Kultura

Arti në zi/ Shuhet në moshën 88-vjeçare Ganimet Vendresha, solistja e parë e trupës së TKOB

29 Shtator 2022, 09:15| Përditesimi: 29 Shtator 2022, 13:17

  • Share

Ishte viti 1963 kur Ganimet Vendresha, interpretonte si protagoniste në të parën vepër të baletit shqiptar. Për plot 122 herë, me në krah artistin Xhemil Simixhiu, do të rrëfenin përmes gjuhës së trupit, jo thjesht historinë e dashurisë së “Halilit dhe Hajries”, por dhe të tyren.

Tanimë vallëzimin e tyre të dashurisë, dy virtuozët, ndër balerinët e parë shqiptarë, e vijojnë mes engjëjve. Ganimet Vendresha, një prej figurave më të rëndësishme femërore të artit shqiptar, mbylli sytë mbrëmjen e së mërkurës në moshën 88-vjeçare. Solistja e parë e Teatrit të Operas, artistja që vuri gurëthemelet e para në shkollën e Koreografisë, pedagogia që rriti breza të taletuar të dancit, u largua nga kjo botë duke shënuar një sërë kontributesh artistike por edhe humane. E mbesa, Ajola Xoxa, jep lajmin e hidhur.

“Gjyshja ime e mirë, Ganimet Vendresha, u nda nga jeta mbrëmë, e qetë dhe në paqe, sicc e jetoi të gjithë jetën e saj, rrethuar nga njerëzit e dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e njeriut të bukur brenda dhe jashtë, dhe tek ne një dhimbje pambarim. Ajo i dha aq shumë Shqipërisë së saj dhe kujtdo pati fatin ta kishte në jetën e vet.”, shkruan Xoxa.

Ganimetja është një nga artistët shqiptare që theu me elegancë tabutë. U bë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në Filarmoninë Shqiptare, fill pas përfundimit të Liceut. Debutoi si soliste në skenën e Filarmonisë që në moshën 16-vjeçare, e më pas e vijoi vallëzimin e saj në teatrin e njohur “Bolshoi” në Moskë, ku edhe u diplomua nën kujdesin e të famshmes Galina Ulanova. Fluturimi i saj skenik vijoi me kryerole në pjesë si  “Liqeni i Mjelmave”, “Lola”,  “Mirandolina”, "Rome dhe Zhuljeta", “Zarema e humbur” etj.  

Me mbi 140 role në skenë, “Artistja e merituar”, që diti të fitojë zemrat e publikut e ruajti elegancën edhe jashtë skenës… do të mbahet mend për elegancën e rrallë skenike, por edhe humanizmin jashtë saj. Në nder të artistes, mbahen nesër homazhet pranë “Operas” nga ora 10.00 në orën 12.00.

Ora 12:45
Kush është Ganimet Vendresha, themeluesja e TOB-it dhe e shkollës së Baletit në Tiranë (FOTOGALERI)

 

Homazhet në nder të artistes së njohur, Ganimet Vendresha do të zhvillohen nesër në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërsa ceremonia e varrimit po nesër në orën 13:00 në varrezat e Tufinës.

Ndërkohë, familja do të presë vizita ditën e shtunë dhe të diel, 1 dhe 2 tetor, nga ora 10:00-13:00 dhe 17:00-19:00 tek Restorant Piazza në Tiranë.

Ganimet Vendresha lindi në Tiranë më 19 shtator 1934. Studioi balet klasik dhe koreografi në Akademinë e Baletit të Bolshoi Teatër të Moskës, ku dhe u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Xhemil Simixhiu. Pas 6 vitesh studime, të dy, së bashku me tri balerinë të tjerë që kryen të njëjtin shkollim, u kthyen në Tiranë dhe hapën Shkollën e Parë të Baletit në Shqipëri. Më pas ishin bashkëthemelues të Akademisë së Arteve, ku dhe punuan si pedagogë, dhe Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punuan deri në fund të jetës së tyre. 
Ganimet Vendresha mban shumë çmime karriere, si edhe tituj të lartë, ndër to ‘Nderi i Kombit’, ‘Naim Frashëri’ dhe ‘Mjeshtër i Madh’. 
Ganimet Vendresha la pas një thesar të madh në baletin shqiptar, themelet e një shkolle që vazhdon trashëgohet edhe sot dhe që e nderon vendin tonë kudo në botë.
Tek të gjithë ata që e njohën la pas kujtimin e një njeriu me shpirt të bukur e të mirë, gjithmonë fjalëmbël dhe e buzëqeshur.

Ora 10:01
Rrëfimi emocionues i Ajola Xoxës për gjyshen e saj Ganimete Vendresha: I ke ndryshuar zemrën kujtdo që ke pasur pranë

1664438636_arjola.jpg

Vetëm pak ditë më parë, Ganimete Vendresha, solistja e parë e Teatrit të Operas dhe Baletit, që u nda nga jeta, mbushi 88-vjeçe. Momentet e fundit të jetës së artistet, me një rrëfim shumë emocionues, i ndau për ndjekësit në rrjetet sociale mbesa e saj Ajola Xoxa.

Ajola Xoxa publikoi disa foto të gjyshes së saj dhe një jetëshkrim të shkurtër, që kur ishte nxënëse në Moskë, ku studio për Balet, njihjen me bashkëshortin e saj dhe themelimin e Shkollës së Baletit në Shiqpëri.

‘Ne foton e pare, gjyshja ime Ganimet Vendresha, eshte 25 vjec. Sot ajo mbush 88 vjec.

Me e vogla e 8 femijeve. 16 vjec u largua per ne Moske per te studiuar prane Shkolles se Baletit te Bolshoi Teater, e ne kete udhetim u njoh me gjyshin tim. Atje jetuan 8 vite e kur u kthyen themeluan Shkollen Baletit e me vone ishin drejtuesit e pare te baletit ne themelimin e Teatrit te pare te Operas dhe Baletit ne Shqiperi.

Gjyshi ka patur pasion fotografine, duke na lene nje pasuri te pamateshme. Gjithashtu, ai ka mbajtur ditar deri ne fund te jetes se tij. Qe e vogel nisa ta lexoja dhe eshte nder historite e para te dashurise qe kam lexuar, permes fjaleve te vete gjyshit, nga djale ne burre. Eshte edhe me e bukura. Dashuria (edhe jeta) e tyre ka qene si ato qe enderrojme te gjithe: e vertete, e pafund, e pamposhtshme, pa hije.

Sot gjyshja mbush 88 vjec dhe ne 6 javet e fundit ka hyre e ka dale nga spitali tri here. Pas nje arresti kardiak, ne daten 23 gusht u rikthye ne jete nga Dok. Alfred Nona, njeri i cilesive te rralla.

Nje pjese te saj tashme e kemi humbur pergjithmone. Javet e fundit kane qene shume te renda per familjen tone.

Une jam rritur nga dy prinderit e mi dhe nga kjo gjyshe, e pas humbjes se babit 3 vite me pare, semundja e gjyshes ma ka copetuar shpirtin. Por ne te gjithe kete trishtim, vazhdoj mendoj se nje jete si jeta e saj eshte fati me i madh qe dikush mund te kete: 88 vite te mbushur me dashuri, shume dashuri, me qetesi, miresi, besim, me vertetesi, duke kerkuar te bukuren e te miren ne cdo gje. Te gjithe studentet dhe miqte e saj e kujtojne si shpirti me i paster qe kane njohur, si nje njeri i dedikuar ndaj familjes dhe punes pa u ankuar kurre.

Pavaresisht loteve qe me shkojne cdo dite ne javet e fundit, jam e lumtur qe gjyshja ka patur nje jete pafund te bukur e njekohesisht te jashtezakonshme (e keto te dyja shume rralle vijne bashke).

Uroj te kete ende vite per te qendruar me ne, por edhe ne qofshin vetem dite, do te jene ato te dikujt qe ka bere vecse mire ne jete, e qe ka ndricuar zemren e kujtdo e ka patur prane.

Te dua aq shume gjyshja ime e mire, e bukur dhe me shpirt te bute. Jam me shume fat qe nje pjese e jotja jeton tek une.’- shkruante Ajola Xoxa, vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta të gjyshes së saj.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?