Çështja Kombëtare nuk është çështje ekskluzive e një lideri, sado i zoti të jetë ose i fortë të konsiderohet ai, nuk është as çështje e një partie të vetme politike edhe kur ajo është maxhorance thuajse absolute. Çështja Kombëtare është para së gjithash e Kombit dhe e interesit të përbashkët e çdo shqiptari edhe atij që jeton në skaj më verior të Kosovës duke përfshirë edhe shqiptarët në Jugun e Serbisë.
Shqiptarët nuk kana fituar asnjëherë nga nismat apo nga aktivitet politike rajonale. Madje, shqiptarët e sidomos Shqipëria, falë edhe realitetit të ri si vend anëtar i Natos duhet të dal nga kurthet e Ballkanit e duhet të insistojë vetëm përmes takimeve apo konferencave të iniciuara nga BE apo nga SHBA, UK dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut.
Çështja ose me mirë, le të themi se situata mes Serbisë dhe Kosovës po kalon përtej dimensionit të një diplomacie normale e publike. Ne fakt, diplomacia është e mundur edhe kur mendohet se nuk ka më asnjë mundësi për të negociuar. Në diplomaci, ka një rregull bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndaj popujve ose shteteve: “jap diçka e në këmbim duhet të më japësh diçka tjetër”.
Sa më shumë acarohet situata mes Serbisë dhe Kosovës aq më shumë rritet çmimi që duhet të shkëmbejnë mes tyre interesa. Në fakt situata në Kosovë dhe në Ballkan duhet të ishte ndryshe për shqiptarët, sepse kemi tre Kryeministra shqiptarë në tre vende sovrane dhe një zëvendës kryeministër tjetër në Maqedoninë e Veriut. Askush nuk i ka penguar këto lider të takohen edhe pa protokoll mes tyre për të pasur koherencë dhe strategji afatgjatë për të ardhmen e përbashkët. Ajo që i pengon këto liderë është bajraktarizmi i sëmurë i trashëguar ndër shekuj dhe po ashtu protagonizmi për madhështi personale. Situata me tre kryeministra shqiptarë duhet të ishte më e mirë për shqiptarët, por kjo është bërë kjo nuk po ndodh se ka rritur luftën mes tyre se kush do të jetë lideri i krejt shqiptarëve. Dihet se kur bëhen bashkë më shumë se një qënie njerëzore problemi i parë është kush do të jetë kryesori. E kjo po ndodh edhe mes liderve shqiptarë.
Edhe pse situata mes Kosovës dhe Serbisë ka probleme serioze, ku padyshim Albin Kurti po sillet si lider legjitim e sovran, por kjo nuk mjafton për të ardhmen e Kosovës. Shumë gjëra po ndryshojnë nga koha kur Kosova bëri luftën për Pavarësi dhe Nato bombardoi Serbinë. Ca gjëra po ndryshojnë mes nesh e pastaj edhe në raport me aleatet tanë. Çfarë po ndodh në Tiranë dhe në Kosove? Ka zyrtarisht tashme një linjë politike, e cila në mënyrë absurde dhe antikombëtare i konsideron SHBA thuajse si një vend armik dhe që po ndërhyn në çështjet e brendshme tonat. Askush nuk e kishte menduar ketë 30 vite më parë, por ja që sot është tashme realitet.
Faktori shqiptar nuk po e kupton siç duhet situatën në Kosovë dhe rrugët që ajo mund të marr. Siç duket vazhdojmë të jemi të vonuar për të kuptuar në kohë proceset dhe po ashtu vazhdojmë të jemi të fundit për kapur “momentin”. Shqipërisë nuk i kanë munguar profesionistë të lartë të Diplomacisë, por vazhdojnë të mbahet larg kësaj fushe, disa për shkak të qëndrimeve të tyre e disa të tjerë, sepse nuk i kanë punët mirë me “Pushtetin”. Bëhen pak ose thuajse fare tryeza me profesionistë të Politikës së Jashtme e po ashtu edhe kur ka nevojë nuk bëhet i mundur aksesi i tyre për të kontribuar.
Një çështje sa absurde është edhe faktin se Diplomacinë apo Çështjen Kombëtare duket se e ka të drejtë ekskluzive vetëm “Pushteti”. Opozita shqiptare duke përfshirë këtu edhe PD po bëjnë pak ose fare për të kontribuar që Kosova ta kapërcejë këtë moment pa paguar më shumë se sa meriton dhe ka nevojë e për pasojë për të mos dalë e humbur në mënyrë të padrejtë. Kosova apo Shqipëria nuk janë ekskluzivisht të Kurtit apo të Ramës e këto të fundit nuk kanë asnjë të drejtë ekskluzive më shumë se sa ju japin kushtetutat e vendeve që përfaqësojnë.
Sigurisht që situata në Kosovë meriton një zgjidhje imediate, por para së gjithash ne duhet të dimë e gjejmë një zgjidhje mes vetës e pastaj të jemi të unifikuar përballë Serbisë apo të çdo vendi tjetër që vazhdon të pretendojnë edhe në mënyrë thuajse “koloniale” ndaj nesh. SHBA kanë bërë investim të rëndësishëm në Kosovë dhe në Shqipëri dhe siç e kam theksuar kjo edhe falë fakti se ne jemi shprehur pro-amerikan dhe kemi qëndruar të tillë në çdo situatë. Situata ndërkombëtare nuk është aq shumë e mirë e sidomos edhe ndaj ne shqiptarëve, por nëse ne vazhdojmë të qëndrojmë aleat të palëkundur nda SHBA apo aleatëve të tjerë kemi shumë mundësi të jemi në anën e fituesve. Ne, shqiptarët i kemi bërë zgjedhjet tona e nuk e kemi as arsye apo mundësi t’i rishikojmë ato për më tepër në këto momente. Aleanca me SHBA është e thjeshtë dhe kjo as nuk mund të vendoset në diskutim dhe nëse nga dikush ndodh një gjë e tillë, ai po bën një akt antikombëtar. SHBA nuk janë vetëm një aleancë e shenjtë, por është edhe një marrëdhënie që kërkon impenjimin tonë që interesat amerikane të jenë të parët në Shqipëri dhe në Kosovë e para së gjithash ne duhet të japim sinjale se jemi të gatshëm të vendosim tërësinë tonë territoriale në shërbim të interesave të SHBA e po ashtu që kompanitë amerikane të kenë prioritet në nismat më të rëndësishme të investimeve direkte.
Disa po mundohen ta konceptojnë marrëdhënien e Ramës e të Kurtit si marrëdhënie ekskluzive personale mes dy liderëve, por në fakt nuk duhet e nuk mund të jetë kështu, sepse të dy kanë detyrime kushtetuese e sidomos Shqipëria që e ka të sanksionuar në Kushtetutën e saj mbrojtjen e interesave e të drejtave të shqiptarëve kudo ku janë e pavarësisht se kush i qeveris. Mungesa e një politike kombëtare me dimension rajonal dhe bajraktarizmat personale të liderëve shqiptarë rrezikon të fus interesat e shqiptarëve në aventura të rrezikshme e me pasoja të pa rikuperueshme. Shqiptarët boll kanë humbur padrejtësisht në histori edhe territore e tashmë nuk duhet të humbin asgjë. Kjo mund të ndodh përmes një politike kombëtare e përmes një angazhim koherent e të palëkundur me SHBA dhe aleatët e tjerë. Ne duhet të dalim nga nismat dhe skemat ballkanike, sepse për shkak të ekuilibrave historike, rrezikojmë të dalim vetëm të humbur.