Ministri Hasani, vizitë zyrtare në Republikën e Koresë: Mundësi e mirë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

22 Korrik, 12:39| Përditesimi: 22 Korrik, 12:42

  • Share

Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Koresë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është pritur në një takim nga Ministri për Punët e Jashtme, Cho Tae-yul.

Ministri Hasani dhe homologu Tae-yul shprehën angazhimin e përbashkët për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në tregti.

Kryediplomati shqiptar theksoi mbështetjen e Shqipërisë për Strategjinë Indo-Paqësore, që sipas tij, synon të forcojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale, duke rritur rolin e Koresë së Jugut si një partner dhe udhëheqës i besueshëm.

Ministri Hasani zhvilloi gjithashtu një vizitë në kompaninë ‘Yura Corporation’, furnizuesin global në industrinë e automobilave, që ushtron aktivitetin edhe në Shqipëri prej 6 vjetësh.

'Në takimin me drejtorin ekzekutiv, Dae Yeol Ohm, MEPJ Igli Hasani nënvizoi se dega e Yura-s në Shqipëri është një provë e mjedisit tonë miqësor ndaj biznesit për investimet e huaja direkte, teksa e konsideroi Shqipërinë si një qendër për prodhimin e pjesëve të ndryshme dhe bazuar në teknologjitë miqësore me mjedisin", njoftoi ministria e Jashtme.

Vizita e MEPJ Igli Hasani në Republikën e Koresë vjen në kuadër të 33-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

 

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ikën Rrumbullaku dhe 12 drejtorët e policive në qarqe, si e vlerësoni?