Bashkimi Europian është në një përplasje të fortë mes vetes për shkak të vizionit të Presidentit Marcon për unionin, i cili është i ndryshëm nga ai i Gjermanisë dhe mbi 25 vendeve të tjera të BE-së. Macron sot është i vetëm përballë gjithë BE-së në bllokimin që po i bën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Viktima të kësaj loje të Macron, siç konfirmohet edhe nga kryeministrat e mbi 25 vendeve anëtare, eurokomisionerë e drejtues të lartë të BE-së, janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë plotësuar kushtet e kërkuara për çeljen e negociatave e tani po prihen në besë nga triblimi politik i Macron.
Por, pavarsisht se pothuajse të gjithë shtetet e BE-së dhe drejtuesit e lartë të Unionit kanë folur njëzëri pro hapjes së negociatave duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë ‘detyrat e shtëpisë’ dhe se qëndrimi i Macron për të ndryshuar rregullat e lojës në fund të saj është një gabim historik, disa individë të frustruar politikisht por edhe opozita vetë, kanë vrapuar të vënë faje mbi Shqipërinë, duke parë qimen në syrin e vendit të tyre dhe jo traun në duart e Francës. Që Shqipëria ka shumë për të bërë në rrugën e standartizimit si BE, kjo nuk do as mend as kalem, por po flasim për negociata, jo për anëtarësim, ndaj këtu gjërat ndryshojnë si nata me ditën, siç rruga drejt anëtarësimit do marrë vitet e veta. E megjithatë, në Tiranë ka nisur lufta duke i vënë faj Shqipërisë pse Franca vendos traun për interesa politike të sajat, në një kohë kur Gjermania, Italia e mbi 20 shtete tjera janë për një sinjal pozitiv për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mjafton të shohësh përpjekjen e Merkel për të bindur Macron që strategjia e duhur është zgjerimi dhe jo bllokimi, për të kuptuar se asgjë në këtë betejë nuk është mes Shqipërisë/Maqëdonisë së Veriut dhe BE-së, por mes BE-së dhe Francës, që kanë qëndrime të ndryshme për vetë mënyrën se si unioni funksionon, pa harruar edhe politikën e brendshme në Francë, ku Macron bën politikë populiste për të ruajtur kuotat e tij në elektorat.
Mjafton fjalia e Macron para dy ditësh ku shprehej se ‘Si tjua shpjegoj votuesve të mi faktin që ….’’, për të kuptuar se në fakt nuk behët fjalë për një përplasje Shqipëri/Maqedoni e Veriut me BE-në apo me Francën, por të vetë Presidentit Macron i cili përdor dy vende të Ballkanit për argument politik brenda vendit të tij. Në fjalimin e mbajtur nga Macron nga ku morëm edhe hyrjen e fjalisë më lart, kuptohet se ai nuk qan hallin e BE-së, por të elektoratit të tij, ndaj të cilit ka gjetur si argument bllokimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor e që mesa duket atij i rrit % e votave.
Këto janë në fakt argumente dhe fakte që nuk lënë vend për debat e që tregojnë qartë se problemi nuk është i vendeve tona në raport me BE-në, por i BE-së në raport me veten. E ata që nuk e shohin këtë të vërtetë në sy, ose bëjnë një sy qorr për interesa politike ta lexojnë ndryshe, janë në fakt fatkeqësia jonë.
Nga ana tjetër, duke filluar nga kancelarja Merkel te Presidenti i KE, Donald Tusk, Presidenti i Komisionit, Junker, mbi 25 kryeministra shtetesh të BE-së, Presidentja e re Von Der Lynen, Komisioneri Hahn, eurodeputetë e ish zyrtarë të lartë të vendeve të BE-së kanë qenë si asnjëherë më parë të bashkuar në një qëndrim: ‘Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë kryer detyrat e shtëpisë dhe iu duhen çelur negociatat. Çdo vendim tjetër do të ishte një gabim historik për vetë BE-në’.
Ky qëndrim i unifikuar nuk do të thotë asgjë tjetër veçse sot BE është e ndarë më shumë se kurrë mes vetes e pasojë e kësaj ndasie është bllokimi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut krejt padrejtësisht.
Ata që në Tiranë rreken të mos shohin në sy këto fakte janë në fatkeqësi ekstra e brendshme ndaj Shqipërisë.