NATO mbyll takimin në Uashington me garanci sigurie për Ukrainën

13 Korrik, 18:22| Përditesimi: 13 Korrik, 18:24

  • Share

NATO i dha fundit takimit të saj vjetor në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, duke festuar 75 vjetorin e formimit dhe marrë angazhime afatgjata për ta mbështetur ushtarakisht Ukrainën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Custer, aleanca perëndimore premtoi se e ardhmja e Ukrainës është në NATO, ndërsa akuzoi Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut se po e mundësojnë agresionin rus.

Takimi vjetor i NATO-s, i mbajtur në kryeqytetin amerikan, e përqendroi vëmendjen tek lufta në Ukrainë, çka u reflektua edhe në komunikatën përfundimtare.

Vendet aleate thanë se pushtimi rus i Ukrainës, më shumë se dy vjet më parë, “dëmtoi paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike” dhe se “Rusia mbetet kërcënimi më domethënës dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve”.

Organizata perëndimore ndërmori hapa për t’u siguruar që Ukraina të triumfojë në mbrojtjen kundër agresionit rus.

Aleanca u pajtua për një ndihmë afatgjatë sigurie për Ukrainën dhe krijimin e një programi për të koordinuar sigurimin e pajisjeve ushtarake dhe trajnimin për Ukrainën nga vendet aleate dhe partnere.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, foli rreth programit gjatë një konference shtypi të enjten.

“Me komandën në Gjermani, qendrat logjistike në pjesën lindore të aleancës dhe një personel prej 700 individësh, NATO-ja do të koordinojë trajnimin e forcave ukrainase në objektet e vendeve aleate, do të planifikojë dhe koordinojë dhënien e donacioneve, do të menaxhojë transferimin dhe riparimin e pajisjeve dhe të sigurojë mbështetje për zhvillimin afatgjatë të forcave ukrainase”.

Shefi i NATO-s tha se vendet anëtare ranë dakord që vitin e ardhshëm të ofrojnë rreth 43 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën. Në takim pati premtime për ndihmë të menjëhershme ushtarake për Ukrainën, përfshirë armët kritike për mbrojtjen ajrore dhe sistemet e raketave Patriot.

Zoti Stoltenberg tha se aleatët e cilësuan Kinën si “një mundësues vendimtar të luftës së Rusisë kundër Ukrainës”.

Ndërsa nuk i dërgon ndihmë ushtarake në rrugë direkt, Kina e fuqizon Rusinë duke e furnizuar me materiale me përdorim të dyfishtë, si komponentë armësh, pajisje dhe lëndë të para për sektorin e mbrojtjes.

Analistët thonë se takimi i NATO-s ishte i suksesshëm. Në një intervistë për shërbimin korean të Zërit të Amerikës, ish-zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s Rose Gottemoeller, tha se për të kishte shumë rëndësi pjesëmarrja e Japonisë dhe Koresë së Jugut në takimin e NATO-s dhe se mbështetja e fortë për Ukrainën dërgon një mesazh të qartë.

“Mendoj se mesazhi vërtet i fortë nuk vjen vetëm nga NATO-ja por edhe partnerët dhe aleatët në mbarë botën, të cilët janë të shqetësuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe me të vërtetë të përkushtuar për t’u siguruar që kjo të mos kthehet në shembull për autokratët në pjesë të tjera të botës, përfshirë Azinë”.

Edhe pse jo aq entuziast, ish-ambasadori amerikan në NATO, Kurt Volker, vuri në dukje rezultatet pozitive.

“Dëgjuam për dërgimin e raketave Patriot dhe disa sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore. Po ashtu, lajm i mirë është edhe koordinimi i ndihmës për Ukrainën përmes NATO-s, që kryhej vetëm përmes Amerikës”.

Takimi i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Holandë në qershor të vitit të ardhshëm./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?