Me ngritje dore nga salla e Pallatit të Kongreseve, 1425 delegatë miratuan datën 22 maj për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.
Të vetmin status që Rithemelimi i njihte Enkeleid Alibeajt, atë të kreut të grupit parlamentar të PD-së, vendosën t’ia heqin duke e shkarkuar nga kjo detyrë. Kreun e ri të grupit do e zgjedhë Këshilli Kombëtar.
Kuvendi i Berishës miratoi ndryshime staturore, duke i dhënë detyrën Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të ketë drejtimin ekzekutiv të PD-së deri në zgjedhjen e kryesisë së re. Më tej, mandati i tij do të mbarojë.
Delegatët e Berishës dhanë votën pro për të ndryshuar statutin sa i përket Këshillit Kombëtar që përbehet nga kryetari i partisë dhe 150 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i partisë. Por përtej këtij numri, Berisha përfshin si anëtarë shtesë në Këshill, pa iu nënshtruar procesit të votimit, deputetët e PD-së, kryetarët e degëve, kryetarët e bashkive, ndërsa statuti i vjetër përfshinte vetëm ish-presidentët, ish-kryeministrat, ish-kryetarët e Kuvendit dhe ish-kryetarët e Partisë Demokratike. Po ashtu, me ndryshimet nga Kuvendi i Berishës, anëtarë të këshillit Kombëtar, bëhen edhe një numër i barabartë me 10 % të anëtarëve të zgjedhur, të cilët vijnë si propozime nga diaspora dhe emigracioni. Lista emërore e tyre miratohet me vendim të Kryesisë së PDSH. Janë automatikisht në Këshill, anëtarët e kryesisë dhe ministrat në detyrë të PD-së.
Kuvendi preku statutin në përbërjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë, duke saktësuar anëtarësinë e Lidhjes së Gruas dhe FRPD-së me nga 10% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.
Kryetarëve të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të Partisë, Berisha i jep më shumë fuqi duke i bërë anëtarë edhe të Kryesisë së partisë, që drejtohet nga kryetari.
Me ndryshimet e statutit, Kuvendi i Berishës i shton anëtarët kryesisë së degëve, nga 23 në 27. Anëtarë të kryesisë së Degës me të drejta të plota, përvec kryetarëve të Lidhjes Demokratike të Gruas, FRPD-së, deputetëve, kryetarëve të bashkive, i shtohen automatikisht edhe anëtarët e Këshillit Kobmëtar me banim në degën përkatëse.
Me votën pro, delegatët shtuan në statut një pikë për të ndërtuar me financat e partisë, një aparat qendror administrativ “i cili funksionon sipas një rregulloreje të brendshme për emërimet dhe shkarkimet e personelit.
(Kliko këtu për propozimet e statutit të PD)
Lajmi kryesor:
'Rithemelimi' mbledh Kuvendin! Berisha rrëzohet teksa merr fjalën! Braktiset nga shumica e deputetëve të PD! Ndryshime statutore, më 22 maj zgjidhet kryetari i ri i partisë! Shkarkohet Alibeaj
K.T.//ReportTv.al