Në shfaqjen e dhimbshme që dhanë demokratët tanë më 8 janar nuk kishte asgjë të re. Ishte i njëjti skenar filmi i parë shumë herë gjatë 30 viteve të fundit, me të njëjtët protagonistë, autorë dhe aktorë. Kryeautori dhe kryeaktori Sali Berisha. Është shkruar e folur aq shumë për këtë njeri gjatë muajve të fundit, saqë të duket e tepërt të marrësh mundimin e të ulesh e të shkruar sërish.
Në DITA mendimi ynë ka qenë bindshëm i pandryshueshëm: Berisha është edhe 30 vite më pas po ai që u shfaq në krye të turmave të çakërdisura 30 vite më parë kur i vuri zjarrin Shqipërisë në emër të demokracisë. Madje është po ai i para vitit 1990 që si një ish-komunist fanatik ka shkaktuar mjaft fatkeqësi dhe drama njerëzore ndaj shqiptarëve të ndershëm.
Tjetërkund e kam fjalën. Pasi u ka shkaktuar shqiptarëve aq shumë gjëma gjatë këtyre tri dekadave, disa tutkunë pandehën (ose u thanë të deklaronin publikisht) se Berisha ka ndryshuar, është reformuar dhe kërkon të rithemelojë Partinë e vërtetë demokratike. Dhe se vetëm ai është Mesia që ringjall opozitën e vdekur shqiptare! E kjo ndodhi pikërisht pasi Berisha u fut familjarisht në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Këta tutkunë të pështirë dhe të superpaguar që shfaqen përnatë në ekrane janë ca politikanë idiotë të tipit Flamur Noka e Paloka, Tritan Shehu, Ristani e Albana Vokshi, ca analistë të tipit Çim Peka, Nesho, Bushati, njëfarë ish-kandidati për president me mbiemrin Hoxha e të tjerë që të vjen ndot kur i dëgjon si flasin e arsyetojnë, pasi e kanë zhvlerësuar aq shumë emrin dhe misionin fisnik të gazetarisë së vërtetë.
Kujt kërkoni t’i hidhni hi syve, more tutkunë? Logjikë më idiote nuk mund ta gjesh në faqen e dheut. Dhe na hiqeni për të mençur!
Këta muajt e fundit këta tutkunë janë ngjirur se Berisha ka ndryshuar dhe do ndryshojë fatet e Shqipërisë, pikërisht pasi u shpall familjarisht non grata nga Amerika! Na turpëruat faqe botës, faqezinj! Na turpëruar si shqiptarë! Sepse ata që shpërfaqën tragjikomedinë e 8 janarit, në fund të fundit, janë shqiptarë! E them këtë jo vetëm për atë turmë pa tru që mësynte muret, dritaret dhe zyrat e Partisë Demokratike të klonuar nga Berisha. E them edhe për ju gjoja kolegë “analistë e panelistë” të përnatshëm të ekraneve. E patë më 8 janar? Ai është vizioni i Berishës, të pandryshueshmit që ka planifikuar gjëma të tjera për Shqipërinë, po u la të livadhisë paskëtaj…
Më kujtohet një fragment nga gazetari i shquar amerikan Peter Lucas, ku flet për një takim që ka patur në Presidencë në zyrën e Sali Berishës një ditë tetori të vitit 1996. Ishin mbajtur zgjedhjet e dhunuara të 26 majit të atij viti dhe Berisha ishte vënë nën një rrebesh kritikash si për manipulimin e zgjedhjeve, ashtu dhe për dhunën e përdorur.
Ja si e përshkruan Peter Lucas këtë takim në mesnatë me Berishën:
“Atë natë Berisha dukej se ende ishte nën dhimbjen e shkaktuar nga qëndrimi i shtypit europian dhe amerikan, i cili vinte në dukje se zgjedhjet e 26 majit ishin të pandershme dhe, pasqyronte shtypjen prej Berishës të demonstruesve socialistë dhe arrestimit të tyre pak para zgjedhjeve. Vëzhguesit perëndimorë të zgjedhjeve, ashtu si dhe vëzhguesit e OSBE-së, kritikuan procesin duke i cilësuar pjesërisht të parregullta.
Zgjedhjet ishin gjithçka për të cilën Berisha donte të fliste. Na porositi kafe dhe raki dhe u ula me të në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, duke marrë shënime tërbueshëm. Ishim vetëm dhe ai filloi të performonte çka mund ta përshkruaj vetëm si monolog kundër komunistëve.
“Zgjedhjet patën disa komplikacione, por qenë të ndershme e të hapura. Fëmija i demokracisë u lind. Është i shëndetshëm dhe do të rrojë gjatë,” tha ai. Heshti për një çast dhe pa nga gota e tij bosh. Pat folur anglisht dhe shtoi: “Tani na duhet të konsolidojmë demokracinë në Shqipëri sepse…” Pastaj duke e kthyer në frëngjisht shtoi: “Après moi, le deluge!”( Pas meje, u bëftë qameti!).
E ngrita kokën nga shënimet. “Çfarë?” pyeta për të qenë i sigurt në atë që tha.
“Après moi, le deluge”.
Kiameti erdhi, pa e pritur që ai të largohej…”
***
8 janari, sa është përsëritje e shfaqjeve të dhunave dhe fatkeqësive të kaluara, është prelud i dramave të reja që po përgatiten në atë seli apo rrotull saj. Dhe kjo ndodh në vitin 2022. E patë? Papritmas dhuna e së shtunës në Tiranë doli si kryelajm i keq në faqet e shtypit dhe mediave ndërkombëtare. Si në 1996, 97, 98, si më 21 janar kur u vranë njerëz në bulevard nga regjimi i Berishës, apo kur ndodhi Gërdeci…
Na turpëruat, faqezinj! Shqiptarët e duan demokracinë, por nuk janë anëtarë të PD-së. Mos i merrni për budallenj këta shqiptarë të vuajtur!/ DITA
Nje plak i cmendur po cmend gjithe vendin.Mos kujtoni e se ben nga budallalleku jo,ai di cben dhe me ke e ben,Sa te kete fryme ai njeri vetem dhune dhe urrejtje do te ngjalle ,se i tille eshte lindur dhe i tille do te shuhet.Diktatoret jane njelloj edhe gomeret te gjithe buzebardh jane
Përgjigju