Mungesa e kryeministrit Albin Kurti në ditën e dytë e Samitit III të Diasporës në Tiranë u komentua edhe nga kryeministri Edi Rama.
Analisti Lorenc Vangjeli në studion e emisionit “Kontrast” në Report Tv me Denis Mingën, tha se Albin Kurti do të vijë në Tiranë paraditen e 28 nëntorit.
“Edhe në mungesë ka prani. Por mendoj se prania e tij s’do mungojë edhe fizikisht në 28 nëntor. Është lajm. Paraditen e 28 nëntorit Kurti do jetë në Tiranë. Besoj se do jetë i pranishëm edhe në darkë në pallatin e brigadave”, tha Vangjeli.
Në samitin e diasporës, u mblodhën në Tiranë liderë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi, ndërsa Kryeministri Rama propozoi shpalljen e ditës së alfabetit festë kombëtare, kurse Presidentja e Kosovës kërkoi shpëtimin e Preshevës nga spastrimi etnik.
Për shpalljen e 22 nëntorit si festë kombëtare, Rama i kërkoi Vjosa Osmanit që t’ia japë si sugjerim kryeministrit të Kosovës.
“Rëndësia e madhe është që ne të jemi bashkë të shikojmë njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri. Është dita që dita e alfabetit e gjuhës që na bashkon të gjithëve të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër besoj që edhe presidentja e Kosovës do t’ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj presidentin për veten time”, tha kryeministri Edi Rama.