Pak orë pas monitorimit ajror për parcelat me drogë policia agjësoi mijëra bimë kanabisi në Krujë dhe në Lezhë. “Report Tv” ka siguruar foton e zonës së monitoruar me avion në orët e para të ditës së sotme. E gjithë hapësira e bregdetit nga Laguna e Patokut deri në Velipojë, në një shtrirje të gjerë përqark zonave kodrinore të Lezhës, Shkodrës, Thumanës, Fushë Kuqes, Laçit, Milotit e më gjerë, është krehur nga ajri. Të dhënat e mbledhura i janë përcjellë më pas policisë për veprim në terren dhe vetëm pak orë më vonë, në Krujë dhe në Lezhë policia asgjësoi mijëra bimë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, pas pikasjes së parcelave që ishin kultivuar me kanabis në Fushë Thumanë, efektivët e policisë u drejtuan përmes operacionit “Territor i Pastër” dhe gjetën e arrestuan Vesel Xhaferrin dhe shpallën në kërkim djalin e tij. Parcela me kanabis sativa u gjet pranë banesave, ndërsa 140 bimët narkotike u dogjën, përveç disa mostrave që u mbajtën si provë materiale. Nga i njëjti kontroll me avion u zbuluan dhe më pas u asgjesuan nga forcat e policisë së Lezhës 2583 rrënjë kanabis sativa në fshatrat Skuraj, Fushë Kuqe dhe Gërnac të Kurbinit, një pjesë e të cilave në Kolsh të Lezhës.
Të njëjtat kontrolle të kryera me avion dhe me dronët e Policisë së Shtetut janë kryer edhe më herët në territore të tjera me objektiv zonat me risk të lartë në kultivimin e bimëve narkotike. Si rezultat i këtyre kontrolleve u gjetën 1030 bimë në Pult dhe Vjerdhë të qarkut të Shkodrës, të cilat u asgjësuan me djegie. Kjo periudhë e vitit tradicionaliasht është përdorur nga policia me ndihmën edhe të misionit italian të Guardia di Finanza, për të monitoruar nga toka dhe ajri zonat me kanabis sativa me qëllim luftimin e këtij fenomeni. Qarqet Durrës, Shkodër dhe Lezhë, bazuar në të dhënat e raportuara së fundmi nga Policia e Shtetit kanë pasur tentativën më të lartë të kultivimit të bimëve narkotike.