Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet që po bëhen në nder të mjekut të shquar Ilir Ohri, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e së enjtes. Kreu i qeverisë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thotë se e ka pasur privilegj që pati mundësinë të njihte dhe të bisedonte me profesorin Ohri.
“Ilir Ohri ishte më i miri nga ne, thonë njëzëri kolegët e tij. Sot profesori i shumërespektuar, u nis për në banesën e fundit. Ishte një privilegj që pata mundësinë ta njoh dhe të bisedoj me të. Ngushëllime familjes, kolegëve, mjekëve e studentëve që humbën sot një mik dhe një pikë referimi në botën e mjekësisë shqiptare”, shkruan Rama.
Mjeku Ilir Ohri u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 67-vjeçar. Prof.Ilir Ohri, një prej figurave më të shquara të Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit dhe tё mjekësisë shqiptare, ka dhënë prej më shumë se 40 vitesh një kontribut të veçantë dhe të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij shërbimi në vendin tonë.
Ai ishte një nga themeluesit e shërbimit modern të Anestezi-Reanimacionit dhe drejtues i tij prej 30 vitesh. Prof. Ilir Ohri ka lënë gjurmën e tij në ngritjen, funksionimin dhe perfeksionimin e të gjitha njësive të reanimacionit në Tiranë e në mbarë vendin.
Ai bën pjesë në bërthamën e shkëlqyer të mjekëve, që themeluan Shkollën e Anestezi-Reanimacionit që në gjysmën e parë të viteve ’80. Prof. Iliri i ka ndarë pa kursim dijet e tij të gjera ndër vite, me qindra mjekë anestezistë, të cilët i janë mirënjohës dhe janë krenarë, që kanë qënë nxënës të tij.
Një nga kulmet e veprimtarisë së Prof. Ohrit në fushën akademike është edhe krijimi i Shkollës së Anestezi-Reanimacionit në Republikën e Kosovës dhe përgatitja e një plejade specialistësh të fushës atje. Gjithashtu, ai ka udhëhequr mjaft doktoratura në Universitetin e Prishtinës.
Veprimtaria shkencore e Prof. Ohrit është e gjërë, cilësore dhe e larmishme. Ajo pasqyrohet jo vetëm në aplikimin klinik të të rejave bashkëkohore të fushës, por edhe në artikujt e referimet e shumtë në shtypin shkencor kombëtar e ndërkombëtar. Ai ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit dhe një nga drejtuesit aktivë të saj.
Gjatë gjithë jetës profesionale Prof. Ilir Ohri është karakterizuar nga puna e pakursyer në shërbim të të sëmurëve më të rëndë, nga ndershmëria e lartë, nga profesionalizmi i rrallё, nga integriteti solid dhe nga personaliteti i palëkundur. Anestezi-Reanimacioni shqipëtar humbi mësuesin, drejtuesin dhe mjekun e talentuar. Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve te Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe shokëve të tij.