Sërish karafila të lara me lot artificialë, heshtje mortore si maskë mëkatesh dhe një grusht fjalësh hipokrite të cilave nga viti në vit u ka ndryshuar veç kronologjia. Në media përsëri shkrime patetike, disa emisione përkujtimorë dhe copëza rebelimesh për të fshehur ndonjë oreks partiak. Pastaj diku ca intervista me familjarët e viktimave, në një vend lutje të dëshpëruara nga qielli e toka mbi të vërtetën dhe në fund zotime publike për një drejtësi që i është thyer çekiçi, apo më saktë s’ka pasur kurrë një të tillë.
Pas këtyre akteve të inskenuara me kujdes, në horizont s’duket më asgjë e re. Peshorja e vjetër e drejtësisë, paçka se e lyer me bojën e reformës së re, nuk jep shenja optimizmi për krimin gjakatar që sot s’ka më nevojë të hetohet, por të ndëshkohet. Në një klimë të tillë hipokrizie, është e turpshme të përsëritet nga politika se më 21 janar 2011 u ekzekutuan 4 vetë dhe u lënduan keqas mbi 30 të tjerë.
Madje-madje, s’është më e nevojshme as të premtohet ligjitimitet, përderisa bashkëfajtorët kanë ngrënë në të njëjtën pjatë, kanë pirë në të njëjtën gotë dhe kanë vjedhur në të njëjtat xhepa. Këtu fjala është për oreks ngjalash, kolltuqe pushteti dhe marrëveshje nëntoke që shqiptarët i mësojnë veç kur u duhet të mbajnë pasojat mbi sup.
Është ulëritëse të dëgjosh, lexosh apo shohësh kur përgjegjësia e ngelur jetime shigjetohet drejt njëri-tjetrit e ngjyer me fjalë të bukura, mimika të ngrysura dhe korda zanore që do i kishte zili çdo funeral. E pse duhet të flasë politika për këtë datë të kobshme në një kohë kur 8 vjet, 96 muaj dhe 2 922 ditë s’i mjaftuan për të çuar pas hekurave gdhendësit e 4 arkivolëve të 21 janarit?
Pse duhet të flasë më politika, që të kërkojë kohë, të kërkojë mëshirë, të justifikohet, të akuzojë kundërshtarin, të tregojë të vërtetën e saj, të pastrojë ndërgjegjen e ndotur? Pse duhet besuar kur prej saj dosja hetimore u pengua, urdhër ndalimet s’u ekzekutuan, agresorët morën pafajësinë, bashkëpunëtorët u bënë ligjvënës dhe shkaktarët kryesorë ngjitën shkallët e karrierës duke kapur majat e pushtetit.
Absurde nëse ndokush e dëgjon më! Koha e deklaratave ka vdekur përfundimisht bashkë me shpresat naive që sot ju bënë homazhet e fundit. Tashmë, e vetmja mënyrë për të nderuar 21 janarin është të mos e përdorim më politikisht dhe mediatikisht, qoftë duke e kujtuar në këtë formë.
T’i lemë të gjejnë prehjen e qetë ata që dolën për Shqipërinë, duke harruar se në këtë vend, ëndrrat dhe idealet shpohen me plumba. Mos i vrasim më duke folur, madje i lëndojmë sërish qoftë edhe duke u lutur!