Paradokset nuk mbarojnë. Ndërsa strukturat e PD-se, kryetarët e degëve dhe kryesia mezi presin të hyjnë në zgjedhje, deputetët, në shumicën e tyre nuk duan. Ata thonë se po iu digjet xhani nga përçarja dhe nuk duan të copëtojnë votat e opozitës, ndryshe nga baza qe mezi pret të bëjë betejën e saj.
Po cilat vota kërkojnë këta të bashkojnë? Kjo opozitë, e shkallmuar nga konflikti i brendshëm ku e ka zhytur Sali Berisha, nuk ka asnjë gjasë t’i afrohet Edi Ramës, megjithëse në ditën e tij me të zezë. Vetë foltorja as që po garon kundër tij. Të gjitha forcat ajo i ka kanalizuar kundër PD-së zyrtare. Propozimet për kandidatë të përbashkët, qofshin këta edhe ata të primareve, Sali Berisha i refuzoi me përçmim dhe, ndërsa nuk ka lënë qen e mace pa bashkëpunuar, me pjesën tjetër të partisë së vet nuk pranon kurrfarë marrëveshjeje. Për çfarë uniteti bëhet fjalë dhe kujt i hyn në punë ai?
Pasi morën vulën (me shumë vonesë, sigurisht), pasi luftuan me Celibashin e pastaj në KAS për të drejtën e kandidimit, pasi kanë javë që prezantojnë kandidatë nëpër rrethe, kujtohen të rimendojnë nëse duhet kandiduar apo jo! Kjo është pak ta quash qesharake dhe i vetmi qe përfiton këtu është pikërisht Berisha.
Pra, është e kuptueshme që në këto zgjedhje nuk ka beteje mes pozitës dhe opozitës, por vetëm brenda vete opozitës. Të vetmen betejë që ka Saliu e ka me PD-në zyrtare. Ai nuk po futet ne zgjedhje për të marrë ndonjë bashki, por për të marrë vulën e partisë. Në këto kushte, duke mos hyrë në zgjedhje me pretekstin për të mos përçarë votat, këta deputetë po na thonë se po kërkojnë të mos i bëhen pengesë Berishës në një betejë që nuk ekziston (betejën e tij me Ramën). Në fakt, me apo pa dashje, ata po i ndihmojnë atij në betejën kundër tyre.
E gjithë kjo situate shfaq një pamje të shëmtuar për ata që nuk duan të hyjnë në zgjedhje. Ata po tregohen të dobët, të trembur, të paafte e të parrasht. Ata po tregojnë se kanë frikë nga sulmet banale të foltores dhe nuk mbajnë dot presionin e mercenarëve të saj dhe kopesë së militantëve që i leh kujdo që nuk është në anën e tyre, në mos po flirtojnë fshehtas me Berishën për ndonjë deriçkë të hapur nga mbrapa gardhit apo bëjnë hesape dylekëshe intrigash naive brenda llojit të llojit. Ky është vetëm një langaraqllëk politik.
Në cilindo rast ata tregojnë paaftësi ulëritëse për të qenë politikanë dhe nuk e kuptojnë se, në plan afatgjatë e kanë shkatërruar figurën e tyre. Mund të kesh respekt edhe për ata që rreshtohen në anën e gabuar të barrikadës, hapur dhe burrërisht, por jo për ata që struken apo përdridhen duke qëndruar në mes, me skuthllëk e burracakëri.
PD-ja duhet të hyjë patjetër në këto zgjedhje, jo për të mundur Ramën (të cilin sigurisht që nuk e mund dot në këto kushte), as për të mundur Berishën (i cili është i mbaruar dhe pa të ardhme). Ajo duhet hyjë për të shpëtuar opozitën dhe për t’i dhënë asaj një të ardhme.
Berisha kërkon ta marrë opozitën me vete në varr. Ai kërkon ta shndërrojë atë në një sekt politik në mbrojtje të interesave te tij personale kundër gjithë botës. Natyrisht, ai ka votat e veta dhe, me ndihmën e mediave, oligarkisë, LSI-së dhe rrjetit të tij të influencave informale, do arrijë diçka si në 6 mars. Por ai, pa dyshim, do jetë shumë larg pretendimit për të qenë alternativë ndaj qeverisë, çfarë do të thotë falimentim.
Shumica e të djathtës nuk është me Berishën dhe këtë e tregoi edhe 6 marsi, kur gjysma e saj refuzoi të dalë në votime. Berisha kërkon të tërheqë shumë prej tyre duke bërë sikur është i vetmi që po lufton kundër Ramës, me shpresë se ata do të zenë hundët e do ta votojnë nga nevoja për të ndëshkuar qeverinë, por kjo gjithsesi nuk do funksionojë për ta ndihmuar t’i afrohet asaj çfarë i duhet.
Shumica e këtij elektorati mund të mos jetë as me grupin e PD-së zyrtare. Situata konfliktuale e pamoralshme ku është zhytur PD-ja natyrisht që prodhon indinjate tek votuesi. Nga ana tjetër sulmet, shpifjet dhe propaganda e medias oligarkike kundër tyre, sigurisht që prodhon efekt. Por gjithsesi PD-ja zyrtare ka një basen elektoral më të madh e më të mirë ku mund gjejë përkrahje.
Ajo mund të tërheqë votuesin anti-berishist, si dhe atë jomilitant, që kërkon një politike me një tjetër fytyre, me humane, me qytetare, me serioze, me racionale dhe mbi të gjitha te pakorruptuar. Ajo mund të afrojë atë lloj votuesi që kërkon një gjuhe tjetër politike, larg rrenave, shpifjeve, fyerjeve, intrigave e arrogancës banale të këtyre 30 vjetëve.
Ky elektorat ka qenë i papërfaqësuar prej tre dekadash në politikën shqiptare duke u detyruar të abstenojë ose të votojë gjithmonë duke mallkuar atë të cilit ia jep votën. PD-ja mund të ofrojë një alternativë për këtë votues, që në të vërtetë është shumica. Sigurisht që ka ende shumë mosbesim, por PD ka shanse të mira për të hapur një rrugë për të ardhmen e saj duke e lënë plakun në "shenjtninë" apo dreqninë e vet. Duhet vetë që ajo vetëm të ofrojë fytyrën dhe seriozitetin e duhur për ta merituar të ardhmen e saj.
pa bosht te dy...
Përgjigju