Morali i politikës dhe morali i pushtetit

1 Tetor 2020, 21:51| Përditesimi: 1 Tetor 2020, 21:54

  • Share

Morali i politikës dhe morali i pushtetit, natyrisht janë një lidhje e ngushtë mes tyre, edhe pse shpesh (sidomos tek ne) ndodh e kundërta. Për të kuptuar pse morali në politikë, nuk është koncept i shprehjes “për të fituar”, por një “vlerë njerësore” e cila shërben në ngritjen e vetëdijes popullore, duhet të njohësh më nga afër politikanët. Ndryshe nga vendet e tjera në Europë, në vendet e Ballkanit, morali në politikë, është pothuajse i pavlefshëm ndaj interesit të përgjithshëm të shoqërisë, pasi shihet qartë se merret më shumë me çështjet  e marrjes  së pushteti, dhe mbajtjes së rij. Kjo padyshim është farsë, e cila ka shërbyer gjithmonë për të “ujdisur”,e përmbushur nevojat  personale të politikanit, dhe fare pak nevojat e përgjithshme të shoqërisë. Por gjithsesi, në politikë dhe në pushtet, morali mbetet nevojë thelbësore. Edhe pse morali, politika dhe pushteti, mbeten të kundërta mes tyre, ato janë të detyruara të bashkëjetojnë gjatë dhe ndoshta pambarimisht.

Ish-ambasadorja e SHBA  zonja Mariza Lino, e cila jetoi në Tiranë kur politika jonë ishte e trazuar dhe kishte mosmarrëveshje esenciale,do të shprehej se “tek ju është normale gjithçka që duket anormale tek ne, ndaj duhet bërë dallimi mes moralit të politikës dhe moralit të pushtetit”. Dhe fakti është se, pikërisht atje ku kjo bashkekzistencë bëhej realitet pozitiv, rritet cilësia e jetës së qytetarëve, kurse qeverisja bëhet e suksesshme. Në botën demokratike dhe veçanarisht politikën europiane, bashkëjetesa mes moralit të politikës dhe moralit të pushtetit, është shpesh diçka e pamundur.Në vetvete morali është “tërësia e parimeve, rregullave dhe vlerave që orientojnë veprimin e njeriut apo grupeve shoqërore”.

Quhesh i moralshëm kur individi (politikani apo pushtetari) kryen një  veprim që është ligjor, i pagjykueshëm, i pranueshëm nga populli, dhe i shërben interesit  të përgjithshëm.Kjo padyshim,e bën moralin të vlefshëm, dhe politikanin apo pushtetarin të moralshëm.Vlera e moralit, qëndron tek ndërtimi i marrëdhënieve, respekti dhe besimi i ndërsjelltë.Çdo politikan duhet të krijojë dhe formëzojë personalitetin e tij, dhe kjo vlen dhe vlerësohet më shumë, kur ai i drejtohet popullit, duke afruar mbështetjen e tij dhe duke kërkuar mbështetjen e tyre. Por si ka ndodhur në Shqipërinë e pas 1990, dhe si janë shpërdoruar dhe shpërblyer morali , pushteti dhe vota e popullit. Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet me votën e shumicës së shqiptarëve në Mars 1992, ishte rasti më i mirë, për ti treguar shqiptarëve dhe botës demokratike, se pas rrëzimit të diktaturës, pas akuzave që u bënë ndaj ish-byroistëve për “zhvatje të pasurive dhe rrënimin e popullit”, më në fund erdhi një klasë e re politike. Shumë shpejt shqiptarët do të zhgënjeheshin, dhe do ti kthenin politikës dhe pushtetit të “demokratëve” reston, duke u ngritur masivisht për paratë e vjedhura, por edhe votat e vjedhura në 26 Maj 1996. Pas tyre erdhi 1997, viti më i kobshëm, nga ku morali i politikës dhe i pushtetit, ishin binomi më i diskredituar, që do të rëndonte shumë imazhin e tyre edhe në zgjedhjet e reja në Qershorin e po atij viti. Ishte koha kur politika dhe pushteti, po zhvishnin njëra-tjetrën nga para vetëdijes popullore, pasi ishin bërë aleatë në rrugën e gjatë të  krimit dhe korrupsionit. Koha kërkonte përmbysjen e madhe, pasi partitë dhe politikanët, kishin humbur sensin dhe arsyen, dhe kishin  kthyer në imoralitet  gjithçka. Hapin e parë drejt ndryshimit e bëri Nano, i cili pasi humbi zgjedhjet u largua përfundimisht edhe nga politika. Në krye të Partisë Socialiste erdhi Edi Rama, një emër i njohur, që do të spikaste si ministër  dhe pastaj  si drejtues bashkie në Tiranë për  afro 3 mandate rresht. Rama premtoi  ndryshime në kongresin e socialistëve,dhe  kishte vendosur ti  jepte  një moral të ri politikës dhe pushtetit.

Ardhja e tij në pushtet në 2013, ishte pikënisja e një “stine” të re në marrëdhëniet mes politikës dhe pushtetit. Edi Rama, është sot lideri me aftësi të mira menaxhuese për të gjitha veprimtaritë publike, sepse është personi që posedon veç autoritetit dhe besueshmërisë në masën më të madhe të shqiptarëve, edhe përgjegjësi morale për ato që thotë dhe bën. Në politikën e sotme në Shqipëri, ai është promotor i ambicieve dhe  përkushtimit  intelektual, për ti finalizuar  proceset dhe reformat drejt një suksesi konkret. Edi Rama (ndryshe nga Berisha, Basha dhe Meta) e ndan veçmas moralin e politikanit dhe moralin e pushtetarit,  pasi edhe pse janë përgjegjësi të njëjta, sërish ato ndahen kur bëhet fjalë për liderin me principe të mëdha, që ngjall shpresën dhe besimin tek masa e gjerë popullore.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?