Shtëpitë karakteristike në qytetin muze të Gjirokastrës po humbasin gjithmonë e më shumë identitetin. Të tilla si Lolomani, Topulli, Hadëraj, Çene, Kale, tashmë janë kthyer në rrënoja apo gjysmërrënoja. Kjo për shkak se shumë prej shtëpive janë braktisur, disa kanë mbetur peng i konflikteve mes bashkëpronarëve që nuk bien dakord për restaurimin.
Mirëmbajtja e tyre nga ana e Drejtoria e Rajonale e Trashëgimisë Kulturore është e pjesshme. Ndërhyrjet e cunguara jo pak herë kanë bërë që nga këto shtëpi të amortizuara të kërcënohen edhe shtëpitë ngjitur me to. Qytetarët e Gjirokastrës shprehen se restaurimi i banesave karakteristike do t’i sillte qytetit pamjen e dikurshme.
Ndërsa drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër Vasil Polo tha se janë rreth 15 objekte të kategorisë së parë me risk, ndërsa 20 të tjera kanë shfaqur problematika dhe kërkojnë ndërhyrje.
"Në listat tona që kemi bërë janë 15 objekte që janë me risk dhe kërkojnë vëmendje e shtetit për të mos degraduar më tej. Janë mbi 300 objekte që dhe mes tyre ka që janë të rrënuara dhe nuk marrim përsipër rikonstruksione të mëdha, ne jemi për mirëmbajtje të tyre", tha Polo.
Në Qarkun e Gjirokastrës janë 545 monumente kulture, 409 prej të cilave janë banesa popullore, 64 të kategorisë së parë dhe 345 banesa të kategorisë së dytë. Sipas të dhënave të mbledhura nga specialistë të huaj, më shumë se 200 prej tyre kanë humbur me kalimin e kohës për shkak të mungesës së investimeve. Banesat karakteristike janë ato që i dhanë statusin Qytet Muze në vitin 1961 dhe statusin e UNESCO në 2005 duke u cilësuar si pasuri e trashëgimisë botërore.