Nënkryetari i KLD-së
debati i plotë Topi- Halimi

17 Prill 2012, 12:33| Përditesimi:

  • Share
Zgjedhja e emrit të nën kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka përplasur Presidentin e Republikës Bamir Topi me ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi. Ky i fundit ka kundërshtuar thuajse në të gjitha rastet kur është bërë votim, ndërkohë që ka "kërcënuar", se në rast se do arrihet të zgjidhet nënkryetar i KLD-së gjyqtari Ilir Mustafaj, atëherë ministria do ndjekë rrugën Kushtetuese, për shkak se sipas Halimit ligji për "Organizimin dhe funksionimit e KLD-së" parashikon që në këshill të jenë 9-të gjyqtarë dhe jo 8-të, siç do të ndodhë në rast zgjedhje të Mustafaj. Kjo për shkak se këtij të fundit do ti duhet të japë dorëheqje nga funksioni i gjyqtarit që ushtron në Gjykatën e Tiranës. Pavarësisht këtij debati, presidenti Topi nuk është lëkundur në qëndrimin e tij, duke propozuar për vendin vakant të nënkryetarit të KLD gjyqtarin Ilir Mustafaj. Por votimi për këtë kandidaturë është shtyrë për ditën e Mërkurë, për shkak se presidenti Topi kishte planifikuar në orën 14:00 një takim me presidentin Çek Petër Neças. Ndërkohë që në dy votimet e bëra për shtyrjen e mbledhjes me 30 minuta si dhe për vijushmërinë e zgjedhjes së nën kryetarit të KLD-së votat në këshill janë ndarë në të dyja rastet 8-të me 7-të pro propozimit të presidentit, ku vota që bënte diferencën ishte e Bamir Topit. Mbledhja e zhvilluar dje është shoqëruar me debate mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku më se tepërmi replika ka patur mes Presidentit Topi dhe ministrit të Drejtësisë Halimi. Gazeta "Shqiptarja.com", zbardh një pjesë të debatit si më poshtë:
Halimi: Zoti kryetar kam një propozim përpara nisjes së mbledhjes. Kërkoj që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura dhe në pranë të medias.
Topi: E kuptoj kërkesën tuaj, por nuk mund të pranohet pasi sot jemi mbledhur për të zgjedhur një figurë tepër të domosdoshme për sistemin e drejtësisë.
Halimi: Prej disa kohë vendi vakant i nën kryetarit të KLD-së ka mbetur pa drejtues. Kur ka qëndruar gjatë kësaj kohe le të rrijë dhe dy muaj të tjerë, derisa të vijë presidenti i ri. Se tani nuk përmendet litari në shtëpinë e të mbyturit.
Topi: Gjuha më të cilën po flet nuk është zyrtare. Institucionet zyrare duhet të funksionojnë në çdo kohë dhe çdo ditë. Vendit nuk mund t'i refuzojmë institucionet.
Halimi: Zgjedhja e nënkryetarit të KLD nga rradhët e gjyqtarëve është në kundërshtim me ligjin për funksionimin dhe organizimin e këtij këshilli, prandaj unë jam kundër këtij propozimi, pasi posti i nënkryetarit të KLD i përket një nga anëtarëve të zgjedhur nga parlamenti.
Topi: Nuk ka asnjë kundërshti ligjore për zgjedhjen e kësaj kandidature, dhe se nuk e pengon në asnjë dispozitë ligji për KLD.
Halimi: Ligji e parashikon shumë mirë, pasi në rast se nënkryetari do zgjidhet nga rradhët e gjyqësorit, atëherë nga 9-të gjyqtarë që janë anëtarë në KLD do mbeten vetëm 8 të tillë, pasi kandidatura e zotit Mustafaj, në rast se zgjidhet duhet të japë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit. Për pasojë kjo sjell dhe shkeljen e ligjit për organizimin dhe funksionimin e KLD-së.
Topi: Ligjit të cilit ju i referoheni e sqaron shumë mirë në dispozitat përkatëse detyrat dhe mënyrat e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD-së, prandaj nuk është e nevojës të bëjmë interpretime të pa nevojshme.
Halimi: Unë ju paralajmëroj se në rast se do zgjidhet kandidati që ju keni propozuar dhe jo një përfaqësues i parlamentit siç e parashikon ligji, atëhere ne do ndjekim rrugën e Gjykatës Kushtetuese ku do kërkojmë interpretim.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?