Opinion

Mjaullimat e një opozite pa ‘kokë’

16 Shtator 2021, 14:11| Përditesimi: 16 Shtator 2021, 14:13

  • Share

Partia Demokratike kishte ditë që përgatitej për të hedhur sado pak baltë, nga balta e saj, mbi programin qeverisës të mandatit të tretë, të lexuar nga Edi Rama në Parlament. Prej një jave, Lulzim Basha, pothuajse çdo ditë mbledh grupin parlamentar (si askush tjetër) dhe u jep porosi deputetëve të tij “ta godasin fort qeverisjen e Ramës”. Madje ai paracaktoi edhe emrat e atyre që do të flisnin në seancën e radhës, dhe të tjerëve u tha “sus”. Si me komandë tashmë, Luli u thotë deputetëve “fol ti, ulu ti, qepe ti, largohu ti”, aq sa thonë në atë parti se “ishim mirë me Berishën, ky qenka beterr fare”.

Por duke mos u mjaftuar me kaq, Lulzimi u ka paracaktuar atyre me anë të zarfit, edhe fjalimin e parapërgatitur, duke mos u lënë hapësirë për të shprehur mendimin dhe gjykimin e tyre mbi programin qeverisës, apo dhe duke mos patur shteg fare për ndonjë pyetje teknike. Shkurt, Lulzimi ka shtuar masat represive dhe brutalitetin mbi deputetët e tij, duke shkarkuar mbi ata, “energjitë negative” të cilat nuk mundet ti shkarkojë tek rivali i tij i deklaruar tashmë Berisha. Veprimet me komandë të deputetëve të Partisë Demokratike (sipas Lulit) do ti rrisin asaj efektivitetin në Parlament, dhe kush del nga rreshti, natyrisht, ndëshkohet dhe përjashtohet. Opozita e sotme e përfaqësuar edhe këtë 4 vjeçar nga Partia Demokratike, duket si “njeriu pa kokë” dhe deputetët e saj, ngjasin si qenie të telekomanduara, pa liri fjale, mendimi dhe veprimi. Situata përmes së cilës po kalon ajo parti, sidomos pas shpalljes “non-grata” të ish-kryetarit, dhe më keq akoma veprimi instiktiv i grisjes së fletëve të votimit ditën e zgjedhjes së kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, japin një tablo të qartë të zymtësisë dhe apatisë së atyre, që nuk dihet pse u votuan në 25 Prill nga demokratët. Opozita e sotme, e vjetra dhe e reja, ta quajmë si të duam, ka mbetur pa “kokë”, dhe veç mjaullimave mes njëri-tjetrit, fjala dhe zëri i tyre nuk vlen më.

Ato janë kompetencë e një kryetari të vetëzgjedhur nga vota e cunguar e bazës, e një njeriu që së fundi, ka nisur të duket “lider” dhe të mburret se “unë e largova Berishën, tani e kam mirë tani me amerikanët”. Ai kërkon bindje dhe hegjemoni të plotë mbi çdo deputet, madje më tepër se kurrë ndaj atyre që edhe pse 8 vjet në opozitë shtuan pasurinë dhe rritën luksin e jetës, me piano 100 mijë euroshe në vilat e ndërtuara. Duke kufizuar rolin dhe rëndësinë e çdo deputeti që ka brenda grupimit parlamentar, (veç atyre që mbështetin Berishën) si dhe duke mbyllur çdo hapësirë për të komunikuar me pjesën tjetër të sallës (aleatët e pabesë të asaj partie) Lulzim Basha kërkon hermetizmin e opozitës. Ai ka në plan të nisë një përkufizimin të ri, në ato që i quan “aksione opozitare”, pasi pas vendimin personal ndaj Berishës, ai ndjehet “më amerikan se kurrë”.

Mesazhi i ambasadës së SHBA-së vetëm pak orë nga vendimi i tij për përjashtimin e Sali Berishës, kishte një efekt ekzaltues mbi Lulin. Ai prej asaj dite nuk është më “kontestuesi dhe refuzuesi i këshillave amerikane”, por një “bashkëudhëtar i bindur i tyre”. Dhe këtë, Luli nuk e bën nga bindja, ideali apo formimi i tij “perëndimor”, por nga frika dhe “diçka” tjetër që lidhet me të shkuarën e marrëdhënieve mes tij dhe ish-kryeministrit. Opozita e Lulit dhe opozita e Saliut, do të jenë tashmë do të jenë në garë të përhershme mes tyre, jo vetëm në sallën e Parlamentit, por edhe brenda partisë, deri në zgjidhjen e ngërçit, nga ku pritet tërheqje, dorëheqje, apo një marrëveshje e hapur mes tyre.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?