Ministri Klosi: Hotelierët shqiptarë janë luanë, ndërtuan çdo gjë me thonj, shumë pak të mbështetur nga shteti (INTERVISTA E PLOTË)

15 Prill 2020, 19:29| Përditesimi: 15 Prill 2020, 20:12

  • Share

A do të ketë sezon turistik këtë verë?
-Kjo është një pyetje shumë e vështirë sepse në të gjithë këtë historinë e koronavirusit dhe të debatit për sa i përket krizës që ka ndodhur në Shqipëri dhe në të gjithë botën, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Në qoftë se dihet përfundimi, të gjithë të tjerat pastaj riskedulohen dhe marrim vendime. Por ajo që është shqetësuese është që vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet dhe i gjithë debati që po bëhet sot në industrinë e turizmit është se a do të jetë sezoni i përfshirë në aktivitet. Besoj dhe shpresoj shumë që, duke parë situatën aktuale në të cilën ne ndodhemi, duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të koronavirusit, do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar deri në maksimum, por një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar pasi vetë situata është e tillë. Ne kemi një turizëm i cili menaxhohet nga struktura hoteliere të vogla, të menaxhueshme nga pothuajse vetë familjarët, investime nga pronarë që marrin vendime të drejtpërdrejta. Nuk kemi struktura super të mëdha, që duhet të marrin vendime nga qendra. Kjo besoj se do të jetë shumë e favorshme në kuadër të menaxhimit të sezonit turistik në Shqipëri, pasi po të shikosh vendet e rajonit, ato kanë struktura të stërmëdha që pothuajse kanë marrë vendimin që do të jenë të mbyllura për të gjithë sezonin. Po ashtu, ne kemi një turizëm të bazuar shumë në turistë që vijnë në rrugë tokësore në Shqipëri, që udhëtojnë dhe nuk janë të lidhur shumë me fluturimet. Në qoftë se do të vendosim rregulla të qarta të higjienës, të distancimit dhe të menaxhimit ashtu siç duhet të të gjithë situatës së komunikimit, besoj se do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Pra, vijnë shumë turistë nga Kosova, nga Mali i Zi, turistë që udhëtojnë në rrugë tokësore, të cilët nuk janë të varur drejtpërdrejt nga kompanitë e fluturimeve, por janë të bazuar në komunikimin e afërt me vendin tonë. Megjithatë, edhe pjesa e fluturimeve, në qoftë se situata fillon të përmirësohet, do të ketë mundësi që të kufizohet aq sa mundemi në raportin me higjienën, besoj që do të bëjmë edhe fluturime. Parashikimet janë për fundin e muajit maj dhe në qershor të kemi fluturimet e para, natyrisht shumë më tepër të kontrolluara, të cilat mund të hapin edhe lehtësi pastaj për udhëtimet charter, që në fakt mbajnë edhe bazën e madhe të fluturimeve. Në qoftë se situata do të jetë siç jemi sot, atëherë do të kemi sezon të shkurtuar.

Pra, nëse situata shkon mirë, mund të kemi hapje të kufijve në muajin qershor?
-Hapja e kufijve nuk mund të jetë vetëm për kufijtë shqiptarë. Hapja e kufijve është rajonale, evropiane, është botërore. Por, ajo që po diskutohet gjerësisht në të gjithë botën e turizmit, është që të hapen kufijtë por shumë të strukturuar, të kontrolluar dhe fluturime ku më tepër rëndësi se pasaporta me emër e mbiemër do të ketë pasaporta shëndetësore dhe vaksinat apo mjekimet që janë kryer, pasi pa dalë vaksina do të jetë e vështirë që të kthehemi në normalitet. Kjo tashmë thuhet ng çdo njeri që flet për çdo lloj ekonomie, jo vetëm për turizmin.

A po studiohen tashmë masat specifike për distanca mes çadrave në plazhe? Si do të bëhet?
-Ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, që në fakt është në diskutim nga grupet e ekspertëve, duke u bazuar në fakt në praktikat që kanë vendet e tjera. Italia tashmë i ka nxjerrë materialet e para, sepse Italia i ka më specifike, sipas rajoneve. Sidomos për rajonet e jugut të saj i ka nxjerrë masat e reja për plazhet, ku kërkohen distanca të reja midis çadrave. Ka edhe propozime për një turizëm pak më elitar, që të ketë ndarje me peçiklaz ndërmjet çadrave. Pra, gjëra që ishin të pamendueshme në sezonin fantastik të 2019-s, 2020-a do t’i ketë. Siç e thashë, ne kemi bërë një material të përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë, i cili natyrisht do të jetë pjesë e diskutimit deri në momentin kur ne do të mendojmë që do të fillojë hapja. Pastaj, nëse nuk do të ketë hapje, ky material nuk ka pse të miratohet fare, por si të thuash një ide sesi mund të jetë sezoni i ri i plazhit po përpunohet nga ekspertët.

 A mund të na zbuloni ndonjë detaj nga ky material?
-Duhet të kemi të qartë që, për sa i përket hotelerisë dhe lokaleve masive, do të jenë të fundit që do të hapen. Pra, pasi të jenë hapur të gjitha të tjerat, ndoshta do t’i vijë radha edhe lokaleve dhe bareve që të hapen.

A mund të ketë turizëm veror pa bare, pa lokale dhe pa hotele?
-Besoj se këtë vit pothuajse do të jetë e pamundur që të organizohen festa masive, koncerte masive, mbrëmje të mëdha. Por do të shikojmë në kushtet e reja dhe duhet ta kuptojmë të gjithë që kjo punë nuk ka të bëjë me një biznes, por ka të bëjë me jetën e njerëzve dhe jeta e njerëzve do të vazhdojë të prevalojë. Megjithatë duhet të them që Shqipëria është më shumë atraktive sot në krahasim me vendet e tjera për disa arsye dhe duhet të jemi realistë. Së pari, ne mund të përfitojmë nga turizmi i brendshëm. Turizmi i brendshëm te ne përfaqëson turizmin e të gjithë shqiptarëve të mbarë shqiptarisë, që është një numër i konsiderueshëm për sa i përket kapaciteteve tona dhe që mban një peshë shumë të madhe, që e mbajnë në jetë sektorin. Kemi shumë përfitim nga fakti që ne kemi struktura të vogla, të miradministrueshme, pra që nuk kanë nevojë për marrjen e vendimeve nga bordet e mëdha shumë larg terrenit. Pra janë vetë hotelierët shqiptarë që marrin vendime, të cilat përputhen me kushtet që realizohen. Kemi një jetë hoteliere të re, që nuk është e bazuar shumë në rezervimet disavjeçare dhe kjo do t’i bëjë hotelet shqiptare që të punojnë edhe në kushtet e rezervimit ditor, ndërkohë që një hotel në Greqi apo në Kroaci apo në Turqi apo në Itali, e ka shumë më mirë vendimmarrjen që të mos hapet fare këtë vit, pasi në qoftë se nuk e ka të rezervuar hotelin që në fund të dimrit apo në fillim të pranverës, nuk e hap fare në verë. I bie më mirë që ta mbajë të mbyllur. Gjë shumë e rëndësishme dhe që ne e kemi thënë gjithmonë është që vlera e parasë, e harxhuar për turizëm në Shqipëri, që ende është në nivele të pranueshme, nuk është në nivele stratosferike që ka pasur rajoni, ku pa ato çmime ata nuk e bëjnë dot më atë punë. Me ato çmime nuk ka më turizëm, kështu që ne mund të jemi përfituesit e mëdhenj në rajon. Kjo është një panoramë pozitive nga ana e ministrit të Turizmit, që dëshiron shumë më shumë sesa vetë hotelierët që sezoni turistik të funksionojë.

A keni ju një plan konkret sesi do të bëhet turizëm nëse nuk funksionojnë baret dhe restorantet?
-Plani është ai që prezantohet nga grupi i ekspertëve. Në këtë moment mos më kërkoni mua që të jem personi që i komunikoj këto plane, pasi siç e thashë, është e vështirë që kjo të realizohet nga ministri i Turizmit që kërkon që ekonomia të lëvrojë sa më shumë. Janë ekspertët që vendosin, janë mjekët, është grupi i atyre që menaxhojnë të dhënat mbi situatën, që marrin vendimet. Ajo që për mua ka shumë rëndësi është që paketa e re, e prezantuar nga kryeministri Rama, është një paketë e cila e çliroi shumë ankthin e hotelierëve shqiptarë, paçka se ata, natyrisht, janë nën presionin e madh të sezonit që do të vijë, përsëri detajet e prezantuara nga kryeministri dhe shumëmë tepër nga ministri Ahmetaj, dhe puna e madhe që është bërë gjatë gjithë kësaj kohe për të parë detajet dhe duke vlerësuar sektorin si sektor prioritar. Është sektori i parë që mori vërtet një paketë mbështetjeje. Ne mund të themi që tashmë hotelierët shqiptarë ndihen të lehtësuar në kuadrin e shtyrjes së të gjithë diskutimeve për taksat e tatimet për vitin 2021, pra pa ia vënë lakun e tatimeve në vitin 2020. Atë çfarë ministri Ahmetaj e ka bërë të qartë, pra prioritetin e sektorin në kuadër të të gjithë formulës ekonomike, së bashku me ministrat e tjerë të kabinetit, që kemi prezantuar prej kryeministrit paketën për vendimmarrje. Pra sektori ynë do të marrë një mbështetje për një gamë shumë të madhe, duke filluar nga biznesi i vogël që është pjesë e sektorit të turizmit dhe ka marrë mbështetje, si restorantet, baret, të mbyllura nga koronavirusi. Po ashtu, pjesa e dytë që mori mbështetje me pagesën prej 40 mijë lekësh deri në fund të muajit maj. Dhe ajo që është më e rëndësishme për të gjithë sektorin e turizmit, është mosndierja e krizës së likuiditeteve, pra marrja e kredive të mbështetura nga qeveria dhe nga bankat e nivelit të dytë, të cilat do ta ndihmojnë shumë sektorin. Pra janë tri masa, të cilat mund ta mbajnë sektorin tonë, për të pritur pranverën dhe verën për të funksionuar dhe natyrisht për të parë pastaj edhe për fitimet e munguara këtë vit krahasuar me 2019-n dhe për të përgatitur vitin 2021 të suksesshëm, në kuadër të mbijetesës në 2020-ën. Pra, duhet të jemi të sinqertë me komunitetin dhe të mos premtojmë që do të jemi në të njëjtat kushte si në 2019-ën, por në qoftë se do të kemi një goditje që do të shkojë në 20%-30% në sektor, ne duhet të jemi shumë optimistë.

A parashikohet të ketë një ndërhyrje tjetër në sektorin e turizmit, që është shumë i rëndësishëm për sa i përket të ardhurave që sjell në ekonominë tonë?
-Pa dyshim që janë të shqetësuar, por janë shumë të kënaqur me paketën e re. Besoj se nuk e thonë dot në ekran sepse pa dyshim që në ekran gjithsecili nga biznesmenët dëshiron të ankohet, por besoj që brenda tyre ata janë të gjithë të kënaqur. Kërkesat e tyre janë dëgjuar me kujdes, janë lexuar një për një, asgjë nuk është bërë në errësirë, çdo gjë është bërë në diskutim me komunitetin, me përfaqësuesit e shoqatave të tyre. unë kam një komunikim të vazhdueshëm me hotelierët, kemi grupe Whatsapp-i, e pakta mbi 1 300 hotelierë shqiptarë, që shkruajnë komentet e tyre. Unë i lexoj të gjitha me vëmendje. Natyrisht që një pjesë e tyre janë të revoltuar dhe kërkojnë zgjidhje, por unë besoj që paketa e re i ka dhënë një frymëmarrje sektorit dhe duke parë sesi do të shkojë, atë që thashë në fillim. Pikëpyetja më e madhe është se kur do të mbarojë. Por besoj se do të shkojë me pozitivitet.

Përveç koronavirusit turizmi u godit edhe nga tërmeti i nëntorit 2019? A keni një shifër për sa i përket dëmeve të shkaktuara si pasojë e këtyre dy goditjeve?
-Ishin dy kriza të njëpasnjëshme. Së pari tërmeti, i cili e tronditi shumë sektorin e turizmit sepse ndodhi në zemër të tij, në qytetin e Durrësit; së dyti, kriza e koronavirusit. Pra, janë dy kriza që e dëmtuan shumë sektorin e turizmit, sidomos atë të detit në Shqipëri. Në qoftë se krizën e parë e kaluam me sukses, dhe besoj se e gjithë ajo punë e madhe që u bë për menaxhimin e postërmetit dhe një mbështetje e madhe evropiane që u dha, do tëishte një start shumë i mirë për turizmin në vitin 2020. Por ndodhi edhe kriza e dytë, që natyrisht duhet parë edhe kjo me shumë detaje, por duhet luftuar fort dhe besoj që komuniteti na mbështet në këtë pikë, që duhet të luftojmë fort. Për t’u dorëzuar është shumë e lehtë, të ngremë flamurin e bardhë është shumë e lehtë, por në këtë punë hotelierët shqiptarë kanë treguar që janë të gjithë luanë të luftës për mbijetesë sepse kanë ndërthuar çdo gjë me thonj, shumë pak të mbështetur nga shteti. Unë jam ministër dhe nuk më takon ta them këtë, por po e them qartë që kanë qenë shumë pak të mbështetur në këto vite, megjithëse politika janë bërë dhe mbështetje ka pasur; 6%-shi i hotelierëve është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Pati një zhvillim shumë të madh sektori pas vendosjes 6% të taksës për hotelierët shqiptarë, nga 20% që ishte. Kjo bëri që tashmë hotelierët të marrin frymë shumë të lehtësuar. Kemi një bum të jashtëzakonshëm investimesh nga hotelierët privatë shqiptarë dhe të huaj dhe ishte një moment shumë i mirë i sektorit. Fatkeqësisht ndodhi edhe kriza e koronavirusit, e cila e goditi sektorin. Por unë them që, duke parë disa karakteristika të veçanta të Shqipërisë, dhe sidomos atë që ne kemi një turizëm të shtrirë në 12 muaj, pra që Shqipëria mund të vizitohet në çdo muaj të vitit. Këtë vit ne hoqëm vizat me Kinën dhe prisnim që këtë vit të vinin rreth 200 mijë shtetas që kishin prenotuar si turistë. Në qoftë se situata do të lehtësohet rreth muajve shtator-tetor mund t’i kemi sërish këta turistë, të cilët duan të vizitojnë zona që s’kanë shumë lidhje me detin. Pra, në kuadër të botës së turizmit, Shqipëria i ka të gjithë treguesit që mund të mbijetojë.

Duhet përgatitur një draft nga ekspertët e shëndetësisë edhe për hapjen e bareve e lokaleve sepse edhe kjo kërkon kohën e vet.
-Ka një problem shumë të madh nëse vazhdojmë të mendojmë se jeta do të jetë njëlloj, pra postkriza do të jetë njëlloj si para krizës. E gjithë bota do të ndryshojë dhe do të duhet që të përshtatemi të gjithë me këtë situatë të re, por jeta do të vazhdojë, kjo është e sigurt.

Një lajm pozitiv në këtë situatë është pastrimi i ajrit. A është në vizionin tuaj puna e ekspertëve për të pasur një lloj strategjie edhe në vijim, për të pasur sa më pak ndotje të ajrit?
-Në fakt, debati për mjedisin është një debat historik tashmë. Edhe kjo situata e dramës që po përjetojnë njerëzit, po e kthen shumë vëmendjen nga mjedisi. Edhe situata që ndodhin, krizat e njëpasnjëshme në botë, kanë shumë arsye, por arsyet kryesore vazhdojnë të jenë ngrohja globale dhe prishja e ekuilibrave natyrorë. Kjo pandemi që erdhi, mbase erdhi për mirë për sa i përket rikthimit të vëmendjes te natyra, megjithëse industritë janë shumë agresive dhe sapo të mbarojë kjo pandemi, do të bëhen përsëri agresive. Por ne do të përpiqemi që në kuadër edhe të të gjitha politikave evropiane, do të jemi pjesë e diskutimeve me të gjithë partnerët evropianë, me të cilët ne komunikojmë. Do të përpiqemi që të vendosim rregulla më të forta për mjedisin, për mbrojtjen e natyrës. Por është një betejë e vështirë. Ekspertët po punojnë për të parë se çfarë po bën bota dhe Evropa sidomos në këtë kuadër, për t’u përshtatur edhe në në kuadër të një politike kombëtare shqiptare për mbrojtjen e natyrës dhe të mbrojtjes së hapësirave ku bëhet turizëm në Shqipëri, pasi Shqipëria nëse ka një sukses, mund ta ketë te turizmi natyror.

Kur do ta keni një përllogaritjeve të humbjeve?
-Besoj që po punohet dhe siç e thashë, janë shumë faktorë që shënojnë humbje, por tani kryesorja që u menaxhua me sukses ka qenë shpëtimi i jetës së njerëzve dhe do të duhet të ekzistojmë që pastaj të mirëjetojmë. Kështu që ekzistenca prevaloi në këto momente dhe besoj që ia dolëm mbanë.

Të gjithë ata që merren me hoteleri duan të dinë se çfarë masash do të merren, me qëllim që të përgatiten.
-Është punuar nga ekspertët sesi duhet të jenë standardet, shërbimet në stacionet e plazhit, brezi i shërbimit në stacionet e plazhit, distancat që duhet të respektohen në ambientet e shërbimit, ndalimi i veprimeve argëtuese në masë të madhe, dispozita që kanë të bëjnë edhe me mënyrën sesi do të vendosen çadrat dhe shezlonet. Pra, janë të gjitha në diskutim, janë në draft. Ne do të marrim edhe mendimin e komunitetit. Unë funksionoj duke dëgjuar komunitetin kështu që të gjithë ata do të jenë pjesë e këtij diskutimi dhe bashkë të marrim vendimin. Por vendimi varet shumë nga momenti kur do të vendoset hapja.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Hasani: 19/04/2020 04:31

    Hajdeni ne durres se ndertesat i keni gjysem te shembura edhe nje termet tjeter duan ,,dhe shkojne per lesh 30.000 persona,,qeveria e edi rames duhet te mbylle sezonin e plazhit per kete vere,,eshte shume e rrezikshme,,,ne plazh nuk kemi asnje rindertim apo riparim te objekteve te prishura nga termeti i 26 nentorit...

    Përgjigju
  • ymeri: 17/04/2020 17:30

    ME NJERI TE PAAFTE SE KU KLOSI NUK KAM PARE,,,POR EDHE s'ka faj se nuk eshte ne fushe te vet,,,ky ka mbaruar per elektronike dhe drejton ministrine e turizmit,,,,,nuk mund te kete zhvillim te turizmit pa plane urbanistike ne zonat bregdetare ,pa hotele serioze me 5 yje,,,pa sigurimin e ujit,dritave,rrugeve,, dhe kanalizimeve te ujrave te bardha e te zeza ne bregdet,,, deboratore per ujrat e zeza,,,,nuk mund te kemi fluks te madh turistesh,,,,pasi te kemi bere keto atehere do kemi zhvillim te turizmit,,,,shkoni ne greqi dhe merrni shembull,,,ata kane arritur te presin 26-30 milion turiste ne vit…//

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?