Periferi

Mungesa e Drejtësisë e bëri kaq të egër shqiptarin me shqiptarin

31 Mars 2022, 21:58| Përditesimi: 31 Mars 2022, 22:08

  • Share

Mungesa e përmbajtjes, fisnikërisë dhe qytetarisë kur dy njerëz që kanë bashkëpunuar nuk bien më dakord me njëri-tjetrin, duket se është një epidemi që po përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme duke helmuar rrezikshëm atmosferën publike shqiptare. E kemi parë në politikë, në gazetari, deri edhe në konflikte private dhe personale. Social mediat janë grumbulluesi më i madh i kësaj atmosfere toksike.

Duket se pakkush mendohet dy herë para se t'i lëshojë e t’i shkruajë fjalët duke shpresuar se e zgjidh hallin apo problemin në këtë formë. Eshtë e sigurtë se asgjë nuk zgjidhet me sharjet, mallkimet, vulgaritetin që përhapet si një energji negative që dihet, do të prekë në mënyrë të pashlyeshme vetëm më të dobëtit. Eshtë e sigurtë se një botë e qytetëruar, pikërisht për të shmangur tensionet që shfaqin nivelet më primitive që mbart në vetvete një qënie njerëzore, shpiku Drejtësinë, për të qenë ajo e aftë të peshojë në bazë të fakteve dhe provave se kush është në anën e të drejtës. Dhe kur Drejtësia flet, edhe nëse flet gabuar (siç edhe ndonjëherë ka ndodhur), kur e thotë fjalën e fundit, shoqëria e qytetëruar e pranon pavarësisht hidhërimit që një vendim i gabuar lë pas.

Mungesa dhe minimi i Drejtësisë në Shqipëri, fatkeqësia më e madhe e jona pas Diktaturës, është një plagë që sa vjen dhe e thellon urrejtjen mes njerëzve edhe në konfliktin më banal që lind mes tyre. Vetëm ringjallja dhe forcimi i saj do të na shpëtojë. Djemtë dhe vajzat që punojnë në të gjitha strukturat e kësaj fjale të madhe (Drejtësisë) kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për të nxjerrë një popull të tërë nga humnera e urrejtjes së çdo konflikti që lind e që merr (nëpërmjet rrjeteve sociale) përmasa universale. Rruga e vetëgjykimeve e vetëgjyqësive, i përket një bote që nuk ka asnjëherë fitues, por vetëm viktima dhe egërsia brenda llojit, është një luftë që na çon në regres e na shkatërron. 

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Go west: 01/04/2022 09:07

    Shume drejt! E filluam qe ne kohen e Ramizit duke toleruar vjedhjen, dhunen dhe shkelesit e ligjit, me tane e jo tanet. Sot jemi peng i llumit. Ata qe shkelin ligjin me shume, me te fortet, burgaxhinjte, pushtetaret e pasur, trafikantet- jane me te respektuarit qe i imponohen shoqerise shqiptare. Le te shpresojme se nje dite ligji do te mbreteroje edhe tek ne...

    Përgjigju
    • pse jo: 02/04/2022 08:58

      Shume drejte Go West. Sot jemi peng i llumit. Kjo eshte aresyeja per kemi mberritur ne kete dite pas 32 vitesh "demokraci". Se duhet ta themi ..... cdo gje ka shkuar ne menyre te pareshtur drejt degjenerimit total. Efektet e 1997 dhe 2013 jane te qsrta.

  • Namik: 01/04/2022 03:02

    Jo mumgesa e drejtesise por dhenia e drejtesise nga nje gjykate e pavarur na ka munguar dhe sidomos tani ku individe ne menyre te organizuar kane kapur shtetin dhe sofistikuar korrupsionin ne nivelin me te larte. Duke e cuar korrupsionin e qeverisjes se Berishes dhe Metes ne llojin "galaktikor" te Rames. Te cilin ju asqe merrni mundimin as te shkruani dhe as te flisni. Perkundrazi e mbroni sa kohe gjeneroni te ardhura pikerisht per kete suport.

    Përgjigju
    • Per Namikun: 01/04/2022 09:02

      Nese krahason distancimin nga korrupsioni (qe ekziston si nje efekt kolateral i cdo demokracie) ne kohen e Rames, me korrupsionin e misheruar deri ne vrasje, deri ne mohim e vetemohim te kohes se Berishes, kuptohet se perse e ben z. Namik. Edhe perfshirjen kastile te gazetareve qe perdite shkruajne c’ndodh, ndryshe nga shpura gojembyllur dhe keqinformuese e oborrit te Berishes, kuptohet pse e ngarerron. Por faktet jane ne drite te diellit dhe shihen edhe pa nevojen e opinioneve tuaja keqinformuese.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?