Ngjarjet e fundit në Bjellorusi, janë kthyer në temë dite në mediat ndërkombëtare, por kanë marrë vëmendje edhe në Shqipëri për shkak se kryeministri Edi Rama, është njëherësh edhe Presidenti i radhës i OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë). Pozita që mban i ka vënë mbi supe Edi Ramës një krizë të re, të cilën ai ka shprehur gatishmërinë publikisht por edhe më shkresë zyrtare, për ta ndërmjetësuar direkt në Minsk. Fill pas propozimit të Ramës për dialog në këtë shtet, të gjitha shtetet duke filluar nga SHBA me anë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, BE (Gjermani, Francë) dhe të gjitha institucionet ndërkombëtëare si Këshilli i Europës, Komisioni Europian etj, pranuan propozimin e Ramës dhe i bënë thirrje Lukashenkos që ta pranojë këtë ofertë.
Mirëpo, ndërkohë që kryeministri Rama në cilësinë e kreut të OSBE-së, punonte me aleatët e mësipërm për mundësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë në Minsk, në Tiranë, si gjithmonë në fakt, nisi lufta dhe sulmi politik. Siç vetëm në Tiranë dinë ta bëjnë, opozitarët politikanë dhe një pjesë mediatike që kullosin në tokat e tyre, nisën një sulm ndaj kryeministrit Rama, vetëm për faktin se pse ky i fundit arriti të marrë ‘OK’ nga SHBA, BE e të gjithë organizmat e tjerë ndërkombëtarë, për krizën në Bjellorusi. Po të ishte fjala për thjeshtë OSBE-në që do ndërmjetësonte, opozita nuk do i prishte pushimet për të nisur luftën politike, por fakti që Gjermania dhe ndërkombëtarët me radhë përmendin Edi Ramën si ndërmjetësues, i ka ngrirë gjakun Bashës, Berishës, Kryemadhit, Metës…
Nga ana tjetër, pas gabimit të parë që opozita dhe ‘politologët’ që e këshillojnë bënë me faktin që e sulmuan, e trashën gabimin e tyre me mënyrën se si e sulmuan dhe argumentat që përdorën. Opozita sulmon Edi Ramën se është po njëlloj autokrat si Lukashenko në Bjellorusi. Ky argument fëminor i përdorur pas gjithë mbështetjes që Edi Rama mori për këtë çështje, e bën opozitën të duket më së paku qesharake. Pyetjet e rastit (retorike në fakt) që i shtrohen opozitës janë: Si ka mundësi, që një Edi Ramë autokrat, të marrë ”OK’ nga Amerika në Gjermani e Francë, për të shkuar e ndërmjetësuar krizën e rëndë bjelloruse? Si ka mundësi, që SHBA, BE, që nuk njohën zgjedhjet në Bjellorusi, t’i jepkan mandat Edi Ramës autokrat, që të shkojë e të zgjidhë krizën atje? Dhe ajo që është më e rëndësishmja, sa mundësi ka që SHBA-BE, të mbështesin njëzëri propozimet e një autokrati?
Së treti, ajo që nuk ndryshon në gjithë këtë histori, është fakti se sa herë Shqipërisë i del emri për mirë në arenën ndërkombëtare, opozita është gjithmonë aty për ti hedhur baltë. E kjo ndoshta është edhe një nga arsyet pse është aty ku është.
Këto janë tre autogolat e opozitës, ku dalin kundër ndërkombëtarëvem, kundër Shqipërisë dhe promovues të punës së kundërshtarit të tyre. E kjo është fitorja e Ramës në ‘Bjellorusi’.
Nga ana tjetër, ngjan qesharake dhe ‘haram’ lekët ata këshilltarë që e këshillojnë opozitën që në kësi rastesh, ta sulmojnë Edi Ramën dhe Shqipërinë, pasi duke e sulmuar Ramën, vetëm sa i bëjnë reklamë e i japin vëmendje një punë të tij, e cila nuk ishte në plan të parë të vëmendjes publike, por tanimë është, ndërsa duke sulmuar e nxirë Shqipërinë, vetëm sa i ulin pikë vetes vazhdimisht. Gjithësesi, kjo është punë e zyrës së kryeopozitarëve që nuk dinë për çfarë paguajnë./ Lexo.al
Ndaj eshte opordhite
Përgjigju