Presidenti Ilir Meta

Opinion

Ndërhyrja kamikaze e Ilir Metës, që shkatërroi fushatën e PD-LSI

22 Prill 2021, 17:59| Përditesimi: 22 Prill 2021, 18:00

  • Share

Pas tetë vjetëve qeverisje, natyrishëm tek njerëzit lind pakënaqësia. Aq më tepër në një vend si ky yni, ku korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin është një kulturë që trashëgohet nga qeveria në qeveri.

Për këtë arsye, një fitore tjetër e Edi Ramës për të marrrë mandatin e tretë, një gjë e pandodhur deri më tani në Shqipërinë post komuniste, dukej jo fort e sigurtë, edhe pse në fakt, përballë ka një opozitë aspak frymëzuese, të pareformuar dhe që vjen si alternativë me të njëtët njerëz që morën një milionë “shuplaka” tetë vite më parë.

Fitorja e Ramës vihej në dyshim, jo për shkak të ofertës së opozitës, më shumë se prej konsumit të shpejtë të kësaj mazhorance, qeverisja e së cilës është shoqëruar shpesh edhe me skandale. Por me sa duket, fati i Ramës është shenjuar pikërisht nga kundërshtarët e vet.

Ndërkohë që shumë njerëz, nga ata që cilësohen si elektorati gri, por dhe shumë socialistë të zhgënjyer me Ramën, kanë qenë në mëdyshje kë të votonin më 25 prill, vjen ndërhyrja kamikaze e Ilir Metës, që shkatërroi jo vetëm fushatën e LSI-së, por dhe atë të PD-së.

Thirrjet e tij për luftë e përleshje kundër bandës së rilindasve e për rrëmbimin e sfurqeve e kosoreve, prerjen e duarve, daljet e tij të çartura nëpër konferenca e TV, të cilat çuan deri në ngjarjen e Elbasanit, në vend që të dëmtonin Ramën, u kthyen në një boomerang të madh për opozitën.

Së pari, sepse ata që konsiderohen elektorati gri, kur shohin një njeri të dalë totalisht mendsh, që flet në emër të opozitës dhe është gati të fusë vendin në luftë civile, vetëm që të vijë në pushtet, natyrisht do të mendohen mirë, para se të votojnë opozitën, e cila vjen me alternativën e dhunës dhe vrasjeve.

Mjafton të shohësh mijëra komentet në rrjetet sociale të kësaj pjese, për të kuptuar dëmin që ka bërë Ilir Meta tek elektorati i pavendosur. Së dyti, me retorikën e tij të ashpër kundër socialistëve dhe me etiketimet e lloj lloshme të tyre, Ilir Meta nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka nxitur që çdo socialist, edhe ata të zhgënjyer me Edi Ramën, që ndoshta nuk do ta votonin, të mobilizohen e të shkojnë e të votojnë më 25 prill, pikërisht si kundërpërgjigjie për “luftën” që iu ka shpallur Ilir Meta.

Të vetmet vota që mund të ketë fituar ky i fundit me thirrjet e tij, janë ato të militantëve të verbër të PD e LSI dhe të atyre që urrejnë Ramën.

Veçse ato i kishte dhe pa dalë fare në fushatë!

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?