Muça: Pse shkarkimi i Ilir Metës është domosdoshmëri?

10 Qershor 2019, 19:20| Përditesimi: 10 Qershor 2019, 19:23

  • Share

Akti i paprecedent i Presidentit Ilir Meta për të ç’dekretuar (term që nuk gjendet as në Kushtetutë e as në ligj) datën e zgjedhjeve të dekretuar me vullnet të plotë në atë datë nga ai vetë, ka hapur një debat publik të madh, ku edhe vetë konstitucionalistët janë të habitur me argumentimin absurd të Metës.

Nuk do shumë mend që ky veprim anti kushtetues i Metës (kujtojmë se sipas konstitucionalistëve datën e zgjedhjeve e ç’dekreton vetëm Gjykata Kushtetuese dhe kurrësesi dekretuesi, pra Presidenti) është mirëfilltazi një fije kashte për PD dhe LSI që janë në një rrugë pa krye dhe po kërkojnë një pazar politik duke kërcënuar zgjedhjet. Basha dhe Kryemadhi po përdorin ‘Presidentin’ i cili mesa duket nuk e ka surprizuar mazhorancën e cila mesa u pa, ka qenë disa hapa para duke e parashikuar se Presidenti do abuzojë me postin për t’i shpëtuar fytyrën opozitarëve.

E gjithë kjo panoramë është e qartë për të gjithë shqiptarët e ndërkombëtarët (këta të fundit për sa kohë ju kanë vënë vijën e kuqe, dinë akoma më shumë) dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër veç shkarkimit të Metës. Sepse, Ilir Meta me aktin e fundit që pretendon të mos lejojë shqiptarët të votojnë, ka derdhur gotën.

Ilir Meta e ka nisur abuzimin me detyrën qëkur nuk kryente detyrën e dekretimit të ministrave të propozuar nga kryeministri dhe i ka vënë vulën duke mos lejuar shqiptarët të votojnë, vetëm se e shoqja dhe Lulzim Basha e Sali Berisha nuk duan të hyjnë në zgjedhje.

Ilir Meta nuk ka qenë kurrë ‘mbi palët’, por ka qenë vetëm në krevatin politik të PD-LSI.

Lufta e vazhdueshme politike nga karrigia e presidentit, kundër ligjeve të parlamentit, kundër reformës në drejtësi dhe çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, e ka bërë atë një President që pa frikë mund të quhet edhe më politik se Bujar Nishani, ish ministri i Berishës që u bë president nga halli.

Por, nuk janë vetëm këto arsyet pse Ilir Meta duhet të shkarkohet.

Ilir Meta është një nga politikanët që i trembet më së shumti reformës në drejtësi dhe këtë e dëshmon lufta e tij dhe e partisë së tij ndaj SHBA-BE, që janë në krye të atij procesi. Dhe nje president që tenton të bllokojnë zhvillimin normal të jetës demokratike për këtë arsye, nuk ka asnje arsye të qëndrojë në zyrën ku është

Ilir Meta duhet të shkarkohet sepse ka shkelur Kushtëtutën më shumë se një herë.

Ilir Meta duhet të shkarkohet që të mos bëhemi gaz i botës më nje president që është edhe krytar opozite.

Ilir Meta duhet të shkarkohet që drejtësia të reformohet siç duhet.

Ilir Meta duhet të shkarkohet sepse nuk është i prerë për të mbajtur një pozicion, që kërkon një burrë a grua larg palëve dhe me integritet!

Komento

Komente

  • SHQIPERI E GJORE...: 10/06/2019 21:52

    Eeh....more presidenti I Shqiperise,sa nuk e meritoje kete post. Ty te lumte per aq kohe sa ta dhuruan ata te PS-se,por c'kusur kemi ne populli???Ne nuk jemi aq popull I keq sa t'ju meritojme juve,jemi vetwm popull ku guxim kane te dhunshmit e rrugecerit,kurse njerwzit intelektuale e te ndershwm ndjehen pa fuqi per t'i bere balle ketij llumi.Se nese I afrohesh llumit,sic jeni edhe Ju z.President,llum behesh.Me mire te komunikoje me gruan para lenies se mandateve sesa kujtohesh tani...Efhe dicka,cfare burri je ti qe gruaja paska kaluar nje opwracion te veshtire,e ti nuk I je gjendur prane???Kur nuk te dhimbset gruaja jotw,qe te njeh cdo horrllek,te dhimbset Shqiperia qw ke zhvatur 20vjet a me shume????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?