Politikë

Ndarja nga Berisha/ Statuti i PD-së i jep fuqi Bashës të përjashtojë çdo anëtar pa pyetur strukturat, ja ku mund të ankohet ‘Doktori’

10 Shtator 2021, 15:13| Përditesimi: 10 Shtator 2021, 17:03

  • Share

Edhe pse vendimi i Lulzim Bashës nën presionin e SHBA për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi i PD dhe rrjedhimisht nga partia, është më shumë një akt politik se sa proces ligjor dhe procedural, Sali Berisha po e kundërshton vendimin nga pikëpamja ligjore, duke e shpallur si në kundërshtim me statutin e PD-së. Sipas Berishës nuk ka asnjë nen në statut që parashikon përjashtimin e deputetit për shkak të shpalljes non grata nga SHBA dhe se për përjashtimin e tij nga partia duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD.

Po çfarë parashikon statuti i PD për rastet e përjashtimit nga partia? Statuti i PD nuk ka ndonjë pikë të veçantë për përjashtimin e deputetit nga grupi parlamentar, por parashikon rastet dhe rrethanat e përjashtimit të anëtarit nga partia, qofshin këta deputetë apo kryebashkiakë.

Statuti i Partisë Demokratike jep fuqi Lulzim Bashës, që në raste urgjente, të pezullojë apo përjashtojë nga partia çdo anëtar të saj, pa mbledhur strukturat e PD-së. Pas njoftimit të vendimit emergjent nga Basha, më pas masa disiplinore hidhet në votim në organet e larta të PD.

Pika 5 e nenit 27 të statutit të PD-së, parashikon:

"Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm".

Po për çfarë arsyesh mund të përjashtohet nga partia një anëtar i saj, qoftë edhe Sali Berisha? Statuti i PD, në nenin 27 pika 1, parashikon përjashtimin e anëtarit, pavarësisht pozitës së tij, kur thyen disiplinë e brendshme dhe ndërmerr veprime që dëmtojnë interesat politike të partisë. Në rastin konkret, Sali Berisha nuk ka kthyer disiplinën e brendshme në PD, por refuzimi i tij për t’u larguar nga PD-ja, pas shpalljes non grata nga SHBA, mund të çonte PD drejt ndëshkimit me sanksione ndërkombëtare.

Ndërkaq, në rastet kur kryetari i PD ushtron të drejtën e ndërhyrjes duke përjashtuar një anëtarë, ky vendim duhet të shqyrtohet më pas nga Kryesia e PD-së, e cila vendos për miratimin ose rrëzimin e vendimit. Nëse kryesia e PD miraton pezullimin ose përjashtimin e një anëtari, në rastin konkret të Berishës, ky i fundit ka të drejtë të ankohet në Komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës.

Po si reflektohet grupi parlamentar në Kuvend?

Brenda 5 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë ose deklarimin si deputet i pavarur. Sali Berisha deklaroi sot do të jetë pjesë e grupit të PD, duke sfiduar vendimin e Bashës për largimin e Berishës nga grupi i PD.

Me këtë qëndrim, Berisha paralajmëroi se do të deklarojë me shkrim për t’u bërë pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

Ndërkaq, rregulloja e Kuvendit nuk parashikon rastet e përjashtimit të një deputeti nga grupi parlamentar, pasi vendime të tilla janë politike dhe u takojnë subjekteve zgjedhore që përfaqësohen në Kuvend. 

Ky duket se do të jetë precedenti i parë kur një deputet e largojnë nga grupi, por ai refuzon vendimin e largimit, duke deklaruar përkatësinë e grupit parlamentar nga i cili e kanë përjashtuar.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?