Hans-Joachim Lanksch

Ndahet nga jeta Hans-Joachim Lanksch, përkthyesi dhe albanologu i njohur gjerman

20 Maj 2019, 17:33| Përditesimi: 21 Maj 2019, 10:48

  • Share

Hans-Joachim Lanksch, studiues, përkthyes dhe albanolog, mik i poetit të njohur Martin Camaj, që e fliste aq bukur shqipen, sidomos gegnishten, ka ndërruar jetë sot më datë 20 maj 2019. Lanksch u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit pas një sëmundjeje të rëndë. 

I njohur si studiues, përkthyes dhe mbështetës i letërsisë dhe kulturës shqipe në Gjermani dhe Europë, Lanksh ka përkthyer në gjermanisht shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, por edhe autorë të tjerë si Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Primo Shllaku, Ledia Dushi, etj.  Lanksch konsiderohet si një ambasador i rrallë i kulturës dhe letërsisë shqipe. Pas viteve ’90, studiuesi gjerman u përfshi në problemet e zhvillimit të kulturës shqiptare, kur sa e sa herë u bë mjeshtër i replikave kundrejt problemeve të mëdha të trashëgimisë kulturore dhe problemeve të aktualitetit. 

Hans-Joachim Lanksch ka nisur të përkthejë letërsi shqipe në gjermanisht që në vitet ’80, ku përveç Camaj që jetonte në Gjermani, ai kishte pasur kontakt kryesisht me poetët e mëdhenj të Kosovës, si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, etj. Vetë Lanksch është shprehur se pas viteve ’90 ka  “zbuluar” fushën e gjerë të poetëve të viktimizuar nga diktatura. Lanksch shprehej se më tepër e pëlqente gegnishten letrare, “por më pëlqen po ashtu idiomi jugor, gjuha e Lasgushit, Kutelit, Trebeshinës etj. Duke shkruar në gjuhën e standardizuar më vjen keq se nuk mund ta përdor e-në trema para bashkëtingëlloreve hundore (përmënd, zëmëra etj).”, ka rrëfyer Hans-Joachim Lanksch gjatë intervistave. 



Një nga vërejtjet e tij për zhvillimet letrare në Shqipëri ka qenë për mungesën e kritikës letrare. Dhe këtu ai kishte shumë të drejtë... “Kritika letrare shqiptare pothuaj nuk ekziston. Zëvendësohet nga puna klanore. Kritika u televizionit. Çështje supërfaqësore. (Flas për Shqipërinë). Përmenden dhe laureohen penda të një karuseli gjithnjë e më shumë emrash të njëjtë. Kritika e përkthimit letrar mungon totalisht (ngjashëm me gjendjen në Gjermani). Mungojnë kritikët që njohin mjaftueshëm të dyja gjuhët. “Kritika” shterret me klishetë qesharake se përkthyesi përdor “një shqipe të rrjedhshme”, thoshte  Lanksch. 

Ai ishte një nga intelektualët që i ka mëshuar fort opinionit intelektual për kthimin e vëmendjes nga poeti Martin Camaj, i shpallur nga diktatura komuniste në Shqipëri si i padëshiruar. Lanksch mendonte me të drejtë se pavarësisht se Camaj jetonte në Gjermani, ai shkruante letërsi shqipe dhe ishte pjesë e kësaj letërsie.  “Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqiptare dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut. Në krijimtarinë e Martin Camajt nuk gjenden elementet tipike të shkrimtarëve të mërgatës a ekzilit. Ata zakonisht merren qoftë me letërsi sentimentale patriotike që e idilizon dhe glorifikon atdheun, qoftë me letërsi të politizuar që e akuzon vendlindjen dhe rrethanat politike në të. Autorë të tillë zakonisht merren edhe me shkrime gazetareske që e damkosin sistemin diktatorial në vendlindje. Ndryshe nga ata, shkrimtari Camaj shkroi me këmbëngulje letërsi, letërsi të mirëfilltë dhe asgjë tjetër. Ai është një autor i letërsisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste, një nonkonformist për nga stili e estetika dhe për nga përmbajtja e veprës së tij, një shkrimtar jashtë kornizave të letërsisë zyrtare të kohës, por jo jashtë kornizave të letërsisë së Shqipërisë.”, shprehej studiuesi gjerman. 

Profesor Bardhyl Demiraj shprehet se “Puna e tij është laureuar me çmimet “Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); “Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe “Azem Shkreli“ (2018).” Duke shprehur hidhërimin për ikjen e , Lanksh, Demiraj kujton fjalët e tij: “...Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare.”
Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943 në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji.” 
“Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqiptare u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë  me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atë botë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludwig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj kësaj njohjeje zoti Lanksch nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.”, shkruan Demiraj. 
Ndërsa studiuesja e njohur Ledi Shamku, shpreh dhimbjen për largimin nga jeta të përkthyesit, me një homazh të përzemërt: “Ti strehove e flatrove fjalën e tash fjala t’u bëftë strehë e flatër! Në fillim qe fjala e fjala qoftë n’amshim me ty! Fjala shqip t’është detorëse për gjithë motin e jetës! Na vorfnove.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?