Modeli politik i Giorgia Melonit; një shtysë për opozitën shqiptare

21 Mars 2023, 19:51| Përditesimi: 21 Mars 2023, 19:53

  • Share

Mbrojtësit e zellshëm në opinion të Sali Berishës dhe Ilir Metës, përdorin si “argument” në qasjen e tyre, një këndvështrim po sipas tyre, se Berisha është shumicë në opozitë, e Alibeaj dhe njerëzit që e mbështesin ata i shërbejnë Edi Ramës.

Variacioni mbi temën se kush i shërbën Ramës që sot është në mandatin e tretë, e ku mundësia për të prodhuar një opozitë të re e konkurruese ka një terren superfertil, është natyrisht i gjerë e mund të diskutohet gjatë e gjerë se kush i leverdis më mirë Ramës e mazhorancës për ta përdorur si gogol ndaj votuesve të pakënaqur të së majtës dhe elektoratit gri.

Por fraza: “ i shërbejnë Ramës” është natyrisht një mesazh i koduar, pasi e kanë me amerikanët dhe europianët, që kanë si interekutor opozitën zyrtare dhe jo Sali Berishën.

Sikur gjërat të mos ishin kështu siç janë, pra që Sali Berisha të mos ishte Non Grata nga SHBA e Britania e Madhe, e i izoluar politikisht nga e gjithë Europa Perëndimore, argumentet e kësaj pjese do të ishin të ndryshme.

Madje deri në 2021-shin i gjithë ky korpus mediatik kanë mbështetur fort idenë se Sali Berisha është larguar plotësisht, e nuk ka përse të bëhet luftë e të llogaritet si faktor. Kur në fakt, doktori jo vetëm që nuk u largua asnjë ditë, por ka qenë faktor determinant në ekuilibrat dhe dhomën e butonave në Partinë Demokratike që nga dita kur dha dorëheqjen vetëm formalisht në vitin 2013.

Megjithatë, jemi aty ku jemi, ku Berisha përveçse i sanksionuar nga Perëndimi, ka edhe hesape të hapura në Prokurorinë Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit, bashkë me familjarët e tij, siç i ka edhe aleati i tij kryesor Ilir Meta.

Megjithë këtë bllokadë politike; si Berisha, ashtu edhe Meta, këmbëngulin të marrin në dorë opozitën shqiptare, duke krijuar kështu një realitet që në fund të fundit është konkret, e ka gjasa të vijojë kështu edhe për një kohë të gjatë.

Synimi i tyre është i qartë; të jenë faktorë politikë në këtë opozitë, për të qenë nesër kur të krijohen kushtet për një rënie të socialistëve nga pushteti, si një levë e fortë e grupimit që do të vijë apo do të kushtëzojë pushtetin e së djathtës.

Një situatë që jo kaq flagrante por në përmasa krejt të tjera ka një ngjashmëri me të djathtën laramane italiane. E cila deri para disa vitesh kishte një mbret të padiskutueshëm: Silvio Berlusconin. I cili që nga viti 1994, e deri në vitin 2011 ishte njeriu që drejtonte gjithçka në grupimin politik të së djathtës si në qeveri ashtu edhe në opozitë. E nga ky pozicion, Berlusconi bënte aleanca dhe lidhte marrëdhënie me pjesë e grupe interesi të shoqërisë e industrisë italiane.

Por me dënimin e tij zyrtar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit për evazion fiskal, si dhe degradimit të imazhit brenda e jashtë vendit, Silvio Berlusconi u rrëzua nga froni por nuk u tërhoq nga politika. Madje drejton partinë edhe sot që është 84 vjeç, i lodhur e i drobitur, kur e kanë braktisur të gjithë njerëzit e afërt që ai i ngriti në postet më të larta politike.

Një nga këto ishte pikërisht Giorgia Meloni, kryeministrja aktuale e Italisë, e cila edhe pse vendi i saj dhe qeveria e saj ka probleme e bëjnnë gafa përditë, vijon e rritet në sondazhe.

Meloni, ishte Ministre për Rininë në qeverinë Berlusconi, nga viti 2008 deri në vitin 2011. Giorgia nuk vjen nga partia e Berlusconit: Forza Italia, por është një militante dhe politikane aktive e partisë së djathtë Aleanza Nazionale, e cila atëherë drejtohej nga Gianfranco Fini.

I cili, partinë postfashiste MSI e reformoi, duke bërë një kthesë 360 gradë, ku u distancua qartë e troç prej periudhës, ideologjisë dhe modelit fashist.

Në vitin 2009, Silvio Berlusconi, krijoi një parti të madhe unike të së djathtës ku bashkoi partinë e tij Forza Italia dhe Aleanza Nazionale të Finit. I cili do të ishte numri dy i partisë së re që u quajt Popolo della Liberta(Populli i Lirisë). Nuk kaloi shumë dhe Berlusconi e zboi Finin pas një përplasje të fortë në forumin kryesor të partisë. Meloni dhe disa drejtues të tjerë që kishin qenë bashkëpunëtor të Finit, e tradhtuan dhe zgjodhën të rrijnë me Berlusconin. Me dënimin e Il Cavaliere-s, i cili kishte edhe procese të tjera mbi shpinë që nga bashkëpunimi me mafian, deri te prostitucioni me minorenë, PDL u shkri.

Meloni dhe ish-shokët e saj të vjetër postfashistë krijuan “Fratelli d”Italia(Vëllezërit e Italisë), frazë që është edhe thuajse kryefjalë në himnin kombëtar Italian. Pra u rikthyen në rrënjët e vjetra të një partie të djathtë nacional-konservatore.

Nga 2012 e deri në zgjedhjet e një viti më parë, pra 10 vjet, partia e Giorgia Melonit mori nga 3.7-4.3% në zgjedhje. Ylli në të djathtën italiane në atë kohë që Matteo Salvini, një ish-komunist revolucionar që u bë një djathtist populist, antieuropian. i cili siç dolën faktet nga media italiane por edhe nga shërbimet skrete amerikane dhe të NATO-s ishte financuar vazhdimisht nga Vladimir Putini. 

Edhe pse Salvini arriti të vijë në qeveri në një koalicion të panatyrshëm me populistët e majtë të Lëvizjes 5 Yje të Beppe Grillos, në vitin 2018, ai u largua nga pushteti, pas një manovre të forcave europiane për ta larguar. E ishte pikërisht kjo periudhë kur nisi dhe ngritja e Melonit, e cila padyshim që nuk u rrit vetë, por arriti që të bindë dy grupe të mëdha interesi: borgjezinë e mesme dhe indistrialistët italianë se është ajo njeriu që mund ta mbështesnin, duke qenë që në fillim një properëndimore dhe filoatlantiste e bindur. 

E natyrisht nuk kishte asnjë ekuivok apo dyshime që kishte lidhje me Kremlinin. E kështu, të fuqishmit realë në vend, ata që krijojnë opinion dhe mbështesin lobime, fokusuan gjithçka me Melonin për ta dizenjuar atë si lideren e një partie të djathtë por proeuropiane dhe proamerikane e bindur.

Madje, edhe pse Fratelli d’Italia ishte një parti e Romës apo e jugut, lobi industrial i organizoi një konventë të nivelit të lartë në kryeqytetin ekonomik Italian-Milano, ku natyrisht Giorgia Meloni tregoi talent politik dhe në komunikimin publik.

Dhe rezultati: mori 30% të votave në zgjedhjet e vitit të shkuar. Duke lënë në bisht si Lega-n e Salvinit dhe Forza Italian e Berlusconit. Të cilin nuk e pyeti fare kur bëri qeverinë, madje u përpas ashpër me të, kur Silvio donte të merrte ministrinë e Drejtësisë për t’ja dhënë ish-fizioterapistes së tij që tani është deputete. i mërzitur e i mllefosur me “besëprerën” siç e quan Berlusconi Melonin, i prish punë herë pas here. Duke bërë deklarata pro Putinit e kundër Zelenskit, siç ishte dita kur Giorgia vizitoi Kievin.

Meloni, edhe pse pakicë në opozitën italiane, u rrit pasi u tregua faktori më determinant dhe coherent në zhvillimet politike e gjeopolitike. Berlusconi, thjesht ngulmon kot, pasi ai nuk vjen më në krye, por në fund të fundit, të gjitha shpenzimet ai i bën me paratë e tij, pasi është një nga njerëzit më të pasur në vend.

E thuajse në të njëjtin format është sot opozita shqiptare. Berisha nuk ka asnjë mundësi për të qenë një faktor relevant, ai thjesht me ndenjen e tij toksikon mjedisin politik dhe nuk e lë të freskohet. Ndërkaq, daljet e fundit të fakteve mbi lidhjet ruse të partisë së Metës, e kanë bllokuar gjithashtu avancimin e tij, në një parti tashmë të rrënuar. 

Nëse ka një mundësi për avancim, ka natyrisht grupimi i Alibeaj sepse është edhe aleat i ngushtë i SHBA dhe BE. Koret antiamerikane mund të jenë të egra sa të duan, por fakt është se në një aleancë politike ushtarake siç është NATO, natyrisht që edhe zhvillimet marrin spunto nga aktorët dhe faktorët e fuqive të mëdha të Perëndimit.

Kur kjo ndodh me Italianë, një vend i madh dhe një nga 7 më të industrializuarat e botës, jo më për Ballkanin e posaçërisht Shqipërinë.

Modelet, zhvillimet, precedentët ndoshta nuk janë mot a mot të përputhshme me zhvillimet tek ne, por janë një orientim për të kuptuar, reflektuar se si ecin gjërat në politikë. Në një dialektikë normale dhe të logjikshme. Por tek ne, kur është fjala për një dialektikë normale e logjikshme, as që bëhet fjalë sidomos aty ku diskutohet politika, ku shahet me libër shpie e argumenti ka ikur me vrap…

 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?