A ka Shqipëria djem e vajza të mrekullueshme?Pa dyshim, që po! A ka Shqipëria talente të rinj e të reja? Pa dyshim, që po! A ka Shqipëria të rinj e të reja, që e dua vendin me shumë se pushtetin? Pa dyshim, që po! Po këta të rinj e të reja a janë në politikë? Pa dyshim, që jo!
Ka pasur dhe ka një diskutim të heshtur për modelin e të rinjve që ka Shqipëria dhe për modelin që duhet të jetë! Sot, disa të rinj- të angazhuar në politikë- folën në emrin e të rinjve që janë jashtë saj! Por, njëri prej tyre foli me oportunitet politik dhe tjetri foli për shkak të faktit se politika është kthyerit në trashëgimi, të dy ndoshta folën për mundësinë e servilizmit ndaj pushtetit dhe për dashurinë e madhe për pushtetin!
Dikur është diskutuar se të rinjtë kanë rrëzuar gardhet e politikës duke u bërë pjesë e saj! Unë, atëherë dhe sot e kam thënë dhe e them, se atyre u është hapur një derë e vogël për të hyrë brenda duke u përshtatur me mjedisin ekzistues, duke ju nënshtruar atij deri në servilizëm! Asnjë i ri deri më sot, nuk ka pasur as forcën e as vullnetin për të sjellë e bërë gjëra e reja në politikë!
Ndër vite dhe në pamje të parë është bërë plot demagogji me të rinjt në politikë, por në fakt sot në krahasim me fillimin e viteve '90, në politikë kemi bërë shumë hapa mbrapa, sepse politika është bërë më trashëgimi nga babai tek i biri ose nga nëna tek e bija!
Në këtë drejtim, padyshim, ka përgjegjësitë e tij edhe Basha, sepse kemi plotë raste të tilla në PD që janë bërë deputet e pjesë të forumeve të larta drejtuese, falë vetëm gjakut dhe pa asnjë stimë apo meritë të veçantë personale!
Hapja e garës që tashmë Basha po bën në Forumin Rinor dhe po ashtu në Forumin e Gruas, , janë një sinjal i qartë i një reflektimi personal, por edhe një mundësi reale për meritokraci. Prandaj, nuk arrij t'i kuptoj ato anëtar të Forumit Rinor, ose ata të rinj, që nuk e presin hapur e me entuziazëm lajmin e garës të shpallur nga Basha, por bëjnë hapa mbrapa duke humbur identitetin e tyre me kohën, duke u kthyer në mburoja të gardhit të vjetër që nuk i hapi kurrë portat për ta, sepse ato ishin të zëna me akt trashëgimie!
Modeli i këtyre të rinjve, që me bindjen e plotë se nuk përfaqësojnë shumicën, nuk është as në lartësinë e atyre të rinjve që në fillim të viteve '90, nuk donin pushtet, trashëgimi, ofiqe, por vetëm një Shqipëri si Europa, ku flamuri i SHBA-ve lartësohej, njësi me atë kombëtar! Rinia e vërtetë shqiptare është ajo që qëndron me skepticizëm jashtë politikë, ose është lënë jashtë saj, sepse ajo është bërë "tokë e zanun" me akt trashëgimie! Hapja e garës në PD është një mundësi që të rinjtë e të rejat edhe jashtë PD aktuale të garojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj force politike duke dhënë shpresa reale për një të ardhme të merituar!