Kandidimi i Agron Shehajt dhe pritja që po i bëjnë demokratët duket se ka nervozuar një pjesë të PD-së në Tiranë.
Nuk mund të shpjegohet ndryshe intesifikimi i sulmeve ndaj tij në ditët e fundit.
Që gjithsekush të pozicionohet në një garë, nuk përbën kurrfarë problemi.
Ashtu sikurse nuk ka asnjë të keqe të mos jesh mbështetës i tij në këtë fushatë brenda partisë.
Por sulmet e ndërtuara mbi parimin “ç’ne ai?!” janë të ulta.
Partia Demokratike ka një traditë aspak për t’u krenuar me ata që kanë menduar ndryshe nga kryetari në gjithë historikun e saj.
Do ishte në shëndetin e saj të shkëputej nga kjo trashëgimi dhe të dalë nga kjo garë e bashkuar, duke respektuar gjithkënd dhe duke u dhënë dorën të gjithëve.
Kushdo që do të fitojë, duhet ta ketë të qartë se përpara do të ketë një përpjekje sizifiane.
Opozita do të jetë e gjatë, e vështirë dhe e lodhshme. Kush thotë të kundërtën e kësaj, thjesht gënjen.
Ndaj vetëm e vërteta, bashkimi dhe të parit njëri-tjetrin si bashkëpunëtor dhe si pjesë të së njëjtit mision, mund ta ndihmojë PD-në në këtë rrugë.