PËRMET- Apeli i bërë në Report Tv, nga kreu i shoqatës e të ish-të përndjekurve politikë, Nebil Çika se 5 trupat e gjetura në një varr në Përmet janë viktima të komunizmit, nuk ka rënë në vesh të shurdhët. Ndonëse 2 javë me vonesë, Ministria e Kulturës ka bërë me dije se nga rezultatet paraprake të kryera deri më tani dyshohet se bëhet fjalë për një varr mesjetar, dhe jo viktima të pushkatuara nga komunizmi. Ka qenë vetë ministrja e Kulturës, Elva Margariti ajo që ka bërë të ditur lajmin, teksa ka njoftuar se pritet që të bëhet kryerja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë, për varrezën e identifikuar.
"Një varrezë mesjetare zbulohet në Përmet!Gjatë monitorimit të punimeve për zbatimin e projektit Task 5, "Për zhvillimin e integruar urban dhe turistik Berat- Përmet", dolën në dritë disa varre. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër ndërmori menjëherë pezullimin e punimeve, dhe në datën 07.07.2021 specialistët tanë realizuan inspektimin dhe vlerësimin e gjetjeve arkeologjike në terren. Nga rezultatet paraprake mendohet se kemi të bëjmë me një varrezë të periudhës mesjetare. Në mbledhjen e djeshme të Këshilit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale u diskutua dhe u përcaktua kryerja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë, për varrezën e identifikuar. Rezultatet e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar", ka njoftuar Margariti.
Dyshimet se kishim të dënim me viktima të vrarë nga komunizmi u hodhën nga kreu i shoqatës e të ish-të përndjekurve politikë, Nebil Çika. Në një intervistë për Report Tv, Çika tha se vendi ku u gjetën këto eshtra ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit dhe ka qenë hapësirë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, mirëpo nga sa njoftoi Margariti ky varr është më i hershëm.