Në "Giuseppe Meazza" pritej spektakël dhe ashtu ndodhi. Interi dhe Juventusi shënuan tetë gola në 90 minuta të luftuara dhe një ndeshje që dukej se nuk luhej në Serie A. Rezultati final në tabelë shënon 4-4, teksa sfida është historike pasi nuk ndodh shpesh që në përballjet mes tyre të shënohen kaq gola.
Sfida u hap pas 15 minutash me penalltinë e kthyer në gol nga Zielinski, kjo pas një pakujdesie të Danilos. Pas golit të pësuar Juventus u hodh në sulm dhe përmbysi ndeshjen për 2-1 me golat e bukur të Vlahovic dhe Ueah.
Inter nuk u pajtua me përmbysjen dhe u kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë. Mhhitaryan në të 35 dhe Zielinski sërish me penallti shënuan për rezultatin 3-2 në pjesën e parë.
Fraksioni i dytë nisi me golin e katërt të Interit me autor Dumfries. Lëvizjet në stol bënë që Motta të hidhte në fushë Yildiz në vend të Ueah dhe turku i Juves shënoi dy gola në minutat 71 dhe 82 për rezultatin 4-4 dhe një ndeshje që ishte spektakolare dhe me shumë raste, ku vlen të përmendet forma e mirë e portietit të "Zonjës", Di Gregorio.
Për herë të tretë në historinë e Serisë A, shënohen 8 ose më shumë gola në një ndeshje mes Interit dhe Juventusit pas 10 qershorit të vitit 1961, ku bardhezinjtë triumfonin me rezultatin 9-1 dhe 17 janarit të vitit 1932 ku triumfonte sërish Juventusi me rezultatin 6-2.
Rekordi i Yildiz
Siç raporton Opta, në moshën 19 vjeç e 176 ditë Kenan Yildiz bëhet lojtari më i ri që ka shënuar më shumë se një gol në një ndeshje mes Interit dhe Juventusit në historinë e Serisë A.
Derbi i 239 mes dy skuadrave në histori mbyllet 4-4, ndërsa është Juve që kryeson me statistika. Juventusi ka 109 fitore, kundrejt 70 të Interit, ndërkohë që 60 sfida janë mbyllur në barazim. Fitorja e fundit e Juves në "Meazza" daton në 19 mars 2023 me rezultatin 0-1 për Serie A. Inter mban vendin e dytë me 18 pikë, ndërsa Juve me 17 pikë vendin e tretë.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Inter dhe Juventus barazojnë 4-4 në Derbin e Italisë! Lazio tripletë Genoas, Fiore 'shuplakë' Romës
S.Dh/ReportTv.al