Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Minxhozi: Basha-Berisha drejt gjykatave, fundi i ëndrrës së Foltores?!

20 Dhjetor 2021, 14:06| Përditesimi: 20 Dhjetor 2021, 14:10

  • Share

Të dyja palët i mbajtën kongreset e tyre. I thanë ç’kishin për të thënë u gjuajtën me baltë, fyen njëri-tjetrin, u akuzuan me fjalët më të rënda. Sfiduesit, përkrahësit e Sali Berishës, i hodhën në fushën e lojës të gjitha bateritë e municioneve që kishin nëper xhepa. Luli ndërroi bravat dhe u mbyll në zyrën e tij në pritje që tërmeti të kalonte. Në fund të dyja palët nxorrën produktin e votuar në kongreset respektive dhe e çuan në dyert e gjykatës. Këtu duket se muzika ndryshon kryekëput.

Formalisht kemi tashmë dy panele që ndahen në gjithçka, por që bashkohen në një pikë: kanë rënë dakord që sherrin ta zgjidhin me procedurë. Jo me revolucion, siç thotë Doktori, as me shpërfillje dhe ndërrim bravash siç vepron Lulzim Basha. Do të jetë gjykata që do të ndajë shapin nga sheqeri, sepse do të jetë ajo që do të regjistrojë njërin variant. Me shume gjase atë të Bashës pasi s’ka arsye te mos e beje këtë gjë.

Gjyqtari që ishte caktuar për këtë detyrë të vështirë u tërhoq. Mediat thanë se ishte një përkrahës i vjetër i Berishës, me një deklaratë pasurie impresionuese dhe në pritje të kalimit të procesit të Vettingut. Të gjitha këto janë shenja që të bëjnë të mendosh se PD zyrtare, ajo e Lulzim Bashës, ka më shumë gjasa të marrë një përgjigje pozitive ne këtë përballje me Berishën në gjykatë.

Deri këtu do të kemi një dualizëm që tani e duan të dyja palët, secila për interesin e vet. Basha kërkon të ruajë stemën dhe selinë, duke shpërfillur faktin se i kanë ikur një tabor i madh zyrtarësh të nivelit të mesëm dhe të ulët, por edhe shumë mijëra vota demokratësh të thjeshtë, që vërshuan në Stadium në 11 dhjetor e më pas në referendumin “artizanal” të një jave më pas. Lulzim Basha po kërkon të blejë kohë, me shpresën se cunami i Berishës do të vijë duke u fashitur dhe se vendimet e gjykatave do ta shtyjnë fraksionin e Foltores që të vihet para dilemës së vështirë të ndërtimit të një shtëpie të re politike. Duke shënuar kështu largimin formal të Sali Berishës nga partia që drejtoi që nga viti i largët 1991.

Tek dyert e gjykatës i ka sytë edhe vetë Berisha. Aq e vërtetë është kjo, saqë ai dhe përkrahësit e tij erdhën në oborrin e PD të shtunën në mbrëmje, i hipën edhe makinave dhe hodhën parulla kundër Bashës, por refuzuan të hyjnë brenda. Duket qartë se Berisha frenoi në dyert e selisë pasi e di mirë që një mësymje tjetër si ajo e disa ditëve më parë, mund ta dëmtojë kauzën juridike që ka ngritur. Teksa mediat prisnin të gjitha brenda godinës, ai i mbajti frenat “gozhdë” në dyert e selisë, duke dhënë mesazhin se dëshiron të presë. Çfarë tjetër, përveçse një vendimi të gjykatës për statutet?!

Futja e krizës së brendshme të PD në hullinë procedurale, është në parim oguri më i mirë për Lulzim Bashën dhe të vetët. Sepse ata e dinë që çdo peshim i ftohtë i proceseve paralele mes tij dhe Foltores në një tryezë gjykate, ka më shumë gjasa ta nxjerrë atë fitues, sesa palën tjetër. Gjithçka mund të ndodhë, por nëse kjo tezë konfirmohet dhe nëse Luli merr në dorë një copë vendimi gjykate ku thuhet se ka ai të drejtë, e jo Sali Berisha, atëherë mësymja e pezmatuar e atyre që duan ta nxjerrin me shkelma nga selia shkon drejt fashitjes dhe zhdukjes.

Nëse ky variant do të fitojë atëherë Sali Berisha duhet t’i thotë praktikisht ‘lamtumirë’ ëndrrës për të marrë kreun e Partisë Demokratike. Ndonëse ky është një shtet i dobët, i korruptuar dhe i nëpërkëmbur plot herë në këto 30 vite, në fund fare, kur tallazet e sherret ja lenë vendin paqes formale dhe jetës së përditshme, ato që fitojnë janë vulat dhe shkresat me kokë. Ky parim universal i shoqërive që pushtetin, pronën e përgjithësisht marrëdhëniet shoqërore i ndërtojnë e i ndajnë me gjykata e ligje, e jo me revolucione, vlen edhe tek ne.

Në qoftë kështu, PD do të përballet me realitetin e hidhur të ndarjes në dy parti, njëra me seli dhe vulë por me elektorat të pakësuar ndjeshëm, tjetra me përkrahje të gjerë tek populli opozitar, por pa grada e spaleta. Ndoshta Berishës nuk i vjen keq edhe nga një fund i tillë i përplasjes me ish-nxënësin. Fundja ai do një strehë politike ku të jetë i parë dhe ku të mbështetet në luftën e gjatë që ka nisur me Amerikën, më shumë sesa një parti ku e kanë ngrirë dhe ku i tundin nga mëngjesi në darkë vendimin amerikan për ta shpallur non grata.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?