Meqenëse Shqipëria është vend i çudirave dhe nga pas hekurave dikur janë porositur vrasje, vendosur gjoba, është drejtuar tregu i drogës, nuk do të jetë e largët dita kur do të krijohet Qeveria dhe opozita e Burgut.
Qeveria e Burgut do jetë me bazë të gjerë. Opozita do vijojë të jetë miope dhe do të qëndrojë poshtë Ballkonit të Qelisë kryesore të burgut.
Ndonëse e gjithë qeveria do jetë pas hekurave, pushtetin nuk do ta lëshojë se s'do ketë kush ta marrë, sepse edhe opozita që pushteti caktoi do jetë në qelitë ngjitur.
Me këtë rast, brenda burgut do të krijohet koalicioni i integrimit evropian, që mund të përshpejtojë integrimin e plotë të vendit në BE.
Ky koalicioni do jetë i rrallë në historinë e politikës botërore, sepse ai është i gjithë brenda në burg pikërisht për hir të çeljes së negociatave.
Pas Qeverisë dhe Grupit Parlamentar, shumë shpejt pritet të krijohet edhe Shoqata e Bashkive të Burgut.
Me krijimin e kësaj shoqata, Shqipëria plotëson edhe kriterin e fundit dhe BE-ja është vetëm një burg larg.
Pas këtij procesi të rëndësishëm, jashtë mureve të burgut pritet të institucionalizohet shoqata "Po Dum-Dumani, çfarë bën?!"
Kryetari i kësaj shoqate, do jetë brenda mureve në kohën e krijimit, ndërsa anëtarët jashtë me alternime të shkurtra.
Por meqenëse ka ende kohë, për këtë shoqatë le të flasim më vonë.