Në çdo pëllëmbë të sokakëve të Beratit është dora e tij që gdhend gurin me çekan dhe e qëndis në rrugica. Nazif Muçi është 60 vjeç dhe punon me të njëjtin pasion si 46 vite më parë.
"Ja ky guri duhet goditur lehtë sepse është më i butë nuk duhet t'ia prishim formën kurse ky tjetri më i fortë e kështu me radhë".
Në Berat pothuajse të gjitha lagjet e vjetra janë me kalldrëm, jo vetëm ato muzeale. Me Nazifin takohemi tek rrugica pranë Xhamisë së Beqarëve.
"Unë kam mësuar nga vëllezërit e mi. Isha 10 vjeç kur mora gurin e parë dhe fillova të imitoja vëllezërit e mi. Dhe që nga ajo ditë nuk jam ndarë këtij profesioni e dua shumë".
Gurgdhendësi i njohur i Beratit na tregon me detaje si ndërtohen kalldrëmet.
"Ky guri është i lumit është i lëmuar ndërsa ky është prej karierave malore po ky nuk përdoret shumë për kalldrëm sepse me kalimin e kohës lëmohet dhe bëhet i rrëshqitshëm"
Artizanë si Nazifi gjen gjithnjë e më rrallë në qytet... Thotë se të rinjtë duhen stimuluar për të trashëguar këtë profesion të vjetër sa historia 2400 vjeçare e Beratit.
"Eshtë për të ardhur keq që ky profesion po humbet pak nga pak. Ne kemi një qytet të bukur dhe guri i gdhendur është baza e bukurisë së tij. Kalldrëmet e qytetit tonë duhen të mirëmbahen. Prej vitesh ky qytet i ruan këto kalldrëme nga duar e mjeshtërve .Ndaj të rinjtë që ti afrojmë duhen edhe të stimulohen."
Nazifi nuk njeh moshë pensioni, ky profesion i siguron të ardhura dhe e mban në formë.
"Kështu dua të jem gjithë jetën duke gdhendur gurin! E dua këtë profesion dhe të bëjmë të pamundurën ta trashëgojmë në breza. Ky qytet është i bukur duhet të trashëgohet profesion në breza. Qyteti ynë dhe këto rrugica të jenë po kaq të bukura përherë."