NATO, familja e kombeve të lira

18 Mars 2019, 17:44| Përditesimi: 18 Mars 2019, 17:46

  • Share

Gjithkujt i kujtohet momenti që përkufizon brezin të cilit i përket. Ai momenti, "ku ishe ti kur ndodhi".Për brezin tim, pa dyshim, ky moment ka qenë rënia e murit të Berlinit.

Të gjithë ne i kemi ndër sy imazhet emblematikëtë qytetarëve të Berlinit teksa shembnin murin, në kuptimin e parë të fjalës, me daltë e çekiç. Apo duart që zgjateshin për të ndihmuar miqtë dhe fqinjët që të kapërcenin murin, për të zhdukur hendekun që i kishte ndarë familjet për gati tri dekada. 

Ndërsa kjo ngjarje u bë simbol i një brezi, filizat e lirisë dhe demokracisë kishin filluar të lulëzonin në Evropën Qendrore dhe Lindore, shumë kohë më parë,përmes protestave paqësore, lëvizjeve popullore dhe trimërisë së shumë burrave dhe grave. 

Viti 1989 qe një kohë ndryshimi mbresëlënës. Komunizmit po i shembej toka nën këmbë. Po hapeshin tregjet dhe ekonomitë. Dhe çarmatimi bërthamor bëri që të gjithë të ndiheshim më të sigurt.

Ishte vërtet triumfi i lirisë dhe bashkëpunimit mbi represionin dhe përplasjet. 

Këtë vit, ne nuk po festojmë vetëm shtatëdhjetë vjetorin e themelimit të NATO-s. Ne jemi gjithashtu krenarë që, bashkë me disa aleatë, po festojmë disa arritje domethënëse. U bënë 20 vjet që Republika çeke, Hungaria dhe Polonia, 15 vjet që Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia e Sllovenia dhe 10 vjet që Shqipëria dhe Kroacia, përcaktuan fatin e tyre. Këto shtete vendosën t'i bashkoheshin familjes së cilës me të drejtë i përkisnin: Familjes së NATO-s. Familja e kombeve të lira, ekonomive në lulëzim, aleatëve të qëndrueshëm. Kjo rrugë jo gjithnjë ka qenë e lehtë. Duhej kurajë, vizion dhe vendosmëri politike për zbatimin e reformave të vështira dhe kapërcimin e dasive historike. 

Qasja "e dyerve të hapura" u mishërua në traktatin themelues të NATO-s, Traktatin e Uashingtonit. Dhe ka mbetur e pandryshuar gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve. Kjo qasje bazohet në të drejtën e çdo shteti për të zgjedhur rrugën e vet, lirisht e pa ndërhyrje. Pavarësisht përmasave të fqinjëve të tyre.

Për të gjithë aleatët - të vjetër e të rinj - kjo qasje ka sjellë më shumë stabilitet dhe begati, aftësi dhe perspektiva të reja, kontribute të mëtejshme ndaj misioneve dhe operacioneve tona të përbashkëta dhe ka sjellë si rezultat që një numër edhe më i madh aleatësh, të qëndrojnë krah për krah dhe të mbrojnë njëri-tjetrin.

Ky angazhim i hekurt dhe ky komunitet unik i shteteve të lira, na bën aleancën më të suksesshme në histori. Së bashku përbëjmë gjysmën e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të botës. Kjo fuqi materializohet në shifra dhe larmishmëri. 

Që prej krijimit, NATO është zgjeruar më shumë se dyfish, nga 12 anëtarë themelues, në 30 aleatë së shpejti.

Gjatë mandatit tim si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, hapëm me kënaqësi dyert për anëtarësimin e Malit të Zi, në vitin 2017 dhe për Maqedoninë e Veriut, që është ftuar në tryezën tonë në fillim të këtij viti.

Dyert e NATO-s mbeten të hapura. Po vazhdojmë punën me tri vende kandidate: Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, për t'i sjellë më pranë.

NATO nuk ka qenë thjesht e vetëm një mburojë mbrojtëse,por, simbol shprese, nxitëse reformash dhe një hap parësor i domosdoshëm drejt integrimit në komunitetin më të gjerë evropian dhe ndërkombëtar.

Aleancat nuk përbëjnë pengesë për  shtetet e fuqishme dhe të pavarura. NATO ekziston pikërisht për të siguruar lirinë dhe begatinë që të mund të prosperojnë vendet dhe popujt sovranë.

Ndërsa tashmë, në vitin 2019, bota është shumë e ndryshme nga ajo që ka qenë në vitin 1989 dhe kur shumëkush shpreh shqetësimin për fuqinë e institucioneve dhe partneriteteve ndërkombëtare, NATO mbetet jo vetëm një forcë për ndryshim pozitiv, por edhe një bazë për stabilitet.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?