Ndalimi i 78 sirianëve në Pogradec, zbardhen përgjimet mes të arrestuarve: 1200 euro për person, kemi ngrit tërë shtetin në këmbë, nga Tiranë deri Korçë

13 Tetor 2020, 14:15| Përditesimi: 13 Tetor 2020, 20:08

  • Share

Zbardhen komunikimet e personave që u kapën në Korçë, teksa po transportonin në drejtim të Tiranës, plot 78 emigrantë nga Siria. Në një bisedë që ka kryer i arrestuari Endri Rrushi me personin tjetër të arrestuar, Amarildo Rrushi, Endri i thotë të vëllait “…ik shpi, kanë pa kamionin në mëngjes duke zbrit. Nuk duhet lëviz më me të. Kemi ngrit tërë shtetin në këmbë, që Tiranë deri në Korçë. Kanë ngrit çdo cep postobllok…”. Ky mesazh është dërguar në mesnatë në orën 00:42 minuta, kur grupi i përbërë nga 5 persona kishte organizuar transportimin me trajler të 78 sirianëve. Dy vëllezërit janë djemtë e biznesmenit nga Flamur Rrushi, i cili administron kompaninë e pastrimit “Rrushi Trans”. Informacioni për lëvizjen e këtij kamioni me emigrantë është dhënë nga agjentët e antidrogës, të cilët kishin raportuar se në ambjentet e ish-baxhos së fshatit Zvezdë, ishin strehuar një numër i madh emigrantësh sirianë. Këta emigrantë ishin marrë përsipër të transportoheshin me kamion nga fshati Zvezdë deri në Tiranë, ku do strehoheshin në një objekt në fshatin Mullet.

Organizatorë të këtij trafikimi kanë qënë personat e arrestuar, dy vëllezërit, Amarildo dhe Endri Rrushi nga Prrenjasi, Urim Bajrami dhe Rinard Biçaku nga Librazhdi, për të cilët një ditë më parë gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”. Ndërkohë lidhur me këtë çështje janë marë në pyetje dhe 20 emigrantët sirianë, nga 78 që ishte grupi, të cilët kanë treguar në polici se ishin larguar nga vendi i tyre Siria për arsye të konfliktit të armatosur dhe kishin marrë rrugën e emigrimit drejt vendeve të BE-së. Ata fillimisht kanë hyrë në Turqi e më pas në Greqi. Pjesa më e madhe e emigrantëve kanë pohuar se ishin kontaktuar me persona të ndryshëm, të cilët i kishin premtuar vijimin e këtij udhëtimi në mënyrë të paligjshme drejt Shqipërisë, e më pas deri në Serbi. Për këtë udhëtim emigrantët Sirianë pagonin një shumë prej 1200 euro për person, shumë e cila është lënë në agjenci monetare në formë garancie, me të drejtë tërheqje.

Sipas rrëfimit qëllimi i tyre final nuk ishte Serbia, por vendet e Bashkimit Europian si Gjermania etj. Sirianët kanë deklaruar se pasi janë afruar pranë kufirit Shqiptar, janë pritur nga disa shoqërues Shqiptarë, me të cilët kanë udhëtuar për 2-3 ditë në këmbë, ku kanë shkuar tek vendi dhe kanë pritur të vinte kamioni ti merrte.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?