që pasuron dhe përmirëson pamjen e biznesit të tij jo nga të ardhurat, por nga burime që askush nuk do t’ja dijë sa nga i vijnë dhe që askush nuk ja kontrollon. E sidomos, “konkurrenti” i çiftit tonë, nuk stresohet aspak se ka dhjetëra “skllevër” në të zezë për t’ja lehtësuar të përditshmen.
Përhapeni këtë filozofi në çdo biznes, kudo në Shqipëri, në ndërtim, në media, në prodhim, dhe mendoni se sa inkurajuese është për të rinjtë ose jo, për të zhvilluar një idenë e tyre krijuese, nëse nuk kanë mburoja korruptive, “të fortësh” apo burime financiare “të nëndheshme”.
Minimi i konkurrencës së barabartë në të shumtën e bizneseve që lindin dhe rriten në Shqipëri është një plagë që pak thuhet, pak përmendet, por është një nga gërryesit, dëmtuesit më të mëdhenj, që kompromenton që në lindje një dëshirë për të bërë punë e për t’u zhvilluar në respekt të rregullave. Nuk është vetëm Drejtësia penale e korruptive ajo që prish ëndrrat e të rinjve, por edhe ajo ekonomike: një thikë kërcënuese qëndron mbi kokën e secilit që mendon se është në treg një konkurrent i barabartë, mes të barabartësh.