Lulzim, nuk duhet ta marrësh me sportivitet gjithë zallamahinë që ngrite brënda Partisë Demokratike. Ti i humbe për herën e pestë zgjedhjet dhe betejat me Edi Ramën Edhe 15 herë të tjera do ti humbësh ato Partisë Socialiste. Zgjedhjet, fushata, negociatat, dorëheqja, largimi, afrimi, dhe çdo akt tjetër qytetar edhe brënda një partie, vlerësohen më shumë se një fitore.
“Mos e ha turpin me bukë” kësaj here Lulzim, por tregohu pak hollandez. Nuk do të gjesh qetësi për 4 vjet rresht, në rast se ti hiqesh si “i qetë”, sikur nuk ka ndodhur gjë, sikur “të vodhën bandat e qeverisë fitoren”. Askush nuk do të besojë më profkat dhe inskenimet e tua. Ti do të futesh në Parlament, dhe nga atje sërish duke patur Sali Berishën ngjitur, do të nisësh avazin e vjetër, dhe kjo dihet.
Grupimi kundër teje, ata që kanë qenë kontributorët e asaj partie vite e vite para teje, të kërkojnë të tregohesh thjesht “hollandez”. Të largohesh, për ti hapur edhe pse me vonesë, rrugën drejt riorganizimit dhe reformimit asaj partie të plakur dhe të rrënuar. Do më e pakta 10 vite, të mbarojë procesi ribashkimit, faktorizimit dhe ringritjes së Partisë Demokratike.Kjo për faktin sepse dyshja Lulzim-Sali and compani, e kanë shkundur atë nga të gjitha.
Për 30 vjet, Partia Demokratike u kthye në burim fitimi për familjen Berisha, pastaj edhe për familjen Basha, duke e kthyer në pazar mes klanesh çdo aksion politik, çdo “sulm ndaj oligarkëve”, deri tek listat e kandidatëve.Fitimet kanë qenë dhe llogariten në miliona euro, ndërkohë që fakirët e bazës në rrethe, ata që i kanë mbetur akoma asaj partie, shpresonin se “Luli do të na japë fitoren”. Thuhet se Lulzimi është shkolluar jashtë, në Hollandë, paçka se studimet e larta i ka mbaruar me kohëgjatësi të çuditshme.
Por të paktën, diçka nga Hollanda duhet të kishe marrë Lulzim. Diçka europiane, që nuk ka lidhje me politikën në Shqipëri. Dorëheqja, do të ishte veprimi i parë që do të bënte një kryetar partie kur të humbiste zgjedhjet në Hollandë, apo jo Lulzim. Asgjë tragjike, asnjë përjetim emocional nuk duhet të ndodhë me politikanin e moderuar kur humbet betejën elektorale. Ata që e përjetojnë “keq” atë moment, i përkasin sistemeve diktatoriale, ku kryetari mbetet kryetar përjetësisht.
Bëhu hollandez Lulzim, dëgjoje zërin e “tufës” që kësaj here nuk ka shanse të tërhiqet dhe të largohet nga partia me metoda tradicionale. Ata do të mbeten atje, duke mos u tërhequr nga kërkesa e tyre, edhe sikur ti, tu mbyllësh derën e madhe të SHQUP-it. Me largimin tënd zoti Basha, do tu hapësh rrugë proceseve të mëdha që do të ndodhin brënda asaj partie, të cilat i premtove, por nuk i zbatove kurrë. Tregohu pas hollandez, sepse ata “rrebelët” kësaj here e paskan seriozisht, jo vetëm me ty, por edhe me Sali Berishën.