Muzika klasike e dhomës me tingujt e pianos, violinës, kitares, flautit dhe violonçelit për katër ditë radhazi dhuruan emocione të bukura për publikun në Kalanë e Gjirokastrës. Rreth 210 artistë të rinj nga mbarë Shqipëria dhe jashtë saj konkuruan në disiplinat e ndryshme në edicionin e dytë të konkursit ndërkombëtar "Tempo" organizuar nga Gjiro-Classica dhe bashkia e qytetit.
Për organizatorët ky është një event i përshtatshëm për të promovuar vlerat e qytetit dhe të artistëve, po aq sa edhe edukimin e të rinjve me kulturën e artit.
“Ky konkurs synon të promovojë në radhë të parë talentet e reja, shkollat artistike në të gjithë vendin, të promovojë punën e palodhur të mësuesve në këtë shkolla, por edhe punën e prindërve në këtë rrugë të gjatë të artit”, deklaron organizatorja Mimoza Çabeli.
“Këtë vit kemi kënaqësi akoma më të madhe pasi është shtuar numri i shkollave dhe konkurrentëve. Dua të veçoj shkollën “Prenk Jakova” në Shkodër, shkolla “Fejim Ibrahimi” i Gjirokastrës. Fëmijët duhet të edukohen që në moshë të vogël të dëgjonë muzikë klasike”, shprehet Kristina Petrollari Laço, organizatore.
”Është viti i dytë që organizohet është një festival shumë serioz pasi i shërben brezit rtë ri dhe më e bukura dhe e veçanta është që bëhet në Gjirokastër. Ky festival i shton një vlerë tjetër këtij qyteti që besoj do të vazhdojë dhe në të ardhmen. Është kënaqësi e madhe për mua dhe një verë e veçantë”, thonë anëtarët e jurisë.
Konkursi ndërkombëtar “Tempo”është ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore që vitet e fundit i kanë kthyer Gjirokastrës gjallërinë e jetës kulturore e artistike.